...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vendimi i Ruçit për shtyrjen e shkarkimit të Metës: ‘taktikë’ apo padije?

Nëse nuk është për arsye ‘taktike’ (të zbusë shpirtrat e rebeluar deri sa të krijohet Spak-u apo për të kërkuar mbështetje politike nga një institucion me karakter ndërkombëtar) shtyrja e shkarkimit të Metës nga qeveria atëherë është mjerim intelektual

Ylli Përmeti

25/07/2019 - 14:42

Nëse nuk është për arsye ‘taktike’ (të zbusë shpirtrat e rebeluar deri sa të krijohet Spak-u apo për të kërkuar mbështetje politike nga një institucion me karakter ndërkombëtar) shtyrja e shkarkimit të Metës nga qeveria atëherë është mjerim intelektual: pyetjet që ngre Ruçi dhe ia drejton Komisionit të Venecias lidhur me veprimet e Metës tregojnë mjerim intelektual sepse ai, si duket s’e ka kuptuar drejtë dallimin mes “demokracisë” parlamentare (natyrës së saj) dhe rolit të presidentit në një “demokraci” të tillë: sepse Shqipëria është republikë parlamentare (Neni 1, pika, 1) dhe jo presidenciale—fakt që tregon qartë se ligjet i krijon parlamenti dhe jo presidenca!

Veprimi i Metës, rrjedhimisht, për të zhdekretuar zgjedhjet, lidhet me ‘krijimin’ e një ligji të ri për sa kohë që Kushtetuta nuk e citon gjëkundi! Kjo është arsyeja pse e kam quajtur vendimin e Metës ‘minim’ të republikës parlamentare: sepse presidenti ‘krijon’ një ligj të ri që nëse pranohet - nuk krijon vetëm një ‘precedent’ për shtyrje të zgjedhjeve siç argumentojnë shumë —fakt që e bën të udhës shtyrjen e zgjedhjeve se herë t`u teket partive—por krijon kushtet juridike për krijimin e ndonjë ligji tjetër nga presidenti: ‘juridike’ në kuptimin se ‘precedenti’ i Metës mund të përdoret sërish për ndonjë “hall” tjetër të opozitës aktuale dhe çdo opozite—sepse do të jetë i nderë për t`u interpretuar nga demagogët partiakë kur t`ua kërkojë “halli”.

Kjo është njëra anë e problematikës, të cilën duhet ta kishte kuptuar Ruçi; tjetra, është fakti se Ruçi në pyetjet e tij nuk ngre ‘bashkëpunimin’ e Metës me opozitën, si në paraskenë ashtu dhe në prapaskenë! Fakti që nuk e ngre tregon se ‘akuza’ e qeverisë nuk do të shtrihet në gjithë veprimtarinë e presidentit por vetëm lidhur me vendimin e tij për zgjedhjet!

Dhe në fund, dihet se Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjeve por zbatueshmëria e tyre—fakt që nënkupton se nëse presidenti nuk këmbngul në zbatueshmerinë e ligjit kryesor të “demokracisë” paralmentare, të zgjedhjeve, tregon hipokrizinë e tij lidhur me problematikën e zbatueshmërisë së ligjeve. Këtë problematikë nuk e shtron as qeveria kur paralelisht shtron problematikën e moszbatueshmërisë së ligjeve! As edhe opinionistët dhe demagogët e partive! Fakti që ngrejnë njërën anë dhe lënë anën tjetër të problematikës pa përmendur, tregon shumë: shkurt, ose s`kanë dije për efektin e moszbatueshmërisë së ligjeve nga qeveria ose…

Sidoqoftë, fakt është se ne vuajmë nga moszbatueshmëria e ligjeve pjesërisht sepse ligjet shkelen së pari nga qeveritë dhe pastaj nga gjithë të tjerët dhe pjesërisht sepse qeveritë nuk dinë t`i shkruajnë ata as në mendjet, zemrat dhe shpirtar e tyre e jo më në mendjet, zemrat dhe shpirtrat e popullit. Kjo është një çështje pedagogjike që elitat pa mendim pedagogjik nuk mund ta kuptojnë. Dhe siç nuk e kuptojnë ato nuk e kuptojnë as pedagogët dhe mësuesit e establishmentit.

Për pasojë, fakti që qeveria dhe presidenti shkel ligjet e shkruajtur në Kushtetutë ndërsa paralelisht pranon se ligjet nuk zbatohen, tregon pikërisht hipokrizi. Për të gjitha këto arsye, Ruçi dhe partia që ai përfaqëson, duhet ta përdorë më shumë mendjen përpara se të përdorë pushtetin ose autoritetin e një insitutcioni ndërkombëtar: sepse qoftë edhe ky veprim ka një efeket negativ: nënvlerëson autoritetin juridik të vendit dhe mbivlerëson autoritetin juridik të një institucioni ndërkombëtar…                     

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA