...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dënohen katër veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje bazuar në dyshime dhe pa prova!

Një gjykatë në Prishtinë shpalli fajtorë dhe i dënoi me gjithsej 21 vjet heqje lirie katër veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, nën akuzat për një sulm mbi ndërtesën e parlamentit të Kosovës.

VOA

17/11/2017 - 20:11

Gjykata dënoi deputetin e kësaj lëvizjeje, Frashër Krasniqi me 8 vjet heqje lirie, Atdhe Arifin me 6 vjet, Egzon Halitin me 5 vjet e 6 muaj dhe Adea Batushën me dy vjet heqje lirie.

Akuzat kundër tyre u ngritën në bazë të dyshimeve për përfshirje në një sulm me mjet shpërthyes mbi ndërtesën e parlamentit të Kosovës, në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar. Sulmi qe kryer në një periudhë tensionesh të larta politike të nxitura nga mospajtimet rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, por edhe asaj të arritur me Serbinë, që u jep më shumë autonomi komunave me shumicë serbe.

Në dhjetor të vitit 2016 Prokuroria e Posaçme e Kosovës i akuzoi ata për veprim në një grup të organizuar, me qëllim frikësimin e popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Të gjithë ata kanë hedhur poshtë në vazhdimësi akuzat për sulm mbi ndërtesën e parlamentit.

Ata ishin arrestuar më 30 gusht të vitit të kaluar nën dyshimin si autorë të sulmit mbi ndërtesën e parlamentit të Kosovës, me një mjet shpërthyes që shkaktoi dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Në mesin e tyre ishin edhe Petrit Ademi, ndaj te cilit pushuan hetimet në mungesë të provave, si dhe Astrit Dehari, i cili më 5 nëntor të vitit 2016 vdiq në burgun e Prizrenit, ku po mbahej në paraburgim prej më shumë se dy muajsh, rast ky që ngjalli shumë dyshime dhe u përcoll me debate e akuza politike në Kosovë. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA