Miti i ‘zgjidhjes’ së krizës shumëpërmasore përmes “qyteteve inteligjentë”
Pikërisht sepse shqetësimet përkatëse shkaktohen nga elitat neoliberale dhe sistemi që ato kanë krijuar dhe shkaqet nuk janë kuptuar (deri tani tregojnë vetëm simtoma dhe jo shkaqe sistemike), nisma përpiqet të luftojë simtomat e sistemit dhe jo shkaqet sistemike.
Ylli Përmeti
28/09/2022 - 09:12
Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe ambasada amerikane në Shqipëri organizuan për herë të parë në Ballkanin Perëndimor (Tiranë: 20 shtator) konferencën rajonale lidhur me “Qytetet Inteligjente” për të nxitur në qytetet e rajonit investimet në teknologjitë e sigurta inteligjente dhe për të modernizuar shërbimet publike.
Në konferencë morën pjesë 20 bashki nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i konferencës ishte përgatitja për t`u përballur me sfidat aktuale botërore: klimën, energjinë dhe sigurinë (Pamela Ward, zyrtare e departamentit amerikan të tregtisë për Evropën Juglindore).
Por kur kundrohen qendrimet e organizatorëve, kuptohet se bëhet fjalë për shitjen e teknologjive të korporatave dhe shfrytëzimin e disa fondeve bankare për krizat që shkaktojnë elitat neoliberale të globalizmit neoliberal se sa për zgjidhje të krizës.
Megjithëse konferencën e mbizotëroi shqetësimi i kiberluftës i ngritur nga ambasada amerikane (për të cilin shfrytëzoi “sulmin” pa prova bindëse të Iranit ndaj Shqipërisë) nuk mungoi dhe shqetësimi (nga ambasadorja e BE-së në Shqipëri) se qytetet po zmadhohen dhe njerëzit në ta janë duke kërkuar “mundësi punësimi, shkollimi, por edhe sfidohen nga mungesa e qetësisë, nga ajri i ndotur, çmimet e larta të jetesës dhe kriminaliteti”.
Këto të fundit quhen probleme “afatshkurtra” nga zv.presidenti i BERZH-it, Mark Bowman. Sipas tij, për këto lloj problemesh duhen kërkuar zgjidhje të gjelbërta pa iu shmangur objektivave afatgjata për mbrojtjen e natyrës. Pikërisht për këtë arsye, “Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po trajton aktualisht programin “Qytetet e Gjelbërta”, i cili ndihmon qytetet të identifikojnë shqetësimet e mjedisit që lidhen me investimet në infrastrukturë”.
Si koncept, një ‘qytet inteligjent’ është një rajon urban që është i lidhur me infrastrukturë, ka pasuri të paluajtshme dhe të qendrueshme, ka kumtime ose komunikime dhe mundësi tregtare. Ai është qyteti ku teknologjia e të dhënave (informacionit) është infrastruktura kryesore dhe baza për të siguruar shërbimet thelbësore për banorët. Si koncept është krijuar nga korporata amerikane IBM në vitin 2008 si pjesë një nisme për një Planet më Inteligjent.
Por pikërisht sepse shqetësimet përkatëse shkaktohen nga elitat neoliberale dhe sistemi që ato kanë krijuar dhe shkaqet nuk janë kuptuar (deri tani tregojnë vetëm simtoma dhe jo shkaqe sistemike), nisma përpiqet të luftojë simtomat e sistemit dhe jo shkaqet sistemike.
Për shembull, përqendrimi i popullatave në qytetet kryesore të një vendi, është pasojë e kuadrit institucional (“demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut) dhe një politike neoliberale: lëvizja e lirë e popullatave. Përmes kuadrit përqendrohet pushteti politik dhe ekonomik në metropole ku krijohet veprimtaria kryesore ekonomike ndërsa përmes lëvizjes së lirë mundësohet përqendrimi i popullatave në ta: sepse vetëm në ta mund të punësohen dhe mund të sigurojnë të ardhura më të larta se në periferi.
Këtë dinamikë mundohet ta “zgjidhë” konferenca e nxitur nga ambasada amerikane përmes konceptit “qytete inteligjente”. Por është e qartë se nuk mund ta zgjidhë, sepse popullatat do të vazhdojnë të përqendrohen dhe kriza ekologjike do të vazhdojë të përkeqësohet për sa kohë që gjithë këto popullata ëndërrojnë të jetojnë si gjithë të tjerët, me pajisje elektrike në banesa dhe automjete: përmes pajisjeve elektrike shtohet kërkesa për energji elektrike (në kohën kur përballemi me krizë energjitike dhe ekologjike) ndërsa përmes të dytave shtohet ndotja në atmosferë (në kohën kur përballemi me shfarrosjen e jetës së planetit!).
Krahas kësaj dinamike rritet pasiguria, shtohen kërkesat për shkolla të reja, shtohet mungesa e qetësisë, shtohet ndotja e ajrit, shtohet kriminaliteti (për sa kohë që njerëzit përqendrohen në metropole dhe sistemi arsimor ka dështuar të zhvillojë njerëz virtuoz) dhe rriten çmimet e jetesës, sepse një vend si yni, ku sektori energjitik varet nga tregu ndërkombëtar, i cili, me radhë varet kryesisht nga epshet e Uashingtonit, çmimet energjitike dhe çmimet e mallrave do të rriten si pasojë e tronditjes së tregut ndërkombëtar.
Në fund, vlen të përmendet fakti se në konferencë, nëse mund ta quajmë kështu, sepse mungoi kritika ndaj nismës, ishte bashkorganizator presidenti i dhomës amerikane të tregtisë, Enio Jaço, në kohën kur Rama ka ngritur një akuzë ndaj tij për korrupsion ose transaksione të fshehta dhe ai s`është përgjigjur!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 28 reads



