...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çfarë s’u tregoi “Gjurmë Shqiptare” shqiptarëve për arin e “vjedhur” nga elita marksiste?

Zhvlerësimi i plotë i lekut, gjendja e arit të Shqipërisë dhe fiaskua e masave të Bankës Kombëtare për ‘deeuroizimin’ e ekonomisë

SHJ

10/04/2018 - 14:44

Një lajm tjetër kaloi shkarazi dhe nuk u shqyrtua nga “opinionistët” dhe “komentatorët” e atashuar në gazeta dhe televizione në Shqipëri: lajmi se Banka Kombëtare emetoi një monedhë ari me rastin e “pavarësisë” së Shqipërisë!  Strumbullarët e sistemit dolën dhe shtrënguan duart me këtë rast. Dhe meqënse për ta qytetari është i pari, “harruan” t’i thoshin se e mashtruan edhe një herë: sepse në 16 shkurt 1922, ‘100 lekë ishin të barabarta e 20 franga ari – një monedhë’.[1] Sot një monedhë ari është e barabartë me 200 lekë.[2] Në kohën kur vendi ynë renditet i parafundit në 100 vende të botës për rezervat e arit me 1.6 tonë; Greqia zotëron 112.6 tonë; Serbia 18.8 tonë dhe Maqedonia 6.9 tonë. Thuajse një shekull më parë atje ishin 100 lekë përballë 20 franga ari (1 monedhë). Ndërsa sot atje është një monedhë ari përballë 200 lekëve. Si rezultat, zhvlerësimi i lekut është i plotë: 100%!

Gazetarët e oligarkisë, ndërkohë (Marin Mema etj.), nuk hetojnë faktin se sa fuqi ekonomike ka humbur Shqipëria me shkatërrimin e minierave të bakrit (etj.) dhe fabrikës së Rubikut ku përpunohësh ari dhe metale të tjerë të rrallë dhe punësoheshin dhjetra familje dhe mundësinë e rigjallërimit të sektorit përmes shqyrtimit të skemave të ndryshme organizative...por vetëm mundësinë e vjedhjes së arit nga elita politike e socializmit marksist![3] Në këto kushte, një tjetër fiasko ‘ekonomike’ qarkulloi banka jonë qendrore gjatë fundvitit ‘17 dhe fillimvitit ‘18, kur filloi ‘deeuroizimin’ e ekonomisë shqiptare: sepse megjithëse ‘deeuroizimi’ i ekonomisë është i dëshirueshëm, për shkaqet që përmend vetë banka se:

…euroizimi ndikon në uljen e efektivitetit të politikës monetare; kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit si një stabilizues automatik në rastin e goditjeve makroekonomike, në kushtet e ndjeshmërisë më të lartë të subjekteve ekonomike ndaj luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit; dhe cënon efektivitetin e politikës fiskale përmes rritjes së mundshme të kostos së shërbimit të borxhit dhe ndryshimit të padëshiruar të strukturës së tij. Gjithashtu, niveli i lartë i euroizimit shoqërohet zakonisht me kosto për bankën qendrore në formën e kostos oportune për mbajtjen e një niveli relativisht më të lartë të rezervave valutore, si edhe për humbjen e të ardhurave (senjorazh) që shoqërojnë zëvendësimin e monedhës vendase nga ajo e huaj. Në drejtim të stabilitetit financiar, euroizimi rrit ekspozimin e sistemit financiar dhe të operatorëve ekonomikë ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe ndaj situatave të stresit të likuiditetit në valutë.[4]

...masat nuk mjaftojnë. Jo vetëm për sistemin financiar. Por kryesisht për popullin dhe ekonominë në tërësi: sepse qoftë edhe nëse konsiderojmë një ekonomi të vogël në mes Europës, Zvicrën, ajo ka ruajtur —me luhatje të shpeshta— vlerën e frangës kryesisht përmes sistemit të saj bankar dhe ndërmarrjeve të fuqishme.[5]      



[1]Ndërhyrja e Kapitalit të Huaj në Shqipëri dhe Qëndrimi i Qarqeve Demokratike, 1921-1925, Veniamin Toçi, p, 72.

[2]Banka e Shqipërisë, monedhë ari për Pavarësinë, Shqip, 26 Tetor 2012.

[3]Gjurmë shqiptare – Misteri i arti shqiptar, Top Channel, Mar 17, 2018.

[4]Paketa e deeuroizimit, Banka e Shqipërisë.

[5]Efektet e politikave të globalizmit neoliberal për rajonet.   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA