...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Falsifikuesit recidivistë të produkteve ushqimore falen nga gjykatat dhe amnistitë

Ndërsa siguria ushqimore është një problem madhor në Shqipëri, prodhuesit e produkteve të falsifikuara dhe jashtë standardeve i shpëtojnë drejtësisë përmes vendimeve tolerante të gjykatave apo amnistive në fund të vitit, duke iu rikthyer aktiviteteve me pasoja të rënda për popullatën.

Birn

03/01/2018 - 09:24

Si çdo vit në prag të festave, dyqanet kanë shtuar gamën e produkteve ndërsa familjet shqiptare po bëjnë planet e fundit për ushqimet që do të konsumojnë në tryezën e ndërrimit të viteve.

Por lajmet e herepashershme për bllokim të mishit të kontaminuar apo produkteve të tjera të pakontrolluara në treg vazhdojnë të ngrejnë shqetësime për cilësinë e ushqimeve që shtrohen në ditë festash apo gjatë gjithë vitit mbi tryezat e shqiptarëve.

Deklaratat publike të autoriteteve shtetërore nuk e zbusin këtë shqetësim. Në tetor, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi pranoi dështimin e deritanishëm të Shqipërisë në kontrollin e zinxhirit ushqimor-“që nga prodhimi në fermë e deri në tavolinë”.

“Duhet të pranojmë duke u skuqur, për hir të vërtetës se kemi dështuar krahasuar me vendet përreth dhe padyshim me çdo vend të BE-së,” deklaroi Peleshi, ndërsa shpalli një aksion kombëtar për disiplinimin e tregut të produkteve shtazore që nga thertoret e shpërndara anekënd vendit e deri tek dyqanet e mishit.

Fatura e dështimit bie kryesisht mbi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, AKU, një institucion të kritikuar vazhdimisht për mungesë eficense dhe punësime partiake, që ministri aktual i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka premtuar ta reformojë.

Në mesin e gushtit, AKU u fshikullua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si një institucion që nuk mund të garantojë sigurinë ushqimore në vend.

“Në Shqipëri mungon një kuadër i plotë për sigurinë ushqimore dhe përgjegjësitë ligjore në zinxhirin e sigurisë ushqimore karakterizohen nga dublime dhe mungesë eficence. Ndërkohë problemet strukturore dhe ato të burimeve njerëzore në AKU kanë ndikur dhe në nivelin e inspektimeve të subjekteve që preken nga ligji për ushqimin,” thuhej në raport.

Por AKU nuk është institucioni i vetëm që ka ceduar në misionin e vet. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se neglizhenca ndaj sigurisë ushqimore pëfshin një zinxhir institucionesh, ndërkohë që shkelësit e ligjit u shpëtojnë dënimeve dhe u gëzohen privilegjeve të kulturës së pandëshkueshmërisë në vend.

BIRN analizoi vendimet gjyqësore ndaj personave të akuzuar për falsifikim të produkteve ushqimore prej nga rezulton se çështje të tilla neglizhohen vazhdimisht nga prokurorët dhe gjyqtarët, pavarësisht dëmeve të mëdha që shkaktojnë këto krime në shoqëri.

Gjatë viteve 2015-2016, Prokuroria e Përgjithshme ka ndjekur penalisht 52 raste për veprat penale që lidhen me prodhimin e kundërligjshëm të artikujve ushqimorë apo për falsifikimin e etiketave, stampave apo vulave. Sipas Prokurorisë, 34 persona u dënuan gjithsej në të dy vitet.

Dënimet mbesin gjithsesi në “letër”, pasi keqbërësit lirohen shpejt nga gjykatat ose përfitojnë nga amnistia e miratuar nga Parlamenti pothuajse në çdo vit, ndërkohë që zinxhiri i aktivitetit të tyre kriminal vazhdon të minojë sigurinë ushqimore në vend.

Amnisti për shkelësit e ligjit

Mesditën e 1 nëntorit 2017, policia e Korçës bllokoi më shumë se 800 litra vaj ushqimor në ambientet e ish-ndërmarrjes N.Sh.N-së, për të cilën u dyshua se ishte futur kontrabandë ose ishte prodhuar në mënyrë të kundraligjshme.

Sipas dokumenteve gjyqësore që BIRN i disponon, në magazinë u gjetën edhe qindra bidonë metalikë me etiketa vaji në gjuhën greke të tilla si “Thesaloniki”, “Nafeli”, “Eliazti”,”Ksamil” apo “Olive Oil”.

