...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qëllimet greke në Sazan dhe pasojat e dhurimit të tij

Si ta kuptojmë studimin e universitetit grek se në Sazan ka pesë miliardë fuçi nafte dhe pretendimin e gazetës greke, se Sazani por dhe nafta që gjendet në të i është dhuruar familjes së Trampit nga Rama?

Ylli Përmeti

06/02/2026 - 10:55

Së pari të përmendim kryefjalën e gazetës greke se “Zona përreth Sazanit quhet gjeologjikisht si vazhdim i depozitave të Adriatikut dhe Jonit dhe shumica e blloqeve në det të hapur mbeten të pashfrytëzuara tanipërtani, sipas të dhënave katalitike që përmbahen në raporte dhe memorandume shumëfaqëshe, së bashku me harta, që janë përpiluar prej vitesh nga Universiteti i Patrës. Profesori i Gjeologjisë Avraam Zelilidis, duke folur për gazetën “demokracia e të dielës”, vërteton qënien e tyre. Sa i përket depozitës në tokë, nafta është “e rëndë”, si ajo e Venezuelës, për rafinimin dhe përpunimin e së cilës rafineritë amerikane kanë zhvilluar teknologji të veçantë, ndërsa ajo në det të hapur është më e lehtë dhe më e pastër.

Së dyti, nga çka thotë gazeta në fjalë, Greqia ka zhvilluar studime lidhur me Sazanin dhe ka qenë në qëllimin e saj për ta bërë atë pjesë të gjeostrategjisë së saj: për ta përvetësuar, ose si pjesë e shkëputjes së tij bashkë me jugun e Shqipërisë ose duke qenë pjesë e shfrytëzimit të naftës së tij, meqënse “zarat” e Tiranës (Berishën dhe Ramën) i ka zvetënuar me milionat e saj dhe i ka në dorë lidhur me qëllimin e tyre për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE-së.

Së treti, nënshkruesi gazetës përkatëse pretendon se Sazani ka qenë i Greqisë përpara se të krijohej shteti shqiptar, dhe si pasojë i përket asaj! Ky është një pretendim qesharak dhe s`ka bazë historike por duhet ta kemi parasysh se grekët kanë pretendime të tilla.

Së katërti, nënshkruesi` saj e paraqet Ramën “të zotë” për t`ia dhuruar familjes së Trampit Sazanin dhe pasuritë e tij mbitokësore dhe nëntokësore, por në të vërtetë vetëm për “zotësi” s`bëhet fjalë, sepse shqiptarët e dinë mjaft mirë se ç`përfaqëson Rama dhe klasa jonë politike në tërësi: reaksionarët zogistë që për pushtet shesin atdheun dhe shkatërrojnë popullin.

Në fund, vlen të përmendet e vërteta e madhe se Rama ia dhuroi Trampit Sazanin tërësisht falas, vetëm sepse përfshihet në “investitorët strategjikë”—thuhet se do të investojë mbi 1.4 miliardë dollarë— dhe si i tillë nuk paguan taksa, sipas ligjit 55/2015, por duhet thënë se Trampi shfrytëzon paratë e arabëve. Domethënë, familja e Trampit nuk do të paguajë taksa gjatë ndërtimit të ndërtesave turistike por gjasat janë se s`do të paguajë as gjatë shfrytëzimit për 99 vjet ose një shekull dhe si sigurisht nuk mund ta shijojë bregdetin e Sazanit populli` varfër shqiptar.

Familja e Trampit, në fjalë të tjera, bëhet pronare e Sazanit për një shekull dhe pa lejen e saj ne nuk mund të shfrytëzojmë naftën që besohet se gjendet rreth tij, sepse do të thojë ajo se i dëmtohet “biznesi”, dhe si pasojë do të kërkojë pjesën e saj në rast shfrytëzimi.

Rama dhe reaksionarët e tjerë, do ta paraqesin dhurimin e Sazanit se është në dobinë tonë, sepse do të thonë ata, mjafton qënia e amerikanëve në Sazan, dhe ne nuk rrezikojmë nga sulmet. Gjepura! – sepse amerikanët po kërcënojnë sigurinë evropiane dhe botërore dhe nuk do t`u “kërcasë” shumë për sigurinë e shqiptarëve apo të familjes së Trampit në Sazan pas tre vjetësh…

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA