Të hënën fillon faza e gjobave për targat: ç`do të bëjë Beogradi?
Beogradi thotë se qeveria “Kurti” ka shkelur marrëveshjen e vitit 2016 për targat ndërsa qeveria e Prishtinës pretendon se asaj i ka mbaruar afati dhe për pasojë ajo mund të vendosë sipas “kokës” së saj ndërkohë që mbështetësit e qeverisë “Kurti” thonë se Rama dhe gazetarët e Shqipërisë po e shtrëngojnë atë padrejtësisht: por cila palë ka të drejtë?
Ylli Përmeti
07/11/2022 - 08:15
Kurti me shtrembërimin e marrëveshjes për targat nuk do të shtyjë vetëm afatin kohor sipas marrëveshjes por rrezikon të miratojë dhe bashkësinë e komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës. Përpjekja e tij për ta shndërruar marrëveshjen në fjalë në subjekt të politikës së ndërsjellë të tij duke përdorur një përcaktim që lidhet me targat e “KS-së” dhe jo me targat aktuale, rrezikon t`i kthehet bumerang!
Pika katër e “Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, 14 shtator, 2016”, zbatimin e të cilës kërkon BE-ja dhe Uashingtoni, thotë: “Regjistrimi i të gjitha automjeteve me tabelat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës (KS/RKS) do të fillojë më 15 janar 2017 dhe do të zgjasë për 12 muaj, në fund të së cilës periudhë do të ketë vlerësim nga të dy palët me ndërmjetësimin e BE-së”.
Fillimi i këtij procesi është shtyrë nga qeveritë e Kosovës por qeveria “Kurti”, e cila erdhi në pushtet duke premtuar përdorimin e politikës së ndërsjelltësisë me Serbinë, filloi procesin e ndryshimit të targave. Sipas saj “nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë”.
Qeveria “Kurti” ka parashikuar, në fjalë të tjera, një proces prej gjashtë muajsh dhe jo një proces prej 12 muajsh siç parashikon marrëveshja. Këtë parashikim Serbia e shikon si “shkelje” të marrëveshjes dhe ka reaguar me braktisjen e institucioneve të Kosovës nga pakica serbe.
Por Kurti pretendon se marrëveshjes i ka mbaruar afati në 15 shator 2021 dhe për pasojë ai mund të vendosë sipas pikës 5 të marrëveshjes e cila parashikon “zgjatjen e vlerës së tabelave KS për pesë vite” (lexo për më shumë marrëveshjen në fund në variantin pdf)
Por si duket ai e ka keqkuptuar atë: sepse “zgjatja e vlerës së tabelave KS për pesë vite” nënkupton ndryshimin e tyre pastaj zgjatjen e vlerës së tyre! Domethënë, pasi të mbarojë procesi i ndryshimit të targave, Kosova zgjat vlerën e tyre me pesë vite dhe shqyrtohet çështja nga të dyja palët (me ndihmën e BE-së nëse kërkohet).
Se cila palë ka të drejtë nga kjo mosmarrëveshje, rrjedhimisht, është e qartë: pala serbe. Ajo ka të drejtë nëse i shtojmë dhe faktin se ajo “hedh vickla” për çështje të vogla dhe jo më për çështje që parashikohen në një marrëveshje. Duke ditur këtë fakt, ku e çon “mushka” Kurtin?!
Një shtrembërim tjetër dhe një e vërtetë u zbulua gjatë ditës së hënë të shtatë nëntorit, 2022, nga goja e Kurtit: se “Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja palëve duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën në veriun e Kosovës”, pretendim të cilin e lidhi me Kremlinin dhe despotin Putin, dhe të vërtetën se ai por dhe Rama, e kanë pranuar propozimin franko-gjerman!
Pretendimi i parë është shtrembërim jo vetëm sepse Serbia e ka bërë të qartë disa herë se reagimi i saj lidhet me qendrimin e qeverisë “Kurti” lidhur me targat por dhe sepse do të ishte marrëzi të hamendesojmë siç hamendëson (sepse nuk ka paraqitur ndonjë fakt) Kurti se ajo synon të maskojë apo kamuflojë refuzimin e propozimit frank-gjerman me shkaktimin e trazirave ndërsa e vërteta e dytë është një “gafë” historike për mos të thënë një krim kombëtar, sepse si Prishtina ashtu dhe Tirana s`ka kundruar fare për efektin që shqyrtova menjëherë pas njoftimit të popozimit në fjalë: se “Kosova do të pranonte të drejtën serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe do të shfuqizonte një pjesë të shpalljes së pavarësisë dhe si pasojë do të vazhdojë të quhet nga Serbia pjesë e saj!”
Megjithatë, propozimi franko-gjerman ndryshoi karakter pas pak ditësh; ai mori një karakter më të drejtë. Por ne vazhdojmë të jemi në terr përsa kohë që përmbajtjen e tij nuk e kanë njoftuar qeveritë.
Euraktiv zbulon përmbajtjen e propozimit franko-gjerman
Si pasojë e shtrembërimit të realitetit nga Kurti, DASH-i amerikan kërkoi edhe një herë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve përfshirë dhe themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Qendrimi i Kurtit lidhur me ndryshimin e targave, në fjalë të tjera, shtoi trysninë ndaj tij nga BE-ja, Uashingtoni dhe partitë opozitare me AAK-në të jetë më e qartë në qendrimin e saj. Kjo trysni do ta detyrojë atë të përparojë dhe bashkësinë serbe për të cilën ai ka përdorur një pjesë të vendimit të gjykatës kushtetuese: sepse vërtet ajo thotë se parimet e bashkësisë serbe nuk janë harmonizuar plotësisht me kushtetutën e Kosovës por ajo thotë, gjithashtu, se qeveritë mund ta harmonizojnë atë me një “akt ligjor të qeverisë së Kosovës”.
***
Të hënën fillon faza e gjobitjes së serbëve që nuk i kanë ndryshuar targat e makinave sipas vendimit të qeverisë “Kurti” ndërsa përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës kanë paralajmëruar rezistencë në rast se zbatohet urdhëri. Për të shmangur tensionet Bashkimi Evropian ftoi Kurtin dhe Vuçiçin në Bruksel pasi ata e vlerësojnë gjendjen atje si “më të rrezikshmen që nga viti 2013” ndërsa këshilltari i departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet, shpreson për një marrëveshje në ditët në vijim dhe kërkon shmangien e përshkallëzimit të gjendjes.
Serbët nuk pajtohen me vendimin e qeverisë “Kurti” sepse sipas tyre ajo shkel marrëveshjen e vitit 2016 ndërsa Kurti pretendon se marrëveshjes i ka mbaruar afati dhe në vend t`i përmbahet zbatueshmërisë së saj për 12 muaj e ka shkurtuar atë në 6 muaj. Gjithë tensioni, në fjalë të tjera, lidhet me vendimin e qeverisë “Kurti” për të detyruar serbët të ndryshojnë targat jo për 12 muaj siç ishin pajtuar por për 6 muaj.
Përditësuar
Marrëveshja:
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 211 reads



