Rama përparon privatizimin e plotë të pasurive të mbetura shtetërore: toka bujqësore ‘në shënjestër’
Ndryshimet krijojnë një “qark të mbyllur” mes kryeministrit, ministrit të ekonomisë dhe një komisioni të përbërë nga tre vetë, pa mbikëqyrje ligjore, dhe si pasojë, krijojnë kushtet për zvetënim
Ylli Përmeti
24/07/2026 - 20:48
Ndryshimet e vendimit të Këshillit të Ministrave, 2014, “Për përcaktimin e kritereve, procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të reja të pasurisë shtetërore”, përbëjnë shumë më tepër sesa “disa ndryshime teknike”. Ato krijojnë një kuadër të ri ligjor që e bën më të lehtë dhe më të shpejtë kalimin e pasurive shtetërore drejt përdorimit dhe, në rrethana të caktuara, drejt privatizimit (vetjakizimit). Ato krijojnë një “qark të mbyllur” mes kryeministrit, ministrit të ekonomisë dhe një komisioni të përbërë nga tre vetë, pa mbikëqyrje ligjore, dhe si pasojë, krijojnë kushtet për zvetënim, sidomos nga një kryeministër që e ka vërtetuar zvetënimin dhe qëllimin e tij për shitjen e Shqipërisë.
Ndryshimet kryesore janë këto:
1. Zgjerohet fusha e zbatimit të vendimit. Termi “pronë publike" zëvendësohet me termin shumë më të gjerë “pasuri shtetërore”, duke zgjeruar kategorinë e pasurive që trajtohen nga ky kuadër juridik, ku hamendësisht përfshihet dhe toka bujqësore shtetërore.
2. Hapet rruga për dhënie të drejtpërdrejtë. Krahas procedurës së konkurrimit, vendimi lejon edhe dhënien e drejtpërdrejtë të pasurive shtetërore në rastet e parashikuara prej tij, duke ulur peshën e konkurrimit të hapur (një rrugë tjetër për të pronësuar pasuri shtetërore nga oligarkia jonë dhe oligarkitë e huaja në mungesë të ligjit mbi investimet strategjike).
3. Komitetit të Investimeve Strategjike vazhdon veprimtarinë e tij për pasuritë e paluajtshme shtetërore mund të vihen në dispozicion të projekteve të miratuara si investime strategjike sipas procedurave të reja (pika 2/2.1).
4. Krijohet ‘rruga’ nga qiraja ose enfiteoza drejt privatizimit. Subjekti që merr një pasuri shtetërore me qira ose enfiteozë, kryen investimet e kërkuara dhe respekton kontratën, fiton të drejtën të hyjë në procedurën e privatizimit me të drejtë parablerjeje. Në praktikë krijohet kjo skemë: pasuri shtetërore → qira ose enfiteozë → investim dhe ndjekje e kontratës→ e drejtë parablerjeje → dhe përfundimisht privatizim (fjala kyç këtu është “ndjekja e kontratës”—nëse vlerësohet se është ndjekur nga punonjësit e emëruar të qeverisë, privatizohet. Gjithçka varet nga vlerësimi i punonjësve të qeverisë—çka krijon kushtet për zvetënim dhe shitje të pronave sipas “epsheve” të qeverisë.
5. Lehtësohet kalimi drejt privatizimit pas investimeve. Vendimi përcakton pragje investimi që, pasi përmbushen, i japin subjektit të drejtën të kërkojë hyrjen në procedurën e privatizimit. Në raste të caktuara, kur investimi është shumë i lartë, nuk kërkohet as pritja e afatit trevjeçar.
6. Zgjerohet përdorimi i kontratave me tarifë simbolike 1 euro. Kjo përfshin edhe projekte në zona me përparësi zhvillimin e turizmit dhe, sipas kushteve të përcaktuara në vendim, edhe në zona të mbrojtura mjedisore (pika 3.2).
”Kur pasuritë shtetërore përfshihen në zona me përparësi zhvillimin e turizmit apo në zona të mbrojtura mjedisore, propozimi i kontratës me tarifë simbolike 1 euro/kontrata, pranë Këshillit të Ministrave, bëhet me bashkëpropozim ndërmjet institucionit që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore dhe institucionit që ushtron veprimtarinë shtetërore përgjegjëse për këto zona, në përputhje me legjislacionin në fuqi”
7. Procesi i privatizimit përfshin një gamë shumë të gjerë pasurish shtetërore. Këtij procesi i nënshtrohen të “gjitha pasuritë e paluajtshme shtetërore, pasuritë e luajtshme, objektet e veçanta, mjetet kryesore, mjetet e xhiros së ndërmarrjeve shtetërore, si edhe asetet e shoqërive tregtare të zbritura nga kapitali i tyre, kur plotësojnë kriteret për privatizim”.
8. Vlerësimi i pasurisë shtetërore i besohet një komisioni me tre anëtarë, të emëruar nga ministri i ekonomisë. Ky komision përbëhet nga një përfaqësues i strukturës përgjegjëse për privatizim, një ekspert vlerësues i licencuar dhe një përfaqësues i institucionit që administron pronën. Ministri mund të shtojë ekspertë të tjerë, por kjo mbetet në diskrecionin e tij.
9. Eksperti vlerësues ka rol vendimtar. Ai nuk përcakton vetëm vlerën e pronës, por edhe metodologjinë e vlerësimit. Duke qenë se vlerësimi përbën bazën e të gjithë procesit të privatizimit, ky është një nga çastet më të rëndësishme të procedurës. Vendimet, në fjalë të tjera, varen nga tre vetë dhe sigurisht nga ministri i ekonomisë dhe Rama.
10. Thjeshtësohen procedurat zbatuese. Vendimi zgjeron përdorimin e procedurave elektronike, lejon sigurimin e shkresave nga institucionet shtetërore si ASHK-ja dhe arkivat dhe synon përshpejtimin e procesit.
Një nga fjalët që bie më shumë në sy është “enfiteoza”. Fjala vjen nga greqishtja e lashtë ἐμφύτευσις (emphyteusis), me kuptimin fillestar “mbjellje” ose “ngulitje”. Më pas kaloi në të drejtën romake dhe sot përdoret për të përshkruar një të drejtë afatgjatë mbi një pasuri të paluajtshme. Ajo nuk është qira e zakonshme. Përfituesi fiton të drejtën ta përdorë, ta zhvillojë dhe të investojë mbi pasurinë, ndërsa pronësia formale mbetet te shteti ose pronari fillestar. Për këtë arsye, shumë juristë e quajnë enfiteozën shumë më afër pronësisë sesa qirasë.
Ndryshimet, përmblethtas, krijojnë një kuadër të ri ligjor për përdorimin, vlerësimin dhe privatizimin e pasurive shtetërore, në përputhje me qëllimin e Ramës për të shitur pronat e mbetura të Shqipërisë në emër të “integrimit evropian”—ku, sipas tij, qytetarët e shteteve anëtare kanë të drejtë të blejnë dhe shesin pasuri kudo, duke shtrembëruar, në të vërtetë, një pjesë të ndikimit që ka qëllimi “i shumicës” së shqiptarëve për t`iu bashkuar BE-së—pjesën se anëtarësimi në BE vërtet detyron shtetet-anëtare të çlirojnë tregun e pasurive të paluajtshme por paralelisht nuk i ndalon ata që në bisedime të bëjnë përjashtime.
Ato vijnë pasi Rama kishte njoftuar se të huajt mund të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri 7 vite pasi të anëtarësohemi dhe kishte urdhëruar ministrinë e bujqësisë dhe zhvillimit rural për të hartuar një projektligj dhe për ta këshilluar atë me qytetarët. Sipas atij projektligji, të huajt do të lejohen të blejnë 2 ha brenda një bashkie ose 30 në shkallë vendi.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 16 reads



