Kushtetuta nuk lejon qeverinë të krijojë marrëveshje me opozitë jashtëparlamentare: Meta pse nuk e mbron?
Ambasadorët e mbështesin këtë marrëveshje ose sepse nuk janë në dijeni për të drejtat e qeverisë ose sepse zbatojnë një parim tjetër: se “ligji është me të fortin” dhe jo me institucionin parlamentar
Ylli Përmeti
11/06/2020 - 09:30
Pas marrëveshjes mes palëve, PS-së, PD-së, LSI-së dhe Opozitës Parlamentare, përbërja e së cilës është me anëtarë të PD-së dhe LSI-së, ose dezertorë të partive përkatëse, Meta, presidenti i republikës, aktori që bën be e rrufe për kushtetutën, tha, mes të tjerash, se ishte një hap pozitiv!
Morëpo, marrëveshja me opozitën joparlamentare për zgjedhjet është jokushtetuese—domethënë, marrëveshje që nuk bazohet në Kushtetutë. “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor (Neni 7)”. Ky nen përcakton qartë se si qeveriset republika jonë. Si e tillë, marrëveshja është e paligjshme dhe nëse hetohet më shumë, mund të jetë dhe e dënueshme: sepse në parim asnjë qeveri nuk mund të krijojë një marrëveshje me grupe politike jashtëparlamentare për të qeverisur vendin, aq më tepër kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Ambasadorët e mbështesin këtë marrëveshje ose sepse nuk janë në dijeni për të drejtat e qeverisë ose sepse zbatojnë një parim tjetër: se “ligji është me të fortin” dhe jo me institucionin parlamentar (“might is right” thonë anglezët).
Në këtë rast, opozita jashtëparlamentare pranohet në ligjbërje sepse ajo është e fortë—në kuptimin se ajo ka mbështetje të konsiderueshme në popull dhe mund të shkaktojë tension dhe kaos. Për të njëjtën arsye, ambasadorët e përfshijnë atë në marrëveshjen përkatëse dhe e bëjnë palë të barabartë me qeverinë: që të shmangin tensionet. Por është e qartë se është një marrëveshje jokushtetuese!
Opozita parlamentare përballë shkëmbit dhe greminës
Pas takimit të parë pas marrëveshjes me opozitën parlamentare Rama ftoi Bashën që të përpiqet t`i mbush mendjen opozitës parlamentare që ta votojë marrëveshjen për zgjedhjet. Besoj se opozita parlamentare do ta votojë, sepse Basha do t`u thojë të tijëve: “në lista unë u kam përfshirë dhe nëse unë ju shpall “dezertorë”, asnjëri nuk ju mbështet”. Njëlloj mund të veprojë dhe Kryemadhi. Nëse opozita parlamentare nuk e voton dhe vazhdon të mbështetet nga Basha dhe Kryemadhi ajo do të tregojë se ashtu është porositur—në këtë rast, Basha dhe Kryemadhi luajnë me dy fytyra: edhe kërkojnë marrëveshje edhe e minojnë atë. “Topi”, siç tha ambasadorja amerikane, është vërtet në duart e Bashës, nëse gjykojmë sipas parimit se “ligji është me të fortin”, por ai është së pari në duart e Kushtetutës. Gjithçka që është bërë deri tani ka qenë antikushtetuese dhe si e tillë, nëse duam të jemi seriozë, s`ka asnjë vlerë ligjore!
Dhe nëse opozita parlamentare pranon ta votojë do të bëhet palë me shkelësit e Kushtetutës dhe do të vëtfutet nën sqetullën e kryetarëve. Kështu ajo humbet besueshmëri dhe lirinë politike. Por —do të gjykojë ajo— më mirë të humbasë besueshmëri dhe lirinë politike se sa pushtetin dhe rrogat! Presim.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 32 reads



