SPAK-u rrezikon veten dhe Shqipërinë me mospërfshirjen e Veliajt dhe Ramës në hetime
SPAK-u rrezikon jo vetëm të humbasë besueshmërinë e tij, por krijon një fakt apo provë publike lehtësisht të dukshme dhe të kuptueshme nga qytetarët
Ylli Përmeti
17/12/2023 - 10:09
Javën e kaluar dëshmuam dy ngjarje lidhur me SPAK-un: njëra kishte të bënte me thirrjen e gazetarit Elton Qyno nga SPAK-u për publikimin e një pjese të një bisede të bashkëpunëtorit të Nuredin Dumanit nën hetim paraprak dhe që përbënin sekret hetimor, sipas organit hetues, ndërsa ngjarja e dytë lidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për korrupsion për djegësin e Tiranës.
Për çështjen e parë pati reagime politike, sidomos nga kampi “Berisha-Meta”, se SPAK-u s`ka të drejtë të mbajë gazetarin aq gjatë (rreth 10 orë) dhe të sekuestrojë mjetet e tij të punës! Por e vërteta qendron ndryshe: SPAK-u ka të drejtë të sekuestrojë mjetet e punës së një gazetari sipas Kodit të Procedurës Penale, Neni 211, pika 1:
Për çështjen e dytë, ndaj të cilës pati reagim më të fortë, si nga Berisha ashtu dhe nga “analistët” pranë tij, dhe me siguri do të ketë në vazhdim, SPAK-u u akuzua për “dy standarte”, sepse në rastin e Berishës ai përdori standartin e ndalimit të dhëndërit të tij por dhe të Berishës (ende në proces për t`u ndaluar), për rastin e privatizimit të klubit ”Partizani”―privatizim që ishte pjesë e politikës së partisë “demokratike” por me theks të veçantë në rastin në fjalë, meqënse mobilizoi qeverinë e tij për të përparuar me privatizimin e tij― ishte marrë vendim ‘kolegjial’ nga Këshilli i Ministrave dhe privatizimi i tij ishte nënshkruar nga Rama ndërsa në rastin e Djegësit të Tiranës u ndaluan punonjësit e bashkisë por jo Veliaj dhe Rama, kur dihet botërisht se janë ‘arkitektë’ dhe firmëtarë të impiantit në fjalë dhe janë paralajmëruar si nga ministri i drejtësisë (Manja) dhe i financave (Ahmetaj) ashtu dhe të tjerë (Felaj etj.). Ata shtojnë dhe punën kriminale të administratës publike e cila i bindet “epsheve” të një kryeministri kur ajo nuk është e përkohshme atje por e përhershme dhe ka përgjegjësi penale pavarësisht se kush nënshkruan një vendim politik.
Ky argument është i drejtë pavarësisht se SPAK-u ka thënë se “hetimet vazhdojnë”, duke nënkuptuar se ata mund të përfshijnë në proces dhe Veliajn dhe Ramën. SPAK-u, në fjalë të tjera, rrezikon jo vetëm të humbasë besueshmërinë e tij, por krijon një fakt apo provë publike lehtësisht të dukshme dhe të kuptueshme nga qytetarët për Berishën duke e paraqitur atë si të korruptuar dhe vegël të Ramës.
Prirem të besoj se SPAK-u është nxituar në rastin e arrestimeve për Djegësin e Tiranës dhe nuk besoj se ai mban anën e Ramës, sepse aktualisht ai mbikëqyret nga amerikanët. Por edhe ata njerëz janë dhe mund të gabojnë. Nëse është kështu, që gjithë gjasat janë të jetë kështu, ai duhet të veprojë menjëherë për të ndrequr gabimin e tij dhe të fillojë hetimet ndaj Veliajt dhe Ramës, jo vetëm sepse ka gabuar dhe implikimi i Veliajt dhe Ramës është i qartë si “fshati që duket dhe nuk do kallauz”, por dhe sepse rrezikon të shkaktojë një dëm të madh ndaj institucionit që përfaqëson ose ndaj vetes, sepse asnjë njeri nuk mund të besojë një institucion drejtësie që përdor “standart” të dyfishtë ndaj njerëzve më të korruptuar të qeverive tona.
Qëllimi amerikan ―për të hetuar kryesisht krerët e klasës politike dhe për të ruajtur qendrueshmëri shoqërore― nuk pengohet me përfshirjen në hetime të Veliajt dhe veçanërisht të Ramës; përkundrazi, hetimi i tyre do të na çonte në fazën e dëshirueshme: të krijimit të një qeverie teknike (jo zgjedhje të parakohëshme) për të mbështetur drejtësinë dhe për të zhvilluar zgjedhje parlamentare vitin tjetër.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 88 reads