Vuçiç, lexo ndryshimet mes Ukrainës dhe Kosovës!
Jam i sigurt, siç është i sigurt dhe Vuçiçi, se këto ndryshime nuk do t`ia kumtojë Rama dhe përfaqësuesi ynë në OKB
Ylli Përmeti
22/09/2022 - 09:47
Vuçiçi kërkoi nga anëtarët e OKB-së një përgjigje për Kosovën dhe Ukrainën duke thënë se “ne kërkojmë një përgjigje të qartë në pyetjen që unë ua bëj prej vitesh bashkëbiseduesve të mi, udhëheqësve të shumë vendeve: cili është ndryshimi mes sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës dhe sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë që është shkelur rëndë dhe që shumë prej jush i jepni njohje dhe legjitimitet ndërkombëtar? Unë kurrë nuk kam marrë një përgjigje racionale nga askush”, tha ai mes të tjerash, duke e cilësuar agresion ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për t’i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.
Së pari, duhet cituar fakti se rastin e Kosovës po e përdor dhe Rusia por nga një qasje tjetër: për të ligjësuar veprimet e saj në Ukrainë. Ky qëllim bie ndesh me qasjen e Beogradit dhe mund t`i kushtojë rëndë Serbisë në marrëdhëniet e saj me Rusinë, sepse kjo e fundit shfrytëzon të drejtën ndërkombëtare ―të drejtën e popujve për vetë-vendosje― dhe faktet historike lidhur me Kievin e vitit 2014 kur atje u zhvillua një grusht shteti ushtarak me ndihmën perëndimore, i cili shkaktoi reagimin e rusëve duke mos njohur pushtetin e ri të Kievit, qendrimi i të cilëve, me radhë, shkaktoi luftën tetë vjeçare kundër pakicave ruse në Ukrainë në përgjithësi dhe në rajonin e Donbasit në veçanti, e cila përfundoi me thirrjen e popullit rus në rajonin në fjalë, për ndihmë nga Moska.
Këto janë fakte historike që asnjëri nuk mund t`i përgënjeshtrojë (përveç demagogëve, të cilët e fillojnë tregimin e historisë nga veprimet e Moskës dhe jo nga veprimet e perëndimorëve në Kiev dhe qeverive të tij për të treguar vetëm një agresor) të cilët po i shfrytëzon Putini për të ligjësuar ose përputhur veprimet e tij me të drejtën ndërkombëtare. Ai po shfrytëzon, gjithashtu, rastin e Kosovës si shembull për të treguar karakterin e luftës së tij dhe për të bindur perëndimin se ndihma e tij në Ukrainë është e padrejtë, në dijeni të plotë se perëndimi ishte vendimtar në përkeqësimin e marrëdhënieve mes popullit “ukrainas” dhe popullit rus në Ukrainë.
Së dyti, Ukraina (dhe Bjellorusia) është krijuar nga Stalini si shtet i pavarur pas luftës së dytë botërore. Si fillim ai donte nga OKB-ja që Bashkimit Sovjetik t`i njiheshin 16 republika të pavarura. Por ngaqë kërkesa e tij u refuzua nga Britania dhe SHBA-ja, sepse ato nuk ishin të pavarura, ai u tërhoq në takimin e Jaltës mes tij, Rusveltit dhe Çurçullit, duke kërkuar vetëm dy vende të listoheshin në OKB si të pavarur: Ukraina dhe Bjellorusia por jo duke përdorur faktin se ato ishin të pavarur por sepse, sipas tij, ata kishin përjetuar agoninë, shkatërrimin dhe sakrificat më të mëdha të luftës së dytë botërore. Madje ai kërcënoi se nëse nuk pranohësh kërkesa e tij ai do të largohësh nga konferenca e OKB-së.
Rusvelti e pranoi kërkesën e tij por me një kusht, se ishte asambleja e San Françiskos dhe jo pjesëtarët e Jaltës që miratuan njohjen e “shteteve” në fjalë si të pavarur. Por pala ruse duhet të bindte dhe anëtarët e tjerë të OKB-së. Kështu ndërsa ajo përpiqësh t`i bindte ata ajo u përball me një kërkesë të ngjashme nga 20 shtete latine se Argjentina duhet të ishte anëtare e OKB-së. Stalini e shpëlqente kërkesën për shkak të prirjeve naziste atje. Por latinët nuk tërhiqeshin. Kështu ndërhyri pala amerikane, sepse kishte frikë se sovjetët do të largoheshin nga asambleja, dhe mbështeti Bashkimin Sovjetik por paralelisht bashkëpunoi me koalicionin e latinëve për hyrjen e Argjentinës me qëllim që të siguronte mbështetje për Ukrainën dhe Bjellorusinë. Kështu u realizuan kërkesat e të gjitha palëve. Por si Ukraina ashtu dhe Bjellorusia vazhduan të ishin nën diktatin e Moskës.
Ukraina, në fjalë të tjera, u krijua si shtet “i pavarur” nga Stalini për arsyet që përmenda dhe nuk ishte rezultat i ndonjë lufte mes një agresori dhe viktime, si në rastin e Serbisë dhe Kosovës. Por ndryshimi më i madh është se shumica e popullit të Kosovës është shqiptare ndërsa shumica e popullit të Ukrainës është ruse pavarësisht se Kievi mundohet të krijojë një popull ndryshe nga populli rus duke e quajtur atë “ukrainas”. Ndryshimi tjetër është se krahina e Kosovës ishte dhuratë për Serbinë nga fuqitë e mëdha të viteve 1912 dhe kryesisht nga Rusia e kohës. Kjo është arsyeja kryesore se pse ajo nuk u njoh si republikë përbërse e Jugosllavisë.
Kështuqë bëhet fjalë për disa padrejtësi njëherësh: një herë kur ajo iu dhurua Serbisë për të kënaqur epshet e saj në rajon; një herë kur ajo u shfrytëzua për rreth 70 vjet nga Beogradi; një herë kur ky fundit kufizoi liritë themelore që kishte fituar gjatë Jugosllavisë, kryesisht autonominë; dhe një herë tjetër, kur ajo vazhdon edhe sot të bëhet pengesë e paqes dhe qendrueshmërisë. Nga këto padrejtësi kuptohen dhe ndryshimet. Por jam i sigurt, siç është i sigurt dhe Vuçiçi, se këto ndryshime nuk do t`ia kumtojë Rama dhe përfaqësuesi ynë në OKB, sepse nuk i dinë por edhe nëse i dinë ata janë të varur në politikën e jashtme. Këtë fakt e ka pohuar botërisht dhjetra herë Rama: se vendi ynë me qeverinë e tij përputhet me politikën e jashtme euro-atlantike. Ai nuk do t`i dëgjojë as nga anëtarët e tjerë. Madje, as nga amerikanët. Kështu ai do të vazhdojë me padrejtësitë tij ndaj Kosovës...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 71 reads