Pas kontrollit, policia arrestoi në flagrancë të zotin e magazinës, 48-vjeçarin Kosta Fshati i cili u akuzua për veprat penale të “prodhimit të kundraligjshëm të mallrave industriale dhe ushqimore”, “shkelje e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “depozitim të mallrave kontrabandë”.

Por katër ditë më vonë, prokurori Julian Kristo i kërkoi gjykatës së Korçës që të lironte të akuzuarin dhe të vendoste ndaj tij masën e “detyrimit për paraqitje”, duke vazhduar hetimin në gjendje të lirë.

Kërkesa e Prokurorit për lirimin nga qelia të Kostës është parë me dyshim nga Gjykata e Korçës. Në vendimin e tij, gjyqtari Arben Lera shprehet se “nevojat e sigurimit që duhen marrë në rastin konkret nuk garantohen dhe nuk janë në raport të drejtë me vendosjen e kësaj mase sigurimi”.

Megjithatë, gjyqtari e ka miratuar lirimin në respekt të nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale, i cili sanksionon se “Gjykata nuk mund të caktojë një masë më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokuroria”.

Rasti i mësipërm nuk ishte i vetmi që e përballi Kosta Fshatin-prodhues i ligjshëm vetëm për vajin “Alkis” me drejtësinë. Sipas njoftimit të policisë, ai ishte dënuar edhe në vitin 2010 për veprat penale të prodhimit të paligjshëm të produkteve ushqimore dhe falsifikim të etiketave, por kjo nuk e pengoi të vazhdonte aktivitetin e tij të tregtimit të vajit të falsifikuar.

Njësoj si Fshati, edhe Xhavit Kasemi në Shkodër ka shfrytëzuar “dorën e butë” të drejtësisë për të vazhduar aktivitetin e tij fitimprurës të produkteve të pakontrolluara dhe të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.

Në vitin 2010, punishtja e tij në lagjen “Ajasëm” të Shkodrës u bllokua nga policia, pasi u konstatua se prodhoheshin në mënyrë të paligjshme 27 produkte ushqimore dhe industriale. Mes produkteve të sekuestruara gjendeshin etiketa të markave të ndryshme të lëngjeve të frutave dhe pijeve alkoolike të tilla si konjak “Skënderbeg” apo “Brandi”.

Megjithatë, tregtari Xhavit Kasemi mori pafajësi nga gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit të Shkodrës në janar 2013.

Sipas vendimit që BIRN disponon, treshja e gjyqtarëve të Apelit, Astrit Kalaja, Lindita Hoxha dhe Luan Dervishi argumentuan se nuk provohet që “materialet e gjetura në banesën e të pandehurit janë të falsifikuara apo që ai t’i ketë përdorur për falsifikim”.

“Po të analizohet kuptimi i përmbajtjes së veprës penale ‘falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve’ rezulton që kjo vepër të konsumohet në formën e përdorimit dhe falsifikimit të tyre… Në rastin konkret vihet në diskutim ekzistenca e sendit objekt material i veprës penale. Nëse etiketat dhe tapat me mbishkrime të gjetura nga kontrolli i banesës a janë apo jo ‘stampë’ në kuptimin juridik,” thuhet në vendim.

Ndërsa bën një parashtrim të gjatë nëse është e faksifikuar etiketa apo lënda që ndodhet brenda ambalazhit, Gjykata e Apelit vendos se gjithsesi procedimi ndaj Kasemit nuk mund të vazhdojë për shkak të amnistisë.

Pas vendimit të pafajësisë, Kasemi iu rikthye aktivitetit të tij fitimprurës, por me pasoja të rënda për shëndetin e banorëve. Më 8 korrik 2013, ai themeloi kompaninë e tij “Brilant” në QKR por katër vite më vonë, ai u shpall sërish në kërkim policor pasi kamerat e emisionit “Stop” e filmuan atë duke shitur dhe reklamuar prodhime false si të importuara nga Italia.

Më 19 shtator, policia kontrolloi ambientet e subjektit të tij dhe zbuloi fakte tronditëse. Në depozita karburanti totalisht të ndryshkura, Kasemi mbante vajin ushqimor, prej nga më pas e hidhte në treg. Në magazinë u gjetën gjithashtu shtatë paleta me kanaçe B52 nga të cilat 3800 të mbushura dhe 135 mijë kanaçe të pambushura.

Ushqimet, ‘çëshje e dorës së dytë’

Një prokurore e Tiranës i tha BIRN në kushtet e anonimatit se çështjet e sigurisë ushqimore trajtohet pa ndonjë rëndësi të veçantë nga gjykatat, por edhe nga vetë prokuroria. Prokurorja, e cila ka hetuar vetë disa raste të ngjashme tha se shkak i kësaj neglizhence është përfshirja e krimeve që lidhen me sigurinë ushqimore në veprat penale që falen thuajse çdo vit nga amnistia.

“Neglizhenca fillon që në caktimin e masës së sigurisë dhe deri në dënimin përfundimtar. Arsyeja se pse këto çështje neglizhohen është se çdo vit kjo kategori është amnistuar dhe falur me ligj nga parlamenti…,”-thotë prokurorja për BIRN.

Prokurorja këshillon që për këto krime, që në dukje janë të vogla por që sjellin pasoja katastrofike për shoqërinë, ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti nuk duhet të japin amnisti në fund të vitit.

Ajo thekson gjithashtu se pas përfitimit nga amnistia, personat recidivistë dalin totalisht jashtë vëmendjes së inspektorëve të AKU-së apo të Policisë së Shtetit.

“Vëmendja e inspektorëve të AKU ndaj këtyre personave të proceduar është zero, gjithashtu dhe e Policisë së Shtetit. Këta persona nuk mbahen më në vëzhgim, pasi ndryshojnë edhe vendin e ushtrimit të aktivitetit kriminal,” shton prokurorja.

BIRN mësoi përmes dokumenteve gjyqësore se kompania “Brilant” e Xhavit Kasemit ishte kontrolluar 5 herë nga inspektorët e AKU-së, përpara se rasti të denoncohej në emisionin “Stop” dhe ishte certifikuar prej tyre.

Ndonëse në punishte u gjetën pije alkoolike false të markave “Gin”, “Jonny” apo rum, inspektorët e AKU-së së Shkodrës deklaruan se “stabilimenti kishte kushte të përshtatshme higjenike për kryerjen e veprimtarisë nga subjekti…”.

Inspektorët Edmond Fortuzi, Abdyl Bajraktari, Elvis Rraboshta, Hilmi Erkoçaj dhe Adnan Geci u arrestuan nga policia në kuadër të këtij procedimi, së bashku me disa punonjës të kompanisë “Briland”. Prej fillimit të vitit, Xhavit Kasemi nuk është arrestuar ende nga policia.

I kontaktuar në telefon nga BIRN, avokati i Kasemit, Bujar Hoti tha se klienti i tij është i pafajshëm.

“Kasemi ka një aktivitet të regjistruar në Tatime dhe QKR dhe në gjykimin tonë kjo është e mjaftueshme për të ushtruar aktivitet tregtar,” tha Hoti.

Avokati refuzoi t’i përgjigjej pyetjes nëse klienti i tij ishte pajisur me leje nga AKU, duke thënë se nuk mund të jepte detaje pa miratimin e klientit të tij.

Drejtori i sapongjitur në krye të AKU, Agim Ismaili i tha BIRN se gjatë vitit 2017 institucioni që ai drejton ka dërguar kallëzime për 6 subjekte dhe administratorët e tyre. Por ai paralajmëroi kontrolle për teologët dhe biologët, që sipas tij lëshojnë firma për çdo produkt ushqimor që prodhohet “në kushte mizerabël”.

“Institucionet duhet të marrin masa për biologët-teknologët dhe urdhërat e profesionistëve që lëshojnë. Nëse kapen apo konstatohet dokumenta që janë lëshuar vend e pa vend, këto urdhra duhet të hiqen dhe këta persona të mos ushtrojnë profesionin e tyre për një periudhë të caktuar kohe…,” tha Ismaili.

Ai shtoi gjithashtu se ligji u jep zgjidhje shumë situatave, duke ia hedhur përgjegjësinë moszbatimit të tij në të shkuarën si dhe kritikoi politikën e gjobave, që sipas tij kanë qenë në vlera qesharake.

“Në peridhën e kaluar gjobat kanë qënë të shumta, por sipërfaqësore, me vlera qesharake në aspektin e shkeljeve të konstatuara. Si të thuash si gjobat e policisë rrugore,” përfundoi ai.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA