...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Aristoteli: pse njerëzit janë mosmirënjohës dhe si të përballemi me dukurinë?

Qartësisht, ne duhet të zhvillojmë virtytin e drejtësisë që të jemi mirënjohës kundrejt të tjerëve: pa të, ne do të jemi mosmirënjohës, arrogantë, mburracakë, lajkatarë dhe servilë

SHJ

06/01/2019 - 12:53

Ai që ka shkaktuar një përfitim kundrejt cilitdo për shkak të dashurisë ose nderit, do të ndiejë dhimbje, nëse ai shikon se përfitimi është përvetësuar pa mirënjohje.

--Aristoteli

Shumë ankohen për mosmirënjohjen e njerëzve, sepse, si duket, shkakton një lloj dhimbje. Por shkaqet —se pse një njeri është mosmirënjohës— nuk kundrohen thuajse asnjë herë. Filozofët janë përpjekur për të treguar shkaqet. Lexo një përmbledhje këtu: “Gratitude: Standford encyclopedia of philosophy”. Por argumentet nuk bindin. Ndërkohë që fjalorët e lidhin vetëm me ‘ndjesinë’.

Kështu le të përpiqemi ta kuptojmë se nga buron mosmirënjohja dhe si të përballemi me të. Mosmirënjohja është e kundërta e mirënjohjes. Për ‘mirësinë’ njerëzit thonë se ajo shkruhet në rërë ndërsa ‘keqësia’ në gur. Ky pohim nënkupton se ‘mirësia’ harrohet ndërsa ‘keqësia’ mbahet mend. Por sërish nuk tregohen shkaqet. Arsyeja se pse ‘mirësia’ harrohet, është se ajo shkakton një lloj kënaqësie ndërsa ‘keqësia’ një lloj dhimbje dhe kjo e fundit e shenjon shpirtin më shumë se kënaqësia.

Por kjo është një përmasë ndijimore dhe si e tillë, kuptimi lidhur me shkaqet se pse jemi mosmirënjohës, është i pjesshëm: sepse çdo ndjesi shkaktohet nga gjendja mendore. Nuk është e rastit që Aristoteli e lidh mirënjohjen me gjendjen mendore duke cituar: 

Është e drejtë që ne të jemi mirënjohës, jo vetëm kundrejt këndvështrimeve të atyre që ne mund të pajtohemi, por gjithashtu kundrejt atyre që kanë shprehur këndvështrime më sipërfaqësorë; sepse këta gjithashtu kontribuan në diçka, duke zhvilluar përpara nesh aftësitë e mendimit. Metaphysics, Book II, f, 14.

Kështu, sipas tij, mirënjohja është një mesatare që qendron mes veseve të arrogancës, mburracakërisë ose mosmirënjohjes lakmitare, në njërën anë, dhe lajkatarisë ose servilizmit të tejmirënjohjes, në anën tjetër. Por sërish, Aristoteli nuk e ndriçon mjaftueshëm dukurinë: sepse mirënjohja kalon nga aftësia jonë për të gjykuar drejtë tjetrin. Gjykimi, me radhë, shkakton ndjesinë përkatëse. Qartësisht, ne duhet të zhvillojmë virtytin e drejtësisë që të jemi mirënjohës kundrejt të tjerëve: pa të, ne do të jemi mosmirënjohës, arrogantë, mburracakë, lajkatarë dhe servilë!    

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA