Raporti “Vorbulla e Rrenave” i BIRN-it një tjetër shtrembërim i realitetit gjeopolitik në rajon
Raporti i BIRN-it nuk i shërben shkencës dhe sigurisë sonë rajonale por është një tjetër përsëritje e gjysmë të vërtetave të medias dhe popujve tanë
Ylli Përmeti
28/11/2023 - 13:31
Raporti me titull “Vorbulla e Rrenave” ka disa të meta, të karakterit gjuhësor dhe shkencor: së pari, ai përdor një përshkrim të ‘realitetit’ mediatik në Kosovë me një gjuhë dialektikore që përdoret kryesisht në Kosovë dhe me gabime serioze lidhur me drejtshkrimin. Raporti ka katër autorë dhe një redaktore dhe përfaqëson “Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) i financuar nga Bashkimi Evropian.
Dy janë fjalët kryesore që keqpërdor raporti: “dezinformim” dhe “narrativë”. Ato mbizotërojnë raportin sepse ai atë qëllim ka: të tregojë keqdijësimin e popullit në Kosovë dhe për qëllimin në fjalë ai shfrytëzon “rrëfenjat” e pushteteve politike në Kremlin, Pekin dhe Beograd.
Fjala “dezinformim”, për shembull, është përdorur 188 herë ndërsa fjala “narrativë” 137 herë. Por si fjalë mund të zëvendësohet me fjalën shqipe “keqraportim” ose “keqdijësim”, sepse kur ne keqraportojmë, keqdijësojmë popullin. Nuk është e rastit që fjala “dezinformim” nuk përfshihet në fjalorin tonë të vitit 1980 pavarësisht se atje janë përfshirë disa fjalë me parashtesën “dez”.
Raportet e mediave të kontrolluara nga pushtetet politike zakonisht raportojnë një pjesë të një ngjarjeje ndërsa lënë pjesën tjetër pa e raportuar. Në këto raporte ―të pjesshme― bëjnë pjesë raportet ku mund të implikohet qeveria. Por ka dhe raporte të karakterit propagandues―domethënë, të përmbysjes së një realiteti. Në këta raporte përfshihen raportet me karakter gjeopolitik, sepse palëve të përfshira në një ngjarje kriminale u shkon më mirë për shtat t`ia hedhin fajin palës tjetër. Këtë prirje e shohim dhe mes partive politike në nivel kombëtar.
Këta raporte, në fjalë të tjera, e përmbysin realitetin e një ngjarjeje me karakter gjeopolitik. Këto janë arsyet pse themi se x raport thotë gjysmë të vërteta (kur tregon një pjesë të ngjarjes dhe jo gjithë ngjarjen) ose të vërteta të përmbysura (kur tregon të vërtetë të përmbysur, domethënë, kur e fillon ngjarjen jo nga shkaktari i saj por nga pasonjësi). Por ka dhe raporte të shpikura nga mendja e njeriut (këta klasifikohen në propagandën e zezë).
Raporti keqpërdor dhe drejtshkrimin (ose sintaksën) e gjuhës shqipe: për shembull, në vend të fjalës “gjetjet” thotë “të gjeturat”…e këtij raporti. Në fund, ai keqpërdor dhe lidhëzat e shqipes. Për shembull, ai përdor në fillim të një fjalie lidhëzën “përderisa” në vend të përdorë lidhëzën “ndërsa”, sepse ka një ndryshim mes këtyre lidhëzave, për të cilin gazetarët dhe për më tepër raportuesit e raporteve me karakter studimor, duhet të jenë në dijeni.
Parë nga qëllimi i raportit ―të tregojë keqdijësimin e popullit dhe mediat që e keqdijësojnë atë―ai nuk e ndriçon atë, sepse qendrimet dhe ngjarjet që ai përmend i sheh të shkëputura nga realiteti gjeopolitik i superfuqive dhe nga realiteti politik e pushteteve në Beograd dhe Prishtinë. Si i tillë, ai nuk e ndihmon qeverinë e Kosovës dhe “hallkat” e tjera qeverisëse dhe mbi të gjitha sigurinë tonë kombëtare me “rekomandimet” e tij, sepse qeveria “Kurti” është bërë mjeshtre e gjysmë të vërtetave (kur tregon vetëm Beogradin si shkaktar të krizës në veriun e Kosovës); as ndihmon ai në ndriçimin e karakterit të luftës gjeopolitike që zhvillohet mes palëve (superfuqive): sepse ajo shprehet nga të gjitha palët me gjysmë të vërteta dhe shpesh të vërteta të përmbysura dhe tek-tuk me sajesa mendore (propagandë e zezë).
