Profkat e mëdha të Ramës në kongres dhe e ardhmja politike afatshkurtër e Shqipërisë
Reforma në drejtësi është gati tërësisht kontribut amerikan ndërsa Rama thjesht ka miratuar gjithçka i është kërkuar pa shqyrtim dhe kuptim dhe shpesh herë është bërë pengesë e saj, sidomos lidhur me ndërhyrjet e tij në sistemin e drejtësisë me rastin më flagrant atë të ish-kryebashkiakut të Vorës (Kajmakut) dhe ndjekjen penale të studentëve
Ylli Përmeti
09/12/2023 - 14:33
Mes duartrokitjesh të vakëta por dhe entuziaste nga disa pjesëmarrës, Rama u ngjit në foltoren e kongresit të partisë “socialiste” dhe pasi kujtoi nënën e tij iu drejtua të pranishmëve duke shpalosur ambicien dhe përparësitë (ose “prioritetet”) e partisë “socialiste” për zhvillimin e Shqipërisë; në fjalët e tij: “për ta ngjitur Shqipërinë 2030 në majën e lartë, drejtë të cilës u nisëm dhjetë vjet më parë”. Duke përmendur disa të vërteta, si korrupsioni dhe gjendja e rëndë ekonomike që trashëgoi partia e tij në vitin 2013 nga partia “demokratike”, të cilat i krahasoi me përparimet e qeverisë së tij dhjetëvjeçare, ai paralajmëroi se “progresi” i arritur mund zhbëhet me shpejtësi të madhe. “Prandaj”, tha, “ne na duhen të paktën tre garanci: një vend i gatshëm për t`u anëtarësuar në BE; një shtet ku fryma e modernizimit të hyjë në të gjitha venat e organizmit të tij; dhe një forcë qeverisëse e përkushtuar ndaj kapitalit njerëzor të shoqërisë”.
Kongresi diskutoi zhvillimin e infrastrukturës, turizmit dhe kthimin e Shqipërisë në eksportues neto të energjisë, për të cilat Rama tha se do të bëheshin “patjetër”, “por të gjitha këto nuk do ta bëjnë Shqipërinë të gatshme për anëtarësim në BE nëse ne nuk kemi një drejtësi europiane dhe një mirëqeverisje europiane; as nuk do ta bëjmë këtë vend një shtet ku fryma e modernizimit të hyjë në çdo venë të tij nëse ne nuk do të guxojmë të thyejmë kornizën e progresit gradual përmes inovacionit jogradual dhe thjesht në aspektin teknologjik por në qasjen, në filozofinë e qasjes së institucioneve ndaj idesë së progresit; dhe as do ta bëjnë këtë parti një forcë qeverisëse të përkushtuar ndaj kapitalit njerëzor të shoqërisë, fitoret elektorale të radhës me disa kundërshtarë as të gjallë e as të vdekur, të cilat (fitoret) aq sa vlejnë duke na dhënë mundësinë të udhëheqim vëndin aq edhe mund të na ulin nivelin e kërkesës jetike ndaj vetvetes si forcë udhëheqëse e Shqipërisë, duke e lënë praktikisht progresin pa asnjërën nga të treja garancitë e domosdoshme që përmenda”, tha ai.
Ngaqë sipas tij s`ka asnjë forcë tjetër politike që t`i bëjë këto ai premetoi se do ta integronte Shqipërinë në BE dhe vetoja greke dhe mos-harmonizimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së, s`ka për ta ndaluar. Sipas tij, janë mbi 3,500 masa ligjore ndërsa janë dhe mbi 200,000 faqe për përkthim. Vendet që e kanë kaluar këtë proces, sipas tij, kanë marrë 7 deri në 10 vjetë. Por qeveria e tij do ta bëjë këtë më shpejtë se sa më i shpejti i vendeve pararendëse. Kroacia, për shembull, ka marrë 7 vjet ndërsa Rama premtoi një vit e gjysmë me inteligjencën artificiale. Për këtë të fundit do të shfrytëzojë aftësitë e Mira Muratit dhe programin kompjuterik ChatGPT ku ajo është mjeshtre dhe jo “armatën” e juristëve dhe përkthyesve. Madje ai do të sfidojë Brukselin më 13 dhjetor duke i lënë në tryezë “testin” e inteligjencës artificiale dhe do të ndihmojë dhe Kosovën në këtë drejtim.
