Zgjidhja e krizës mes Beogradit dhe Prishtinës dhe përgjegjësia historike e amerikanëve
Qeveria “Kurti” duhet të tërhiqet nga zhvillimi i zgjedhjeve të reja për serbët e Kosovës meqënse për largimin e tyre nga institucionet ishte ai shkaktar dhe meqënse çështja e targave u zgjidh
Ylli Përmeti
16/12/2022 - 07:40
Ditën e dytë të krizës së Beogradit me bllokimin e rrugëve ministrja e jashtme gjermane përdori një përqindje të vogël të të drejtës ndërkombëtare lidhur me pretendimin e Beogradit për të dërguar ushtrinë e tij në veri të Kosovës, sipas vendimit 1244, duke e quajtur atë si të “papranueshëm”.
Qendrimi i saj është deri diku i drejtë sepse nuk përmend vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare i cili shfuqizon vendimin 1244. Ai është, gjithashtu, deri diku arrogant, sepse nuk arsyeton por thjesht quhet i “papranueshëm”. Ndryshe nga ministrja e jashtme gjermane, Uashingtoni nuk e ka kundërshtuar Beogradin kur ai përdor vendimin 1244 por po përdor vetëm “imagjinatën” dhe dialogun!
Uashingtoni, në fakt, mund të përdorte edhe “imagjinatën” edhe nevojën e dialogut por duhet pikë së pari t`i tregonte Serbisë se vendimi 1244 ka vdekur dhe në fuqi është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare.
Përpjekja e emisarit amerikan dhe ‘homologut’ të tij evropian për të qetësuar dhe zgjidhur krizën e re, tregoi dhe një të vërtetë tjetër: mosbashkëpunimin e qeverisë “Kurti” me ta. Sipas Voa-s, Eskobari i tha Prishtinës se “nëse qeveria e Kosovës nuk bashkëpunon, “Shtetet e Bashkuara do të gjenin partnerë alternativë, “me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”.
Ndaj këtij kërcënimi, sepse për kërcënim bëhet fjalë, shqiptarët e Kosovës thonë se amerikanët “po ushtrojnë më shumë trysni ndaj tyre se sa ndaj Serbisë”.
Megjithatë, një analist amerikan i pyetur nga Voa pohon faktin e mirëditur tashmë se “amerikanët po u kërkojnë kosovarëve të bëjnë lëshime” ndërsa thotë se nuk është i sigurt se çfarë mund të bëjë Uashingtoni për të ushtruar trysni ndaj Serbisë (...). Ai pohon, gjithashtu, faktin se “perëndimi nuk ka arritur rezultate” me përpjekjet e tij ndërsa përmend faktin se “lufta në Ukrainë po krijon ndarje të re në Evropë” mes mbështetësve të perëndimit dhe Rusisë. Në këtë ndarje, sipas tij, Serbia ka zgjedhur të jetë me Rusinë (...).
Me kërcënimin e tij Eskobari me siguri nënkupton mospajtimin e tij me Kurtin se sa thjesht “mosbashkëpunimin” sepse Prishtina i është përgjigjur vizitave të tij me “devotshmëri”. Por nësë është kështu, të dyja palët, si Eskobari ashtu dhe Kurti, janë duke ecur në rrugën e gabuar: i pari sepse nuk përdor të drejtën ndërkombëtare kundrejt Serbisë (as ambasadori amerikan në Beograd) ndërsa i dyti sepse është bërë shkak i krizave mes Kosovës dhe Serbisë. Si në rastin e targave ashtu dhe në rastin zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës me shumicë serbe, shkaktar është bërë Kurti.
Për targat, sepse nuk iu përmbajt marrëveshjes për targat ndërsa zgjedhjet lokale ishin pasojë e vendimit të tij për targat: sepse pala serbe u largua nga institucionet e shtetit të Kosovës si reagim ndaj vendimit të tij për targat. Kështu qeveria “Kurti” vijoi me zhvillimin e zgjedhjeve për të zëvendësuar ata që u larguan nga institucionet e Kosovës por duke i shtyrë ato si pasojë e reagimit të popullit serb në veri të vendit me bllokimin e rrugëve dhe kufijëve.
Në këto kushte Eskobari kërkon me të drejtë lëshime nga pala shqiptare. Kështu vërtet perëndimorët kanë dështuar me përpjekjet e tyre, siç thotë analisti i Voa-s, por ata kanë dështuar kryesisht si pasojë e vendimeve të qeverisë “Kurti” por dhe si pasojë e “strategjisë” së tyre ndaj Serbisë: duke e përkëdhelur atë dhe duke mos përdorur ndaj saj të drejtën ndërkombëtare. Këtë të fundit nuk e përdorin kryesisht sepse nuk i lejon “strategjia” të cilën e kam treguar në vend tjetër por dhe sepse amerikanët nuk bëjnë dot dallimin mes vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën dhe vendimit të Këshillit të Sigurimit 1244.
Se çfarë nevojitet, rrjedhimisht, është e qartë: qeveria “Kurti” duhet të tërhiqet nga zhvillimi i zgjedhjeve të reja për serbët e Kosovës meqënse për largimin e tyre nga institucionet ishte ai shkaktar dhe meqënse çështja e targave u zgjidh, me tërheqjen e Vuçiçit për të detyruar shqiptarët të ndryshojnë targat kur kalojnë kufirin. Nevojitet, gjithashtu, që pala amerikane të përdorë të drejtën ndërkombëtare me Serbinë―domethënë, se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën shfuqizon vendimin 1244, çka nënkupton faktin se KFOR-i, ndaj të cilit Beogradi kërkon leje për të dërguar ushtrinë e tij, duhet të ishte larguar nga Kosova që kur u shpall vendimi i gjykatës.
Por të drejtën ndërkombëtare duhet ta përdorë, qoftë edhe nëse nuk e përdor Uashingtoni dhe Brukseli, Prishtina dhe Tirana, jo vetëm për t`i treguar “vendin” Beogradit dhe ministrisë së jashtme ruse, por dhe perëndimit se e drejta ndërkombëtare qendron mbi çdo “strategji” dhe qëllim tjetër. Nëse përdoret e drejta ndërkombëtare, pala amerikane dhe evropiane do të detyrohet të përdorë të njëjtin “kandar” për shqiptarët e Serbisë në Luginën e Preshevës dhe do ta vendosë Beogradin në “kandarin” e historisë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 133 reads