Për shembull, kur ministria e jashtme ruse mban qendrime në mbështetje të serbëve në veri të Kosovës, duke treguar gjysmë të vërteta, disa prej të cilave i kemi përfshirë ne si qendër studimore dhe i kemi kritikuar, apo të vërteta të përmbysura, nuk bëhen sepse Moska kërkon një luftë tjetër në Ballkan, siç pretendon raporti, por pjesërisht për të kundërshtuar propagandën e SHBA-së në Ukrainë, në ish-republikat sovjete dhe në OKB, dhe pjesërisht sepse ajo mbështet aleaten e saj, Serbinë, pa hetim, duke përdorur thjesht raportet serbe. Televizioni shtetëror rus, RT, për shembull, fton gazetarët serbë të përshkruajnë një ngjarje ndëretnike por nuk fton edhe gazetarët shqiptarë!
Apo qendrimet ruse lidhur me NATO-n, sepse dihet se Moska e sheh NATO-n si kërcënuese të sigurisë së saj kombëtare (lexo doktrinën e saj ushtarake). Ndaj për sa kohë ajo e sheh kështu atë për aq kohë ajo do ta paraqesë si një organizatë kërcënuese, për veten, Serbinë dhe gjithë popujt e tjerë të bllokut sovjet ku ajo ka popuj rusë. Në çështjen e NATO-s Moska përdor kryesisht ‘premtimin’ e Bushit të parë kundrejt Gorbaçovit: se ajo nuk do të zgjeroshëh në lindje. Ndaj përsa kohë që ky premtim nuk u mbajt, sipas saj, dhe NATO u zgjerua drejt kufijëve të Rusisë, lind automatikisht e drejta e saj të mbrohet dhe të tregojë dhe faktet historike.
Apo, në fund, qendrimet ruse lidhur me Bashkimin Evropian; ato, ndryshe nga koha e para-luftës në Ukrainë janë përqendruar në efektin që ka patur lufta në ekonominë e BE-së dhe e shfrytëzon atë në dobi të saj (duke treguar brishtësinë e të parës dhe fuqinë e të dytës) dhe duke iu përgjigjur asaj “dhëmbpërdhëmb” meqënse ajo mbështet Ukrainën, për luftën ndaj të cilës, palët gjenden në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe fjalën e fundit e thotë ajo jo ne.
Rusia është anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe superfuqi ushtarake dhe nuk mund të krahasohet me Serbinë apo të tregohet ajo si shkaktare e tensioneve në veri të Kosovës, kur faktet tregojnë ndryshe: se të paktën që kur u ngjit në pushtetin e shtetit të Kosovës, Kurti, tensionet janë shkaktuar kyesisht nga ai ―përjashto rastin e Banjskës me aksionin paraushtarak serb― dhe jo nga Beogradi apo Moska. Këta thjesht kanë shfrytëzuar gabimet e Kurtit (dhe jo vetëm, por dhe të amerikanëve dhe evropianëve dhe Ramës, sidomos lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve jodemokratike) dhe i kanë përdorur në të drejtën e tyre.
Për gabimet “strategjike” amerikane në Ballkan kam vite që shkruaj dhe kam vënë alarmin dhe u vërtetova këto ditë dhe nga Këshilli Evropian, sipas të cilit ndërkombëtarët vendosën përparësi “qendrueshmërinë e menjëhershme kundrejt përballjes me të shkuarën” tonë historike, sidomos lidhur me Serbinë, përparësi e cila ka çuar, sipas të njëjtit raport, në një dinamikë të re shoqërore në rajonin tonë ku ento-nacionalistët serbë mohojnë krimet e luftës në Bosnje dhe Kosovë dhe glorifikojnë kriminelët.
Pse mos të veprojnë kështu fundja kur “strategjia” amerikane, në të cilën ka ndikuar shumë Sorosi, shpërnjohu ndjesën kolektive të krimeve të Serbisë së viteve `90 dhe më pas ndaj fqinjëve të saj? Ky është një parakusht jo vetëm sepse e humbi luftën e saj të padrejtë por dhe pedagogjik: sepse një popull (apo njeri) që nuk pendohet për krimet e tij ai do t`i përsërisë ata. Kaq e thjeshtë është! Por amerikanët dhe evropianët këtë mësim historik dhe pedagogjik nuk e kanë mësuar dhe tashmë kemi mbrritur në një fazë tejet të rrezikshme ku SHBA-ja po humbet mbështetje rreth botës ndërsa Rusia dhe Kina e zgjerojnë atë…
Raporti i BIRN-it, përmblethtas, nuk i shërben shkencës dhe sigurisë sonë rajonale por është një tjetër përsëritje e gjysmë të vërtetave të medias dhe popujve tanë dhe për më tepër nuk e sheh mundësinë e një lufte në Kosovë nga këndvështrimi “shkak-pasojë” dhe nga epërsitë dhe çepërsitë ekonomike dhe ushtarake mes Shqipërisë (ku përfshij dhe Kosovën) dhe Serbisë; as i shëben ai Bashkimit Evropian, për sa kohë që shumë nga çka thuhet në raport, qarkullon në shtypin ndërkombëtar; ndaj dhe këto vërejtje do t`ia dërgoj dhe Bashkimit Evropian.
Raporti:
chrome-extension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://kallxo.com/wp-content/uploads/2023/11/VORBULLA-E-RRENAVE-FINALE.pdf
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 34 reads