...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Më shumë se 99% e ndërmarrjeve shqiptare drejtohen primitivisht

Një vrojtim i Bankës Botërore te bizneset e vogla dhe të mesme që përbëjnë 99% të totalit të bizneseve në vend gjeti se ato operojnë në mungesë të plotë të praktikave të menaxhimit financiar dhe në përgjithësi, me intuitë. Gjysma e sektorit është në informalitet dhe pjesa e informalizuar ka menaxhim primitiv

Monitor

29/06/2019 - 16:52

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri zënë 99% të totalit të bizneseve, kontribuojnë me 81% në totalin e punësimit dhe kontribuojnë në 67% të qarkullimit, por ato vuajnë nga menaxhimi i dobët, informaliteti i lartë, cektësia financiare dhe mungesa e teknologjisë. Një anketim i Bankës Botërore, që u zhvillua në fund të vitit 2018 me bizneset e këtij sektori, gjeti se këto biznese operojnë në mungesë orientimi, pronarët e tyre ende përdorin intuitën. Kërkesa e tyre për shërbime të menaxhimit financiar, që mund të ndihmojnë rritjen e biznesit është shumë e ulët, ose nuk ekziston në shumicën e rasteve.

Mbajtja e pasqyrave financiare shpesh kryhet nga persona që nuk janë të kualifikuar mjaftueshëm. MSME-të në përgjithësi konsiderohen se kanë të dhëna të dobëta kontabël, të cilat ndikojnë negativisht në cilësinë e raporteve të tyre financiare. Përveç kësaj, integriteti i të dhënave shpesh komprometohet nga përdorimi i tepruar i programeve Excel, që është lehtësisht i manipulueshëm. Shumica e bizneseve nuk e kuptojnë rolin që ka menaxhimi financiar, pasi ky është çelësi që ndihmon rritjen e biznesit në të ardhmen. Shpesh këshillat në drejtim të menaxhimit financiar kanë kosto dhe bizneset i shmangin ato.

Raportimi financiar i SME-ve nuk është i besueshëm

Cilësia dhe besueshmëria e pasqyrave financiare të lëshuara nga SME-të në përgjithësi është e dobët. Përgjithësisht, bizneset e këtij sektori operojnë me më shumë se një bilanc. Shumica e SME-ve nuk i identifikojnë rreziqet që lidhen me biznesin e tyre dhe prandaj nuk tentojnë t’i menaxhojnë ato. Rreziku kyç për SME-të është se, përgjithësisht në periudha rënie, nuk e menaxhojnë dot shlyerjen e borxheve. Rreziqe të tjera të rëndësishme që hasen nga SME-të mund të përfshijnë kursin e këmbimit dhe rreziqet që lidhen me ndikimin familjar, që i drejton ato.

Teknologjia e vjetruar ka kosto

SME-të në përgjithësi përdorin teknologji të vjetruara dhe relativisht të shtrenjtë. Për shembull, përdoren ende disa paketa të kontabilitetit; SAP, Pastel, Caseware dhe sistemet e programeve ERC. Këto paketa e kanë licencën të lirë, por nga ana tjetër kanë kosto të lartë mirëmbajtje. SME-të do të përfitonin nga qasja në softuerin kontabël të bazuar në cloud të MSA që mund të jetë më pak i shtrenjtë, por ofron analiza të përmirësuara në funksionet e raportimit.

Në fillim të viteve 2000, Shqipëria ishte një nga ekonomitë në rritje më të shpejtë në Europë, me norma vjetore të rritjes reale 5% deri në 6%, kryesisht të nxitura nga remitancat. Që nga viti 2008, rritja reale e PBB-së në Shqipëri është ngadalësuar ndjeshëm, shkaktuar nga kriza globale financiare. Rritja ekonomike mesatarisht ishte më pak se 3% në vit në terma realë midis 2009 dhe 2012, dhe në një mesatare prej 1.9% në vit gjatë 2013-2015. Rritja e PBB-së për vitin 2018 ishte mbi 4%, mbështetur nga prodhimi i energjisë dhe një sezon i mirë turistik. Megjithatë, ajo parashikohet të ngadalësohet në rreth 3.5% deri në 2019-2020. Hendeku i prodhimit gradualisht po mbyllet. Por rritja gjithëpërfshirëse kërkon angazhim për të trajtuar sfidat strukturore, si mjedisi i biznesit, siguria energjetike dhe kapitali njerëzor.

Informaliteti 50%

SME-të në Shqipëri janë kontribuues të rëndësishëm në ekonomi. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në aspektin e punësimit, shitjeve dhe vlerës së shtuar. Sipas INSTAT, në vitin 2017, 99% e ndërmarrjeve aktive ishin SME, ku 41.4% e tyre ishin në sektorin e tregtisë dhe 20.8% në sektorin e shërbimeve.

Numri i SME-ve të regjistruara është rritur gjatë viteve, por sektori vijon të jetë 50% në informalitet, vlerëson studimi i BB-së.

Studimi i BB thekson se, sektori informal përfaqëson një pjesë të rëndësishme të ekonomisë në Shqipëri. Informaliteti në ekonomi (deri në 50%) vijon të jetë sfidë për administratën tatimore. Bizneset informale në përgjithësi kanë produktivitet më të ulët sesa bizneset formale. Banka vlerëson se, edhe pse Shqipëria ka miratuar një larmi të madhe rregullash për të monitoruar informalitetin e punës, zbatimi i tyre mbetet i dobët.

Sipas vrojtimit mbi mjedisin e Biznesit dhe Performancës së Ndërmarrjeve (BEEPS V), praktikat e konkurrentëve në sektorin informal ishin problemi i dytë më i madh për firmat shqiptare. Më shumë se 40% e firmave të anketuara kanë raportuar se konkurrojnë me bizneset në sektorin informal. Kjo konkurrencë është më e lartë në mesin e SME-ve, ku 41% e tyre raportojnë të konkurrojnë ndaj bizneseve të paregjistruara, krahasuar me 27.8% në kompanitë e mëdha.

Në shtator të vitit 2015, qeveria nisi një fushatë kundër informalitetit me kontrolle masive, ku u zbatuan edhe gjoba kundër tregut informal. Masat synuan rritjen e regjistrimit të kompanive, deklarimin më të madh të punonjësve, përmirësimin e mbledhjes së taksave. Banka vlerëson se për të lejuar bizneset që të kontribuojnë më mirë në ekonomi, është e rëndësishme që qeveria të vazhdojë të investojë në mënyrë të konsiderueshme në formalizmin e SME-ve, përmes përpjekjeve që shkojnë përtej regjistrimit të thjeshtë.

Shumë kontabilistë, por pa cilësi

Programet e trajnimit për kualifikimin e kontabilisteve nuk janë të përshtatshme, me qëllim që të sigurojnë monitorim efektiv të bizneseve. Disa pronarë të SME-së treguan se kontabilistët janë shpesh të papërgatitur dhe nuk e justifikojnë diplomën që zotërojnë. Ky opinion i bizneseve mund të përkeqësojë më tej kërkesën për shërbime nga ky profesion. Mbështetur në intervistat me ekonomistë dhe kontabilistë, ata treguan se kanë mundësi të kufizuara për trajnim profesional, për të ofruar këshilla të vlefshme për SME-të përtej shërbimeve tradicionale. Përgjithësisht, ata që mbajnë pasqyrat financiare të SME-ve kanë mungesë aftësish për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve që ndikojnë në aktivitetin e biznesit.

Paradoksi qëndron në aktin se Shqipëria ka shumë organizata profesionale që lidhen me kontabilitetin në krahasim me madhësinë e ekonomisë që ka. Por organizatat duhet të unifikohen me një zë unik për profesionin para qeverisë.

Pronarët e SME-së treguan se cilësia e punës që bëjnë shumica e kontabilistëve është e ulët. Për më tepër, kontabilistët mund të jenë bashkëpunëtorë me pronarët që nuk përmbushin detyrimet e ligjore, sepse ata thjesht u binden dëshirave të pronarëve. Situata thekson rëndësinë që PAO-të të krijojnë mekanizma për të monitoruar cilësinë e punës së bërë dhe sjelljen e tyre profesionale dhe aty ku është e nevojshme, duhet të vendosin sanksione efektive për të shmangur praktikën joprofesionale dhe punën me cilësi të dobët. Kjo situatë po e bën më të vështirë adresimin e informalitetit.

SME-të në Shqipëri në përgjithësi kërkojnë vetëm shërbime të menaxhimit financiar sa për të përmbushur kërkesat ligjore, si përgatitja e pasqyrave vjetore financiare dhe komunikimi me tatimet dhe kryerja e auditimeve kur kërkohet. Zakonisht, ata tentojnë t’i marrin këto shërbime me sa më pak kosto.

Shpesh pronari ose një anëtar i familjes mban të dhënat financiare të kompanisë. Aty ku SME-të nuk mund të përballojnë shpenzimet për këtë shërbim, ata punësojnë një person të jashtëm për të mbajtur llogaritë. Në shumicën e rasteve, personi që kryen këtë punë nuk është kontabilist profesionist dhe ka aftësi të kufizuara në kontabilitet dhe financa. Ky nuk mund të ofrojë këshilla dhe mbështetje për menaxhimin financiar që shton vlerën dhe ndihmon SME-të të menaxhojnë më mirë shëndetin e tyre financiar dhe të marrin vendime të shëndosha që mund të çojë në rritjen e bizneseve të tyre.

Në SME-të e mëdha, ofruesi i jashtëm i shërbimit zakonisht angazhohet për të siguruar shërbimet e kontabilitetit me një tarifë minimale në muaj. Tarifa e paguar për ofruesin e shërbimeve varion nga 50 – 300 euro, varësisht nga madhësia e kompanisë dhe përgjithësisht konsiderohet tepër e ulët për të mbështetur ofrimin e shërbimeve cilësore.

Shërbimet e kontabilitetit jepen ndonjëherë nga njerëz që nuk janë të kualifikuar si kontabilistë profesionistë. Cilësia e dobët e shërbimit tenton të dëmtojë reputacionin e ofruesve të shërbimeve në përgjithësi, duke përfshirë kontabilistët profesionistë që po kryejnë gjithashtu shërbime me kosto të ulët dhe me cilësi të ulët.

Në përgjithësi, pronarët e SME-ve konsiderohen se marrin vendime të rëndësishme financiare, duke përdorur vetëm intuitën e tyre pa informacion të mjaftueshëm ose këshilla nga këshilltarët e kualifikuar dhe të besuar të biznesit (p.sh. anëtarët e profesionit të kontabilitetit, konsulentët dhe këshilltarët financiarë dhe personeli bankar).

Kjo praktikë duket se rrjedh prej mungesës së të kuptuarit në lidhje me rolin e funksionit të financave dhe të menaxhimit të tyre si themelore në rritjen e biznesit dhe arritjen e planeve. Ndërkohë, praktikat e kaluara tregojnë se bizneset e SMV-ve e kanë shmangur këshillimin financiar për shkak të kostove të larta dhe mungesës së cilësisë së shërbimit.

Edhe në rastet kur ka punonjës që e kryejnë me profesionalizëm profesionin e kontabilistit dhe financierit, pronarët priren të mos kërkojnë këshillën e tyre. Ndërsa në SME-të e mëdha, disa pronarë kanë krijuar marrëdhënie besimi me bashkëpunëtorë të jashtëm të kontabilitetit dhe pranojnë udhëzimet dhe këshillat e tyre për çështjet financiare. Pronarët e bizneseve, në të shumtën e rasteve, nuk e dinë rëndësinë e rolit të kontabilistëve profesionistë.

Dhoma e Tregtisë ofron pak shërbime

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë me 12 njësi lokale ka kryer anketime për të përcaktuar çështjet me të cilat ballafaqohen SME-të për t’i përcjellë më tej shqetësimet e tyre për zgjidhje në takimet me qeverinë. Dhoma tregoi se sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen SME kanë të bëjnë me konkurrencën e bizneseve informale, ndryshimet e shpeshta të ligjeve fiskale dhe normat e larta të interesit të huave bankare. Anëtarët e intervistuar treguan se Dhoma duhet të rrisë shërbimet dhe përfaqësimin e SME-ve.

Gjithashtu, Dhoma ofron kurse trajnimi për SME-të, megjithëse cilësia e tyre është e diskutueshme. Këto kurse ofrohen kryesisht në Tiranë dhe ato konsiderohen të shtrenjta. Përveç kësaj, u pranua se seancat rrallë adresojnë kërkesat dhe zhvillimet e menaxhimit financiar.

Bankat zbulojnë dobësitë menaxhimit financiar të SME-ve

Shumica e bankave që operojnë në Shqipëri vlerësuan se menaxhimi më i mirë financiar është i rëndësishëm. Të gjithë deklaruan se praktikat e menaxhimit financiar të SME-ve në Shqipëri janë të dobëta ose kërkojnë përmirësime. Bankat e anketuara treguan se mungon bashkëpunimi ndërmjet pronarëve të SME-ve dhe kontabilistëve për të marrë një pamje më realiste. Mungojnë aftësitë profesionale në përgatitësit e pasqyrave financiare.

Sektori i SME-ve vuan edhe nga menaxhimi i dobët i burimeve njerëzore dhe mjeteve monetare. Pronarët përdorin financime afatshkurtra për investime afatgjata, shpesh për shkak të kufizimeve të vendosura nga bankat, çka e tensionon likuiditetin e tyre.

Pasqyrat financiare, sipas bankave, shfaqin dobësi në borxhin e pambuluar në palët e treta, nënraportimi i shitjeve dhe pagave të punonjësve.

Bankat pohojnë se pronarët nuk bëjnë plane afatgjata dhe nuk kanë projeksione gjatë 3-5 viteve të ardhshme. Gjithashtu, SME kanë mungesë transparence në ndarjen e informacionit financiar me bankat dhe institucionet e tjera.

Kush kërkon gjen

SAICA operon si një program i rëndësishëm në rang global për zhvillimin e SME-ve. Misioni i programit është të zhvillojë SME-të, duke ofruar një suitë të plotë të shërbimeve mbështetëse financiare të përballueshme. Është hartuar në mënyrë që të zgjidhë në mënyrë individuale problemet e SME të identifikuara për të adresuar nevojat e rritjes së biznesit të tyre duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive të tyre të biznesit, zotërimit të lidershipit, përsosmërisë financiare. Programi përmirëson normën e mbijetesës së fillimit, duke i ndihmuar ata të bëhen financiarisht të qëndrueshëm

Programi përfshin tri fusha të fokusuara:

1-Përsosmëria financiare, që fokusohet te shërbimet e kontabilitetit për SME-*të duke mbuluar disiplinën në llogaritë e menaxhimit, buxhetimin, përputhshmërinë ligjore, sistemet e pagave dhe praktikat tatimore në vend).

2-Zotërimi i Aftësive të Biznesit. Zhvillimi i aftësive të biznesit, planet e zhvillimit të biznesit, raportet gjithëpërfshirëse të biznesit, bordi këshillues sipërmarrës dhe ndërhyrje të tjera të rritjes së biznesit sipas nevojave individuale të biznesit. Në këtë drejtim, programi përfshin bashkëpunimin me organizata të tjera në furnizimin e SME-ve.

3-Vetëzotërim dhe drejtim. Zhvillimi i drejtimit të SME-ve nëpërmjet analizës së zhvillimit personal, monitorimit të planeve të zhvillimit personal dhe aftësive të burimeve njerëzore.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA