...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nevoja e një ‘qeverie teknike’ për mbështetjen e zgjedhjeve dhe drejtësisë

Qeveritë teknike nuk përfshihen në Kushtetutë por janë “frut” i një krize politike dhe shoqërore dhe “vullnet” i një klase politike ose partive politike që janë pjesë e kuvendit

Ylli Përmeti

01/11/2022 - 08:30

Ndërsa zgjedhjet vendore po afrojnë, ashtu po afron dhe nevoja e krijimit të një qeverie teknike. Për një qeveri të tillë janë gati dhe “opozitarët”. Berisha dhe Meta folën në gusht për nevojën e krijimit të një qeverie teknike e cila, sipas tyre, do të jetë përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve, sepse Ramës nuk i besohet; njësoj gjykonte dhe Basha më herët (në prill).

Qeveria teknike ose teknokrate është një lloj qeverisje e përbërë nga teknokratë ose njerëz me ekspertizë qeverisëse; ata zgjidhen nga një autoritet i lartë shtetëror. Koha për qeverisje teknokrate varet nga çështjet që ajo do të mbulojë; në çdo rast ajo ka kufizime në qeverisje, sepse politikat e saj mund të mos pajtohen me grupe të ndryshe politike dhe shoqërore.

Vendi ynë ka krijuar dy herë qeveri teknike: një herë në vitin 1991 me qeverinë e stabilitetit të Ylli Bufit (11 qershor – 6 dhjetor: 1991) dhe më pas të Vilson Ahmetit (18 dhjetor – 13 prill: 1991) dhe një herë në vitin 1997 me qeverinë e pajtimit kombëtar të Bashkim Finos (11 mars-24 korrik). Këto “qeveri” kishin disa detyra ndër to dhe detyrën për të përgatirur zgjedhjet e përgjithshme dhe jo vendore. Me qeverinë e parë zgjedhjet u fituan nga PD-ja ndërsa me qeverinë e dytë zgjedhjet e fituan nga PS-ja.

Rasti i parë ishte pasojë e një sërë ngjarjesh në vendin tonë me më kryesoren zhvillimin e një kuvendi kombëtar për pajtim dhe bashkim kombëtar ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit e gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe përpjeket e partisë “demokratike” për të mbivendosur luftën e saj kundër komunistëve. Qeveria e parë u krijua me mbështetjen e Ramiza Alizë, i cili ishte president i republikës në atë kohë ndërsa e dyta u votua nga parlamenti dhe u dekretua nga presidenti, në këtë rast, nga Berisha.

Qeveritë teknike, në fjalë të tjera, nuk përfshihen në Kushtetutë por janë “frut” i një krize politike dhe shoqërore dhe “vullnet” i një klase politike ose partive politike që janë pjesë e kuvendit. Aktualisht ne përballemi me një krizë politike të stërgjatur si me qeverinë “Rama” në pushtet ashtu dhe me partinë “demokratike”; e para ka shkaktuar një sërë politikash të padrejta duke përfshirë dhe përpjekjen e saj për të ‘vjedhur’ votat në zgjedhjet e fundit ndërsa e dyta është e përçarë kryesisht si pasojë e përplasjes mes Berishës dhe Bashës.

Dy janë, në fjalë të tjera, krizat kryesore me të cilat ne përballemi aktualisht: kriza politike e lidhur kryesisht me zgjedhjet ―për të cilat opozita e Berishës dhe Metës (2022) kërkon qeveri teknike― dhe kriza juridike; kjo e fundit nuk mund të përparojë me një qeveri kryekëput të zvetënuar.

Në këto kushte, një qeveri teknike duhet të ketë për detyrë përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve vendore dhe mbështetjen e reformës në drejtësi. Nëse ajo krijohet gjatë dy muajve të këtij fund-viti, ajo do të ketë një mandat prej të paktën gjashtë muajsh meqë zgjedhjet vendore zhvillohen më 14 maj 2023.

Për përgatitjen e zgjedhjeve përfshihet kryesisht ministria e brendshme ndërsa për mbështetjen e reformës në drejtësi përfshihet kryesisht ministria e drejtësisë, të cilat, pa mbështetjen e ministrive të tjera, nuk mund të punojnë.

Qeveria teknike në njërën anë dhe Spak-u në anën tjetër, pa përjashtuar prokurorët dhe gjyqtarët e tjerë të sistemit të drejtësisë, do të punojnë të fitojnë besimin e humbur të popullit ndaj drejtësisë dhe bashkë me të do të zhvillojnë zgjedhje të drejta, të lira, dhe të ndershme.     

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA