Artemisia: bima e perëndeshës së Hënës
Agroweb
26/03/2017 - 11:04
Bima e Artemisias gjendet në jo shumë vende të botës, por haset në gjendje të egër fatmirësisht në Shqipëri. Ajo ka gjetur përdorim të gjerë në mjekësinë tradicionale, ndërkohë që çajrat e përgatitur nga gjethet e thara të kësaj bime janë përdorur për trajtimin e temperaturës. Artemisia ka një shije të hidhur, megjithatë vlerat e saj janë të fuqishme.
Studimet shkencore për Artemisian
Artemisia lufton viruset: Disa prej studimeve më të fundit kanë zbuluar se Artemisia përmban një substancë të njohur si artemisinë, e cila parandalon zhvillimin e një sërë virusesh përfshirë herpesin, apo hepatitin B dhe C.
Shkencëtarët janë gjithashtu të angazhuar në studimin e një substance tjetër të kësaj bime të njohur si 'thujon' që rezulton të jetë antioksidant shumë i fuqishëm. Ekstraktet e kësaj bime përdoren për uljen e temperaturës dhe për fuqizimin e sistemit imunitar. Së fundmi, aftësitë qetësuese të këtyre ekstrakteve janë përdorur edhe në terapi të shumta aromash.
Kjo bimë mban emrin e Artemisës, Perëndeshës Greke të Gjuetisë dhe Hënës dhe është pjesë e pandashme e disa potpurish bimësh dekorative dhe aromatike. Ajo përdoret gjithashtu edhe në industrinë e parfumerisë dhe për shumëfishimin e shijes dhe aromave të pijeve dhe verërave.
Artemisia kundër tumoreve: Disa studime të tjera kanë zbuluar lidhje mes dy prej substancave përbërëse të kësaj bime: artemisina dhe artesunate në luftën kundër kancerit. Në vitin 2001, dy shkencëtarë të Universitetit të Uashingtonit i dhanë famë kësaj bime pasi zbuluan se shumë përbërës të saj luftonin qelizat e kancerit të gjirit. Edhe në vitin 2008, studime të tjera shkencore treguan se kjo bimë kishte potencial të fortë në trajtimet terapeutike dhe parandaluese kundër tumoreve. Një varitetet i kësaj bime Artemisia annua, është përdorur dhe vazhdon të përdoret kundër malarjes.
Përfitoni vlerat e çajit të Artemisias
Çaji i Artemisia Annua është një kurë tradicionale bimore që mendohet të përmirësojë sistemin imunitar dhe të qetësojë mendjen. Në shumë raste, çajrat e tillë konsumohen nga njerëzit që zgjedhin kurat bimore në vend të pilulave farmaceutike.
Gjethet e bimës Artemisia shiten të thata ose të përpunuara gati për përgatitjen e çajit, në farmacitë bimore apo në dyqanet e specializuara. Çaji i Artemisias përftohet njëlloj si çdo çaj tjetër. Gjethet kanë shije të hidhur, ndaj duhen kombinuar me mjaltë ose ëmbëlsues të tjerë natyralë./AgroWeb.org
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 93 reads