Lidhur me veton greke ai beson se ajo do të veprojë si Holanda, e cila si fillim refuzoi miratimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe më pas, pasi mbaruan zgjedhjet atje, miratoi kërkesën e Komisionit Evropian! Vetëm se Greqia ka qëllime gjeopolitike në rajon dhe veçanërisht lidhur me Shqipërinë dhe Rama dhe duartrokitësit e tij duhet të ishin në dijeni.
Ai përmendi dhe nevojën e përmirësit të administratës shtetërore në përgjithësi dhe në veçanti sektorin e hipotekës, i cili, sipas tij do të bëhet si “eAlbania” ndërsa do të pajisë pensionistët me karta bankare për marrjen e pensionit dhe do të heqë postierët, sepse këta të fundit korruptohen.
Nga gjithë këto zotime, dy mund të quhen tërësisht qesharake: Shqipëria eksportuese e energjisë neto dhe harmonizimi i legjislacionit tonë me të BE-së për 1 vit gjysmë; i pari sepse Shqipëria s`ka asnjë mundësi për të qenë eksportuese neto e energjisë, sepse e ardhmja parashikohet e paqendrueshme si për hidrocentralet ashtu dhe për naftën: për të parët sepse rreshjet do të jenë të paqendrueshme dhe të pakta gjatë verës dhe kërkesa do të rritet në nivel vendor dhe kërkesa do të rritet ndërsa për të dytën kërkesa mund bierë për shkak të përplasjeve gjeopolitike mes superfuqive por edhe nëse kërkesa e saj nuk bie, ajo do të vazhdojë të jetë “pronë” e ndërmarrjeve private naftënxjerrëse dhe dinamikës së tregut ndërkombëtar dhe jo e popullit shqiptar.
Lidhur me profkën tjetër, të harmonizimit të ligjeve brenda 1 vit e gjysmë, Rama mund ta bëjë me inteligjencën artificiale por ajo pikë së pari nuk ka përkthim të drejtë (ose të saktë) dhe pikë së dyti ligjet e BE-së nuk na duhen vetëm të përkthyer por ata duhet të shqyrtohen nga parlamenti dhe më pas të zbatohen. Parlamenti dihet se vetëm për të shqyrtuar ligje nuk është (aftësia shqyrtuese e anëtarëve të parlamentit është gati zero) ndërsa për t`i zbatuar nevojitet një qeveri që ka treguar se ajo zbaton ligjet në fuqi dhe si pasojë përparon me zbatimin e të tjerëve.
Përgjithësisht fjala e Ramës dhe kongresi nuk zbuloi ndonjë lajm të rëndësishëm ndërsa kryeministri do të vazhdojë qeverisjen më të njëjtën qasje për të patur rezultate të ndryshme, megjithëse ai i quajti rezultatet e qeverisjes së tij të “shkëlqyera”; madje, sipas tij, ato kanë filluar të “lakmohen” dhe nga BE-ja, sidomos reforma në drejtësi, e cila, po sipas tij, pa partinë “socialiste” nuk do të ishte realizuar kurrë!
Pretendimin e fundit ka kohë që e përsërit kryesisht sepse i thonë amerikanët se ajo ishte “krijesë” e tyre dhe jo e Ramës; dhe amerikanët kanë të drejtë, sepse pa ata Rama kurrë nuk do të bënte një refomë në drejtësi, jo vetëm sepse s`kishte dijen dhe financën (megjithëse këtë të fundit mund ta shtrydhte nga buxheti`shtetit) por kryesisht sepse kishte përballë një opozitë e cila për hir të moshetimit të saj kurrë nuk do të miratonte ndryshimet kushtetuese. Por u nevojit trysnia dhe diplomacia amerikane për ta detyruar opozitën (Berisha-Meta) bashkë me qeverinë “Rama” që të miratonin ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi.
Reforma në drejtësi, në fjalë të tjera, siç kam përmendur dhe në vende të tjerë, është gati tërësisht kontribut amerikan ndërsa Rama thjesht ka miratuar gjithçka i është kërkuar pa shqyrtim dhe kuptim dhe shpesh herë është bërë pengesë e saj, sidomos lidhur me ndërhyrjet e tij në sistemin e drejtësisë me rastin më flagrant atë të ish-kryebashkiakut të Vorës (Kajmakut) dhe ndjekjen penale të studentëve.
Madje ai nuk do të ishte kryeministër pa mbështetjen e amerikanëve në përgjithësi dhe Sorosit në veçanti; ndaj dhe përpjekja e tij për ta paraqitur reformën në drejtësi si një krijesë të tijën dhe partisë që ai drejton, lidhet me qëllimin e tij për t`i treguar botës se ai dhe partia e tij janë më të mirë se pararendësit dhe rivalët, dhe meritojnë të nderohen.
Ai nuk e fitoi, në fjalë të tjera, drejtimin e partisë “socialiste” sepse e meritonte (sipas gjykimit dhe votimit të anëtarësisë së saj, sepse si parti ajo nuk ka themeluar një proces të tillë, por mbizotërohet nga marrëdhëniet pushtetore, ose pragmatizmi, sipas parimit “më jep votën të të japë pushtet, ekonomik apo politik”), por sepse të gjithë e dinë, se ai katapultoi në parti dhe pushtet si ministër kulture falë Fatos Nanos, kur filloi të mësonte të shfrytëzonte si anëtarët e partisë në fjalë ashtu dhe pushtetet e huaj dhe kështu mori drejtimin e një partie të cilën e ka degjeneruar tërësisht (sepse ajo kishte filluar të degjeneronte më parë, që me Ramizin dhe më pas me Nanon) me “epshet” dhe padijen e tij.
Madje edhe tani që po shkruaj, SPAK-u pa mbështetjen amerikane do t`u nënshtrohësh “epsheve” të Ramës, sepse nuk jam bindur plotësisht se drejtori i saj gëzon virtytin e trimërisë. Ndaj, pikërisht sepse pushteti i SPAK-ut nuk është pushtet politik dhe rrezikon nga pushteti politik―nga ai që pritet ta “gjymtojë tërësisht”―, ai ka nevojë për mbështetje politike ose nga një lëvizje re politike ose nga një qeveri teknike. Ndryshe ai rrezikon.
Në fund, vlen të përmendet fakti se në kongres kishte dy rryma, sipas Zhejit: njëri që kërkonte zgjedhje të parakohshme për shkak të frikës nga arrestimi i ministrave të tjerë të qeverisë “Rama”, sepse nuk janë thjesht në shënjestër të SPAK-ut por në dosjet e tij, dhe tjetri që thoshte se SPAK-u do ta dobësonte partinë nëse shkonte në zgjedhje të parakohshme, sepse do të arrestonte prapëseprapë ministrat e saj dhe ndoshta do të fuqizonte opozitën e Berishës dhe Metës.
Ky pretendim, sidoqoftë, duhet marrë me rezerva sepse dihet se Zheji është mbështës i Ramës dhe mund ta ketë thënë me qëllim që të pështjellojë popullin. Por mund të jetë i vërtetë meqënse SPAK-u vërtet po heton ministra të tjerë të Ramës dhe detyrimisht arrestimi i tyre do të ketë efekt në popull. Por siç është e vërtetë për ta ashtu është e vërtetë dhe për opozitën, sepse në rastin e saj, janë krerët e saj, Berisha dhe Meta, nën hetim. Kështuqë si argument nuk është dhe aq i mirëmenduar nga Zheji. Ky i fundit e ka zakon të broçkëllisë nëpër studio televizive falë lidhjeve pushtetore që ka krijuar prej vitesh me klasën politike.
Megjithatë, fakt është se SPAK-u ka në “dorë” gjithë klasën politike dhe mund ta shkatërrojë atë me hetimet e tij. Ndaj nevojitet kujdes i veçantë si nga amerikanët (nëse ata vërtet synojnë asgjësimin e saj) ashtu dhe nga populli ynë (nëse ai ka të njëjtin qëllim) dhe fakti që Rama nuk shpalli zgjedhje të parakohshme, ai me siguri është udhëzuar nga amerikanët që të “durojë” dhe pak derisa të mbarojnë hetimet për Berishën dhe pastaj mund t`i shpallë ato dhe ngaqë hetimet e Berishës duhet të mbarojnë, ashtu mbaron dhe klasa e vjetër politike e krijuar nga Ramizi dhe amerikanët ndër vite dhe ashtu do të shfaqen forcat e reja politike, disa nga gjiri i partisë “demokratike” dhe disa nga gjiri i partisë “socialiste”, megjithëse Berisha ka krijuar më shumë “filiza” (Shthurjen etj.).
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 56 reads