A. Fetahu: shkarkimi i Metës varet nga votat, veprat penalo-juridike dhe gjykata kushtetuese
Se sa do të mund ta shkarkojnë nga pozita presidentin Meta, varet nga sigurimi i numrit te nevojshëm të votave për shkarkim, nga veprat që i ngarkon pozita dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në cilësimin e veprave që i ngarkohen.
Adil Fetahu
03/05/2021 - 19:27
Ka kohë që pozita ka vërejtje serioze ndaj sjelljes dhe veprimeve të Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta dhe disa herë është kërkuar dorëheqja e tij. Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, dhe fitores absolute të Partisë Socialiste që ishte në pushtet, janë shtuar zërat dhe kërkesat që Presidenti i Republikës ose të japë dorëheqje, ose do të nisë procedura për shkarkimin e tij. Dhe meqenëse z.Meta nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga pozita, tashmë ka nisur procedura e mbledhjes së nënshkrimeve të nevojshme të deputetëve të Parlamentit për nisur procedurën e shkarkimit. Por si është procedura e shkarkimit të Presidentit? Sipas nenit 90 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e miratuar më 21 tetor 1998, dhe azhurnuar më 21 prill 2008Ç
1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi politike për aktet e kryera në ushtrimin e detyrës së tij.
2. Presidenti i Repubikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pa se një e katërta (1/4) e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështet nga jo më pak se dy të tretat (2/3) e të gjithë anëtarëve të tij.
3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetutese, e cila kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republiës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
* * *
Nga interpretimi i lirë i dispozitës së cituar të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, del se Presidenti mban përgjegjësi vetëm penalo-juridike në ushtrimin e detyrës së tij, dhe atë vetëm në rast të shkeljes së rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e ndonjë krimi të rëndë. E kur është fjala për Presidentin e shtetit, nocioni “krimi i rëndë” nënkupton tradhti ndaj athdheut. Sipas këtij kuptimi, Presidenti nuk ka përgjegjësi politike, por ka përgjegjësi penale-juridike, nëse vërtetohet se ka kryer vepër të rëndë penale, në radhë të parë të tradhtisë së atdheut. Se sa do të mund ta shkarkojnë nga pozita presidentin Meta, varet nga sigurimi i numrit te nevojshëm të votave për shkarkim, nga veprat që i ngarkon pozita dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në cilësimin e veprave që i ngarkohen.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 9 reads



