...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Masakrat e barbaritë e andartëve grekë në Shqipëri (Përmet): 1914-16 (1)

Qëndresa e vendosur e masave dërrmuese të fshatarëve dhe qytetarëve përmetarë ndaj politikës së egër antishqiptare të shovinistëve grekë, disfatat që këta të fundit pësuan edhe pse komanda e tyre ushtroi presion të gjithanshëm për të rekrutuar vullnetarë nga radhët e popullsisë ortodokse, por veçanërisht disfata më e madhe që ata pësuan në vjeshtën e vitit 1913, kur fshatarët dhe qytetarët, megjithë kërcënimet e andartëve, i deklaruan komisionit të kufijëve se ishin shqiptarë e jo grekë, pavarësisht nga përpjekjet e tyre të gjata propagandistike, i tërbuan shovinistët grekë.

Stilian Adhami*

06/06/2021 - 09:40

U shkul bota dhe të gjithë katilat erdhën për ta mbytur në flakë e në tym vendin e mjerë, për ta therur e për ta shuar. Turq e tokë turke na quajtën një palë, prapanikë dhe të egër na thirrën të tjerët. Secili u përpoq të sillte qytetërimin e vet, ligjet e zakonet e tij dhe njëri më i lig se tjetri, më i pabesë e më zemërgur. E shqyen si mos më keq vendin e zi, sa që s`thuhet, e ndynë sa s`tregohet, e dogjën dhe e përvëluan si kurrë ndonjëherë, u dhanë njërëzve arratinë dhe i ndoqën këmba-këmbës gjer në varr.

Qëndresa e vendosur e masave dërrmuese të fshatarëve dhe qytetarëve përmetarë ndaj politikës së egër antishqiptare të shovinistëve grekë, disfatat që këta të fundit pësuan edhe pse komanda e tyre ushtroi presion të gjithanshëm për të rekrutuar vullnetarë nga radhët e popullsisë ortodokse, por veçanërisht disfata më e madhe që ata pësuan në vjeshtën e vitit 1913, kur fshatarët dhe qytetarët, megjithë kërcënimet e andartëve, i deklaruan komisionit të kufijëve se ishin shqiptarë e jo grekë, pavarësisht nga përpjekjet e tyre të gjata propagandistike, i tërbuan shovinistët grekë.

Pikërisht ky qendrim patriotik i popullatës së kësaj treve dhe trevave fqinje u bë shkak për hakmarrjen barbare që ndërmorrën shovinistët e tërbuar ndaj popullatës së pafajshme. Nuk mund të mos rrënqethesh kur mëson masakrat e barbaritë më të përbindshme që ushtruan bandat e andartëve grekë në popullatën jo vetëm të kësaj treve, por edhe të trevave përreth. Nga broshura që ka botuar në atë kohë përmetari që ka qenë dëshmitar e vëzhgues i atyre ngjarjeve, Kosta P. Tomori nga Leusa, me titull “Barbaritë greke në Shqipëri”, po citoj këtu vetëm disa ngjarje tragjike të llahtarshme, që mund të jenë vepra vetëm të bishave me fytyrë njeriu.

Bandat e andartëve hynë të tërbuar nëpër fshatra, që i gjetën të braktisura nga pjesa më e madhe e fshatarëve, të cilët u fshehën nëpër pyje e shpella ose ikën në zonën e lirë shqiptare. Si vandalë të shekullit XX, me urën e zjarrit në një dorë dhe me thikën në tjetrën, ata dogjën ç`gjetën përpara, sidomos në fshatrat muslimane dhe masakruan me llahtari burrat, gratë, fëmijët dhe pleqtë që u kapën në fshatra ose rreth e rrotull. Shumë vajza e nuse u çnderuan me dhunë. Pastaj andartët dhe ushtarët grekë plaçkitën shtëpitë, stolitë e nuseve, bagëtitë e fshatarëve dhe më në fund u vunë zjarrin fshatrave në masë.

Kështu, për shembull, në Mesare e Avoriçan, bishat shoviniste greke, pasi vunë në radhë gratë e bënë ç`deshën me to, zhdukën burrat një e nga një në prani të tyre dhe fshatrat u bënë shkrum e hi. Në Kuqar e Pacomit zhdukën 75 burra, duke i therur me thikë në përrua të Kosinës.

Ja si e përshkruan këtë ngjarje kronisti Tomori, e cila është e ngjashme me ngjarjen që ndodhi Hormovë e shkaktuar nga të njëjtët andartë: “Më 25 të shkurtit, dita e hënë në mëngjes, andartët hodhën ca batare, [se] gjoja panë disa shqiptarë në Pacomit. Pas këtyre batareve u sulën të gjithë në këto fshatra dhe mblodhën të gjithë burrat dhe i shpunë në Kosinë dhe i mbyllën në një katua. U kthyen prapë katilat në këto fshatra; fëmijët që kishin mbetur në fshatra i therën, pastaj u sulën nëpër shtëpi për të plaçkitur. Morën bagëtinë 1500 krerë, dhenë e dhi, dhe 100 krerë lopë, pastaj u vunë zjarrin shtëpive, i përvëluan, bënë hi...Si mbaruan këto, katilat u kthyen në Kosinë. Nxuarrë burrat që kishin mbyllur dhe i shpunë në një përrua të fshatit, ku i lemerisnë me thika: ca u prenë hundë, veshë, këmbë, duar, të mjertë e dhanë shpirtin me lemerira, që edhe Neroni të qe nuk do i mundonte kësisoj. Numri i tyre qe 75 veta. Si dhanë shpirtin i lanë në atë përrua të zbuluar: korbat dhe qentë u hëngrë mishrat e tyre. Kur bënë këto therje e djegie andartët, ushtria e rregullt e Greqisë gjëndej në Këlcyrë dhe në Përmet...”

Pasi i vunë zjarrin Këlcyrës, u sulën si ujqër të tërbuar duke masakruar gra e fëmijë; kështu vepruan në Katundishtë, në Beduqas, Varibop, Zhepovë, Fratar etj. Populli i Dëshnicës, me qëllim që të mbahet mend nga brezat pasardhës barbaria greke, i ka thurur këto vargje:



Dola në një mal,

Pashë me dylbi,

Si t`ia bëj i mjeri,

Si t`ia bëj i varfri.

Që nga Pacomiti,

Gjer tek ujët e zi,

Ishte vendi,

Shkrumb e hi.

Po i therin njerëzit,

Porsi bagëti,

Tek ullinjtë e Vlorës

Po grenë shtëpi,

Mallkuar qofsh o grek,

Na le pa fëmijë,

Na le pa shtëpi...

Madje në Fratar, kur hynë andartët grekë, një grua nga frika mori pyllin përpjetë me foshnjën që të shpëtonte. Oficerit grek Karaxha i vanë sytë e u nis ta kapte, por kur pa që s`e arriti dot e qëlloi me pushkë dhe e plagosi i rrëmbeu foshnjën dhe përpiqej ta përdhunonte, dhe kur ajo nuk pranoi në asnjë mënyrë, përdori forcën për të plotësuar dëshirat e tij. Gruaja me shpirt në dhëmbë i lutet ta vrasë dhe ai pa pikë mëshirë e vret gruan me gjithë foshnjën.

Në Ogren katili grek Zaharaq me dy shokë vajti në shtëpinë e një nusejse të prosamartuar për ta çnderuar...     

Vazhdon në pjesën tjetër...   

*Stilian Adhami është autori i disa veprave me karakter historik për trevën e Përmetit dhe më gjerë. Ky shkrim ripublikohet për të kujtuar barbaritë greke në Shqipëri gjatë fillimit të krijimit të shtetit shqiptar kur Greqia kishte vënë në shënjestër jugun e Shqipërisë për ta përvetësuar. Ripublikohet edhe për një arsye tjetër: ngaqë gazetarët e të nguliturve (establishmentit) thonë gjysmë të vërteta si lidhur me barbaritë greke ashtu dhe me realitetin gjeopolitik në të cilin gjendimi në raport me Greqinë. Përgatiti Shqipëriajonë.org.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA