...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Miratohen ndryshimet e taksave dhe rritja e pagave për vitin 2019

Kuvendi miratoi dje Buxhetin dhe Paketën Fiskale, në fuqi nga 1 janari. Sa rriten pagat për mjekët, infermierët, ushtarakë dhe kategoritë e tjera. Ndryshimet në taksa vitin e ardhshëm, cilët sektorë dhe individë përfitojnë nga politikat lehtësuese fiskale

Shqiptarja.com

04/12/2018 - 10:46

Nga sektorët e ndryshëm të bujqësisë e turizmit, tek fasonet, një pjesë e pagave të larta, biznesi i vogël, të gjitha këto janë përfshirë në një paketë politikash lehtësuese e nxitëse nëpërmjet ndryshimit në pagesa të tatimeve e taksave, të tilla si TVSH, tatimi mbi të ardhurat, taksat vendore, etj. Buxheti parashikon për vitin e ardhshëm rritje pagash për një numër të konsiderueshëm punonjësish të administratës, si ushtarakë, mësues, mjekë, infermierë, etj. 35 mijë mësues dhe edukatorë të të gjitha niveleve parauniversitare, 4.650 mjekë, 13.765 infermierë dhe 6.800 ushtarakë nga 1 prilli i vitit të ardhshëm do të kenë rritje të pagave nga 5 deri në 10 për qind për këto kategori të buxhetorëve. Ndërkohë, nisur edhe nga shqetësimi i opinionit publik, pas ngjarjes së dhimbshme të dëmtimit të dorës së polices së “Shqiponjave” prej kapsollave të hedhur gjatë një manifestimi pranë Kuvendit parlamenti ka vendosur të mos miratojë propozimin e qeverisë për të hequr fishekzjarrët nga detyrimi për pagesën e akcizës.

Tatimi mbi të ardhurat

Sipas një propozimi të ardhur nga ministria e Financave, të miratuar dje në Kuvend, nga 1 janari 2019 rritet fasha e të ardhurave, që tatohen me normën 13%, nga 130.000 lekë/muaj në 150.000 lekë/muaj. Nga kjo përfitojnë rreth 15.400 punëmarrës, shumica e të cilëve punojnë në sektorin privat, që taksoheshin me normën më të lartë: 23%.

Kjo lëvizje “korrigjuese” integrohet me ndryshime të tjera në kuadër të tatimit mbi të ardhurat, që janë miratuar në korrik të këtij viti, e që parashikojnë uljen e tatim fitimit nga 15%, në 5% për tatimpaguesit me qarkullim nga 8 milionë deri në 14 milionë lekë (rreth 10.850 biznese, ose gjysma e bizneseve që paguajnë tatim fitimin); uljen e tatim fitimit nga 15%, në 5% për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Ky ndryshim vjen në vazhdimësi të ndryshimeve të tjera që kanë përfituar gjatë këtij viti këto shoqëri, siç është dhe rimbursimi i TVSH-së në masën 20 %, apo subvencionimi, investimi në kullim dhe ujitje dhe asistenca financiare e BE-së.

Po kështu, për zhvillimin e sektorëve të veçantë të turizmit, siç është dhe agroturizmi, është miratuar aplikimi i një norme të reduktuar të tatim fitimit në masën 5 %, për një periudhë 10 vjeçare. Ndryshimin e sipërpërmendur e përfitojnë të gjithë ato struktura akomoduese të cilat do të përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi” nga 1 janari 2019 deri më 31 dhjetor 2021. Ndërkohë, u miratua lehtësimi i barrës fiskale për 20 mijë biznese, ose mbi 50 mijë investitorë të kapitalit, nëpërmjet uljes së normës së tatimit mbi dividentin, të ardhurave që rrjedhin si fitim i ortakut dhe nga ndarja e fitimit nga 15%, në 8%.

TVSH

Kuvendi ka miratuar nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në fushën e shifrarizimit të mediave audiovizive përmes aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH në nivelin 6%, për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive (televizionet). Po kështu, nxitjen dhe zhvillimin e “transportit publik të gjelbër” pra transportit eko–miqësor, që nuk ka ndikim negativ në mjedis, duke miratuar aplikimin e një shkalle të reduktuar të TVSH në nivelin 10 %, për furnizimin e mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me autobus me dhjetë vende ose më shumë, vetëm me motor elektrik. Kjo politikë vlerësohet se do të ndikojë në stimulimin e zëvendësimit të autobusëve me naftë me autobuzë elektrik. 

Më tej, janë përfshirë në kategorinë e veprimtarive me interes të përgjithshëm, të përjashtuar nga TVSH-ja edhe furnizimi i makinave bujqësore, i cili aktualisht është furnizim i përjashtuar vetëm në import. Po kështu, u përjashtuan nga TVSH edhe furnizimet e nënkontraktorët e shoqërive “fason” dhe importimi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave, me përjashtim të lëndëve të para me përdorim të dyfishtë.

Akcizat



Kuvendi ka rrëzuar propozimin qeveritar për heqjen e akcizës për fishekzjarrët, ndërkohë që akcizës tani do t’i nënshtrihet edhe duhani që përdoret në cigarette elektronike. Nga ana tjetër, u vendos ndryshimi i nivelit të akcizës për produktin e “duhanit të grirë”, “purot”, “cigarillos dhe cigaret me zëvendësues duhani”, nga 4.400 lekë/kg që është aktualisht, në masën 6.000 lekë/kg. Ndërkohë, është lënë i pandryshuar niveli i akcizës, në masën 2.500 lekë/kg, për duhanin e prodhuar brenda vendit me gjethe të duhanit nga bimë të kultivuara në Shqipëri.

Taksat vendore



Kuvendi vendosi që, nga data 1 janar 2019, përjashtohen nga taksa e ndërtesës, jo vetëm ndërtesat e banimit të familjeve që përbëhen vetëm nga pensionistë, por edhe të familjeve të pensionistëve, që kanë persona të tjerë në ngarkim, të cilët janë të paaftë për punë, vetëm për ato ndërtesa të deklaruara si vendbanim. Ndërsa ndërtesat kulturore sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës/ trashëgimisë kulturore do të përfitojnë përjashtimin nga taksa e ndërtesës vetëm për rastet kur këto ndërtesa përdoren për qëllime jofitimprurëse. 

Nga ana tjetër, është vendosur që shkalla e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet zëvendësuese për qëllime banimi, të kushtëzuara për t’u ndërtuar si shkak i zbatimit të një kontrate koncesionare, e cila prek banesat ekzistuese dhe ndërtimet e destinuara për qendra tregtare apo të biznesit, do të jetë 4-8% të çmimit të shitjes për metër katror.

Përveç ndërtesave në sektorin e turizmit, industrisë dhe ndërtesave për qëllime publike, do të taksohen në një shkallë 1-3% (2-4 % për Bashkinë Tiranë) edhe ndërtesat e sektorit të bujqësisë, ndërtesat individuale për qëllime të përdorimit vetjak nga individët, qofshin këto të ndërtuara vetë nga individi apo nga ndonjë sipërmarrës. Ndërsa për ndërtesat që janë në proces legalizimi dispozita e rifomuluar kushtëzon marrjen e lejes së legalizimit vetëm pasi të jetë vertetuar pagesa e taksës prej 0.5% e vlerës së investimit.

Procedurat



Sa u përket ndryshimeve në ligjin për Procedurat Tatimore, është vendosur që personi fizik mund të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, me të njëjtin numër të identifikimit personal, vetëm një herë dhe do të mund të regjistrohet e pajiset me një NIPT/NUIS të ri, vetëm pas çregjistrimit të atij ekzistues.

Gjithashtu, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë, personi fizik tregtar, do të pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, për të mundësuar identifikimin e vendndodhjes të kësaj veprimtarie të re. Nga ana tjetër, kalimi i tatimpaguesit në regjistrin pasiv është vendosur me ligj që të bëhet vetëm pas pagimit të të gjitha detyrimeve tatimore të tatimpaguesit. Ky përcaktim mendohet do të mbyllë shtegun për kalimin në regjistrin pasiv të një aktiviteti sa herë që evidentohet detyrime tatimore të papaguara, duke mos lejuar shtimin e nivelit të borxhit të pambledhshëm.  

Doganat

I vetmi amendim që nuk u miratua ishte ai për ndryshimin e regjimit të taksimit doganor për pajisjet frigoriferike.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA