Megaskandal: Skavicën e ndërtojnë britanikët në shkëmbim të kthimit të 12 mijë shqiptarëve dhe pispillosjes së shtetit
Faktori e brendshëm, si krimi i organizuar, është shtysa kryesore e largimit, sipas analizës, ndërsa faktori i jashtëm lidhet me përqindjen e pranimit
Ylli Përmeti
16/10/2022 - 09:40
Rama përsëriti edhe një herë rrëfenjën e tij lidhur me ikjen e shqiptarëve në Kongresin e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë në Berlin, duke iu përgjigjur kërkesës së Britanisë për të marrë masa për t`i ndaluar ata: ai tha, “Po si mund të jetë puna e qeverisë së Shqipërisë që të vërë rregull në kanal atje? Nuk e di”. Për të mbrojtur argumentin e tij ai përdori detyrën e demokracive perëndimore për të vepruar së bashku, “jo vetëm sa i takon solidaritetit, por edhe për objektivat e përbashkëta”, duke nënkuptuar se perëndimi duhet të ndihmojë ekonomikisht më shumë Shqipërinë për të mbajtur shqiptarët brenda vendit! Krahas këtij argumenti ai përdori dhe përrallën bajate se qeveria e tij ka pritur një sërë popujsh vitet e fundit, afganët dhe iranianët, sepse ne jemi popull mikpritës duke e ilusturar me sjelljen tonë ndaj izraelitëve në luftën e dytë botërore.
Ndërsa ngatërron qëllimshëm arsyet se pse izraelitët u mbrojtën nga populli ynë në atë kohë me arsyet se pse ai solli iranianët dhe afganët, një analizë e “The Sunday Times”, një ditë pas qendrimit të Ramën në Berlin, tregon se shqiptarët në Britani kanë thyer rekorde të rinj.
Sipas saj, ndryshe nga e kaluara, Ngushtica e Lamanshit është bërë “shtegu” kryesor (thoroughfare) i hyrjes në Britani, pavarësisht rreziqeve. Që nga viti 2018 numri i njerëzve që hyjnë atje është rritur nga 13,377 në 36,792 vitin e kaluar ose të paktën 125.000 njerëz hynë në mënyrë të parregullt pesë vitet e fundit, numër që është i barabartë me madhësinë e Kembrixhit.
Në vitin 2021, shumica ishin nga Irani, duke u ndjekur nga Iraku, Eritrea, Siria dhe Afganistani.
Por këtë vit shumica ishin nga Shqipëria, duke zënë 17 për qind të gjithë emigrantëve. Përqindja e pranimit të tyre është 52 për qind, krahasuar me 8 për qind në Francë dhe zero në Suedi dhe Gjermani. Shumica e britano-shqiptarëve janë gra, disa viktima të trafikimit. Faktori e brendshëm, si krimi i organizuar, është shtysa kryesore e largimit, sipas analizës, ndërsa faktori i jashtëm lidhet me përqindjen e pranimit: 76 për qind u jepet leje në vendimin e parë ndërsa në BE përqindja është 34 për qind.
Nga ky realitet dhe qendrimi i Ramës kuptohet se bëhet fjalë për një paturpësi të padëshmuar ndonjë herë nga kryeministri ynë.
Kërkesës së nënkuptuar të Ramës nga Berlini për ndihmë ekonomike nga Britania për frenimin e mërgimit të shqiptarëve, Londra iu përgjigj me miratim pas 20 ditësh. Sipas raportit të gazetës “The Telegraph”, me titull, “Britania do t`i japë Shqipërisë miliona për të pispillosur shtetin dhe ndalojë mërgimtarët që duan të ikin”, Britania do të dërgojë miliona stërlina për të ndihmuar në bindjen e mërgimtarëve të qendrojnë në atdhe.
Ajo do të financojë skema të mëdha nënstrukturore për të krijuar mijëra vende pune dhe të përmirësojë lehtësira lokale në zona ku të rinjtë shqiptarë janë larguar tashmë për të shkuar në Britani. Ato përfshijnë një digë të re masive hidro-elektrike, parqe industriale, skema mjedisore dhe hapësira argëtuese në veri të Shqipërisë, i cili ka tashmë lidhje të ngushta me Britaninë që në eksodin e parë të madh pas luftës në Kosovë. Bashkë me këtë përpjekje Britania synon të dëbojë mijëra shqiptarë të cilët kanë udhëtuar në Britani 10 muajt e fundit.
Bëhet fjalë për rreth 12 mijë shqiptarë. Zyrtarët tanë i kanë thënë gazetës se nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes marrëveshjes mbi mërgimtarët dhe ndihmën e huaj “por pranohet si mbështetje jetike për të ndaluar mërgimin masiv të rinisë shqiptare. Rreth 9 milionë stërlina do të përdoren për zhvillimin e zonës rreth qytetit të Hasit dhe Kuksit”.
Gazeta nuk harron të citojë “nderin” e qeverisë “Rama”: sipas saj, “Departamenti për Tregti ndërkombëtare priti një panair tregtar për të ndihmuar ndërmarrjet britanike të fitojnë kontrata për të ndërtuar digën e Skavicës, pranë Kuksit. Agjencia e kreditit të ministrisë së eksporteve pritet të sigurojë dhjetra milionë stërlina për të siguruar çmimin (ose ofertën)”.
Për të zbutur “nderin” e qeverisë “Rama” gazeta citon disa financime të qeverisë britanike në vendi tonë: projektet shumë-milionëshe për të luftuar krimin e organizuar dhe injektimin (për të cilin palët janë pajtuar muajin e kaluar) e më shumë se 4 milionë stërlinave për modernizimin e laboratorëve të mjekësisë ligjore për të rritur aftësinë e saj. Ministria e jashtme britanike ka dhënë, gjithashtu, 2 milionë stërlina për rindërtimin e një stacioni policor në aeroportin Nënë Tereza në Tiranë.
Për ndërtimin e Skavicës janë interesuar dy vitet e fundit amerikanët. Por si duket, ose “ua drodhi” Rama dhe nuk ua dha, ose amerikanët hoqën dorë nga ndërtimi i saj. Nëse kanë hequr dorë, kanë vepruar mirë, sepse, siç kam treguar në vend tjetër, dëmet tejkalojnë dobitë.
Sidoqoftë, fakt është se Rama po e përdor ndërtimin e Skavicës aktualisht për zgjedhjet e vitit tjetër. Por është e qartë se Rama po shkëmben ndërtimin e Skavicës, i cili sipas amerikanëve shkon në rreth 550 milionë euro, me kthimin e 12 mijë shqiptarëve dhe disa financime britanike që nuk janë as 50 milionë euro!
Strategjia e Ramës dhe e britanikëve, rrjedhimisht, ishte si vijon: Rama mban qendrim gjoja “kritik” ndaj kërkesës britanike për frenimin e mërgimtarëve ndërsa paralelisht përparonte marrëveshja mes palëve me palën tonë t`i krijojë lehtësira ligjore britanikëve lidhur me fitimin e kontratës për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës ndërsa pala britanike të propagandojë fort ndihmat prej miliona stërlina!
Ky raport është përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 126 reads