...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Arlinda: pretendetja kryesore që përmbush kriteret e bukurisë femërore në Miss International/Tajlandë

Ngasa kam vërejtur, nga fotografitë e disa pretendenteve, fituesja duhet të jetë Arlinda: sepse gëzon edhe rendin, edhe simetrinë dhe përsosjen. Gëzon, gjithashtu, dhe disa nga ngjyrat e yjeve dhe ylberit

Ylli Përmeti

24/02/2021 - 18:42

Ne si qendër studimore spikasim pikë së pari njerëzit virtuozë. Në këtë logjikë ishte dhe biseda me Arlinda Prenajn, fituesja e dy çmimeve në botën e bukurisë. Kur e ftova në bisedë Arlindën, shtysa kryesore ishte thjeshtësia e saj. Këtë virtyt e kuptova menjëherë në një intervistë televizive të saj. Por në bisedë zbulova se kishte fituar më shumë virtyte (në muzikë, gatim, amvisje, mjekësi etj.).

Thjeshtësia dhe bukuria vezullojnë bashkë: bisedë me Arlinda Prenajn, Miss Kosova/Germany

Në atë kohë nuk e dija se ajo do të merrte pjesë në një tjetër konkurs bukurie: këtë herë për çmimin e “Miss International” në Tajlandë. Kjo e fundit e ka zhvilluar vitet e fundit këtë veprimtari kryesisht për të nxitur turizmin dhe investimet e huaja. Arlinda në Tajlandë përfaqëson Gjermaninë, sepse pason çmimin e fituar në vendin përkatës. Në të njëjtin konkurs marrin pjesë dhe dy shqiptare të tjera: njëra që përfaqëson Shqipërinë dhe tjetra Kosovën. Për të njëjtën arsye, veprimtaria përkatëse ka ngjallur kërshëri të madhe: sepse janë tre bukuri shqiptare mes shumë bukurive të tjera të planetit tonë. Por cila mund të jetë fituesja e çmimit?

Përpara se t`i përgjigjemi kësaj pyetje duhet sqaruar se bukuria në konkurse të tillë gjykohet nga një komision ose juri. Duhet sqaruar, gjithashtu, se ç`është bukuria, sidomos kur dihet se komisionet e gjykimit mund të korruptohen nga interesa të ngushta. Për shembull, nga vetë qeveria e vendit përkatës, nëse ajo kërkon të joshë një vend në investime, ose nga vetë konkurrentet.

Sidoqoftë, po të kemi të qartë konceptin e bukurisë ne mund të gjykojmë paraprakisht se cila do të jetë fituesja jo vetëm në këtë veprimtari por në çdo veprimtari tjetër të ngjashme.

Në këtë rast bëhet fjalë për bukuri femërore. Kjo lloj bukurie ka shkaktuar edhe luftra si në rastin e luftës së Trojës për shkak të Helenës. Por ajo mund të shkaktojë dhe zemëratë (dhe depresion nëse e ardhmja e tyre varet nga ky çmim) tek vetë konkurrentet. Bukurinë e shijojnë më shumë të tjerët se sa ata ose ato që e zotërojnë: sepse ajo shkakton një lloj kënaqësie më shumë tek ata se sa tek zotëruesit e saj (përjashto rastin kur zotëruesit e bukurisë shikojnë veten në pasqyrë). 

Ndaj mirë do të ishte ta qartësojmë konceptin. Qartësimi i tij do të ndihmonte si konkurrentet ashtu dhe të tjerët: sepse do të jenë më të drejtë në gjykimin e bukurisë.

Format kryesore të bukurisë janë rendi, simetria dhe qartësia në përsosje të cilat shkencat matematikore i tregojnë në një shkallë të veçantë (Aristoteli): ‘rendi’, në kuptimin që gjymtyrët janë në rend simetrik; ‘simetrik’, në kuptimin që gjymtyrët janë të barabarta; dhe ‘përsosje e qartë’ në kuptimin që rendi dhe simetritë trupore janë të qarta me shikim të parë dhe shkaktojnë bukuri në sy dhe shpirt. Por këto parametra nuk mjaftojnë të gjykojmë bukurinë: sepse janë dhe disa parametra të tjerë që duhet të përfshihen — me më kryesorin, përshtypjen që shkakton një njeri i bukur me bukurinë e tij.

Njeriu është pjesë e natyrës dhe si natyra e bukur ashtu dhe njeriu i bukur na magjeps. Ne na magjeps dhe universi me yjet dhe dritat e tij me më kryesorin diellin. Drita na magjeps më shumë kur e shohim në ëndërra: sepse kur jemi zgjuar ne mësohemi me praninë e dritës. Ne magjepsemi dhe me ngjyrat e natyrës: jeshilen, blunë, të kuqen, vjollcën etj. Shkurt, me gjithë ngjyrat e ylberit. Kur këto ngjyra gjenden në një njeri me rend, simetri dhe përsosje të qartë trupore, ne magjepsemi edhe më shumë.

Njerëz të tillë i quajmë të veçantë. Madje i quajmë edhe specie të veçanta dhe disa i lidhin me “specie” të veçanta të universit. Kjo është arsyeja se pse ne magjepsemi kur përballemi me një njeri që gëzon disa apo të gjithë parametrat e përmendur. Një njeri i tillë, themi, të “ngrinë” gjakun kur e sheh. Por bota e bukurisë përfshin dhe gjatësinë. Por gjatësia jo detyrimisht na magjeps. Gjykuar nga këta parametra ne mund të gjykojmë drejtë se cila nga konkurrentet meriton të fitojë çmimin.

Ngasa kam vërejtur, nga fotografitë e disa pretendenteve, fituesja duhet të jetë Arlinda: sepse gëzon edhe rendin, edhe simetrinë dhe përsosjen. Gëzon, gjithashtu, dhe disa nga ngjyrat e yjeve dhe ylberit.

Sidoqoftë, fjalën e fundit e ka juria. Por me parametarat e përmendur këtu vajzat tona (por dhe publiku) pajisen me dije paraprake dhe nëse vërejnë padrejtësi të ngrejnë zërin.

Për ne si shqiptarë të treja janë fituese: sepse përfshihen për herë të parë tre bukuri shqiptare. Ndaj u urojmë mbarësi në këtë sfidë botërore. Me përfaqësinë e tyre nderojnë veten, familjet dhe kombin tonë. Përfaqësimi në vetvete është nderim. Ndaj u urojmë udhëtim dhe kthim të mbarë. 

U shtofshim me bukuri të tjera.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA