...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndriçimi i 12 pyetjeve të qeverisë “Rama” dhe nevoja për një shuplakë popullore

Rama pyetjet e tij i quan “strategjike”. Por vetëm dy prej tyre kanë karakter “strategjik”; të tjerat janë me karakter shoqëror

Ylli Përmeti

29/01/2022 - 18:06

Pak javë pas mashtrimit me shtrembërimin e konceptit të “kuvendit popullor” lidhur me nismën për të dërguar një pyetësor me 12 pyetje në popull, Rama mbajti një qendrim lidhur me të në një televizion të korruptuar: Top Channel! Ai tha se qeveria e tij është në dilemë lidhur me pyetjet përkatëse ― ndaj zgjodhi rrugën e “kuvendit popullor” ose siç e quajti ai ndryshe “këshillimit kombëtar! Rama nuk ngurroi të publikonte një spot ku fton shqiptarët për “këshillim kombëtar”. Spotin e shoqëroi me muzikën e dashur të filmit “shtëpia jonë” për t`i dhënë nismës së tij të njëjtin karakter. Ai pyetjet e tij i quan “strategjike”. Por vetëm dy prej tyre kanë karakter “strategjik”; të tjerat janë me karakter shoqëror ndërsa në tërësi spoti shoqërohet me fjalë të zbrazëta: pa kuptim. 

Mashtrimi i Ramës me “kuvendin popullor” për “Ballkanin e Hapur” dhe gjysmë të vërtetat e Fatos Tarifës

Ndërsa të qënit në dilemë është njerëzore, për një qeveri me dije ose arsyetim të drejtë, nuk duhet të kishte asnjë mëdyshje lidhur me politikat e saj ndërsa gazetarët në fjalë e shtruan çështjen njësoj siç e shtroi Fatos Tarifa: se ato janë çështje “ekspertësh” dhe jo për popullin! Kështu vërtetuan edhe një herë se punojnë jo për të ndihmuar në përfshirjen e popullit në vendimarrje ―përkundër Kushtetutës, e cila e këshillon përfshirjen e tij―por për ta penguar atë!

Kujtoj se Kushtetuta jonë citon se “populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti” (Neni 2, pika 2), ku me fjalën “drejtpërdrejt” kuptohen referendumet dhe jo asambletë popullore! Ndaj dhe shpesh herë demagogët aktualë kur flasin me “demorkaci të drejtpërdrejtë” kuptojnë referendumet dhe jo asambletë popullore! Por qoftë edhe këtë të drejtë gazetarët dhe “ekspertët” e tipit “tarifa” mundohen ta uzurpojnë.

Por le t`u kthehemi pyetjeve për të cilat qeveria është në dilemë dhe pret t`i qartësojë ato nga populli dhe t`u japim përgjigje. Qëllimi është t`i japim një shuplakë qeverisë jo vetëm sepse shtrembëron konceptin e “kuvendit popullor” por edhe sepse shumë nga pyetjet që ngre nuk janë qartësuar në popull nga “ekspertët” e medias dhe universiteteve. Dhe për sa kohë që nuk janë qartësuar për aq kohë populli s`mund të ketë mendim të drejtë. Kështu së pari qartësohen pyetjet dhe më pas ftohen shqiptarët t`ia dërgojnë ato qeverisë pas bashkë me pyetësorin. Nëse arrijmë t`ia dërgojmë asaj në shumë kopje, ne mund t`i japim asaj një shuplakë vërtet të mirë!      

Pyetjes së parë të qeverisë “Rama” ―se nëse “nënat që rrisin tre ose më shumë fëmijë të mitur duhet të përfitojë mbrojtje të veçantë nga shteti”―mund t`i përgjigjemi me një Po të madhe por duhe qartësuar drejt çështja lidhur me punësimin e prindërve dhe edukimin e fëmijëve: do të kontribojmë për t`i degdisur jashtë vendit kur të rriten apo do t`i edukojmë me atdhedashuri me qëllim që të kontribojnë në atdhe dhe jo jashtë tij? Janë disa vende të pasura që ndihmojnë familjet me shumë fëmijë: Austria, Danimarka, Finlanda, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia etj (Shih grafikun).

Nëse qeveria nuk i jep dot përgjigje kësaj pyetje, më mirë mos ta ndërmarrë si politikë, sepse është një politikë e dështuar. Ka 30 vjet që nuk po ndalon dot ikjen masive të shqiptarëve: si do të ndalojë ajo ikjen e atyre që do të lindin për të cilët na fton të mbajmë qendrim dhe të ndihmojmë?! Kështuqë kësaj pyetje mund t`i përgjigjemi me Po vetëm nëse qeveria ndërmer politika që ushqejnë atdhedashurinë.

Pyetjes së dytë ―se Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit, duke e dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë familje dhe krime ndaj fëmijëve―mund t`i përgjigjemi me një Jo të madhe meqënse qeveria aktuale nuk lufton shkaqet e kriminalizimit të shoqërisë: papunësinë dhe mungesën e edukimit.

Pyetjes se nëse duhet të mbrohen nga shteti “të punësuarit, që denoncojnë metoda të pagave fiktive nga punëdhënësi, me dëmshpërblim në rast largimi të padrejtë nga puna kur denoncimi i tyre vërtetohet ndërsa punëdhënësi duhet të penalizohet me ashpërsim të ligjeve në fuqi” mund t`i përgjigjemi me një Po të madhe por...Shqipëria ka një “Kod Pune” të miratuar në vitin 2003 ku parashikohet gjithçka. Problemi është se punëtorët kërcënohen me papunësi ngaqë qeveria “Rama” nuk është angazhuar për punësim të plotë pikërisht për të ruajtur ofertën në treg! Përsa kohë që punëtorët kërcënohen me papunësi për aq kohë nuk do të kenë kurajë të denoncojnë padrejtësitë e pronarëve! Vlen të përmendet se kjo pyetje lidhet me zbulimet e të dhënave sipas të cilave shumë pronarë paraqesin të ardhura të rreme për punëtorët me qëllim që të ruajnë fitimet si ndaj shtetit ashtu dhe ndaj punëtorëve.

Pyetjes se “ata që kanë fituar statusin e pensionistit por që vazhdojnë të punojnë nuk duhet të paguajnë kontribute shoqërore”, duhet t`i përgjigjemi me Jo: sepse ata duhet të paguajnë kontribute, sepse nëse nuk kontribojnë, lindin padrejtësi si lidhur me shtetin i cili duhet të dijë se kush punon dhe kush jo, ashtu dhe me vetë individin i cili pikërisht sepse punon duke qenë në pension do të ketë një jetë më të gjatë se të tjerët dhe rrjedhimisht dhe nevoja financiare.

Pyetjes se “emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre duhet t`u jepet amnisti e plotë” mund t`i përgjigjemi me një jo përsa kohë që “amnisti” u jepet vetëm atyre që kanë fituar përmes rrugëve të paligjshme. Pyetja, në fjalë të tjera, është e paqartë!

Pyetjes se “Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak”, mund t`i përgjigjemi me Po për sa kohë që një pjesë e bimës në fjalë ndihmon në shumë sëmundje dhe shqetësime.

Pyetjes se “Shqipëria si vendet e tjera të Evropës duhet të vendosë detyrimin që qytetarët të paraqesin çertifikatën e vaksinimit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura dhe në tubimet e mëdha” duhe t`i shtojmë synim e një Shqipërie pa epidemi dhe pandemi, i cili është sa i dëshirueshëm aq edhe i mundshëm.

Pyetjes se “qeveria duhet të ashpërsojë gjobat dhe masat kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh”, mund t`i përgjigjemi me Jo dhe me Po për sa kohë që ashpërsimi nuk çon detyrimisht në disiplinim të ndërgjegjjeve. Nevojitet, në fjalë të tjera, një politikë që ta bëjë qytetarin patriot ―të paguajë detyrimin e tij në emër të dashurisë për atdhuen― ndërsa qeveria të jetë absolutisht e ndershme me kursimet e tij. Ndryshe vijmë vërdallë si kali që shin grurin në lëm!

Pyetjes se “qeveria duhet të tregohet më e ashpër jo vetëm me subjektet por dhe me individët që ndotin hapësirën publike” i përgjigjemi me Po por pasi të angazhohet për edukimin e popullit ―zhvillimin e virtytit të pastërtisë― dhe të prodhojë pa ambalazhe plastike. Ndryshe do të na duhet një numër tejet i madh policor kur dihet se aktualisht kemi një numër tejet të madh karahasuar me vendet e tjerë!

Pyetjes se “gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar nga Vetingu duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin” i përgjemi me Jo për sa kohë që ligji duhet të jetë e bararatë për të gjithë!

Pyetjes se për t`u anëtarësuar në BE ne duhet të ndahemi nga Maqedonia e Veriut e cila ka bllokuar procesin për shkak se ka mosmarrëveshje me Bullgarinë, duhet t`i përgjigjemi me referendum popullor pasi të jenë qartësuar në popull dobitë dhe jodobitë e integrimit në fjalë!  

Dhe pyetjes së fundit se nese “Ballkani i Hapur” është në dobi të vendit, mund t`i përgjigjemi me Jo të madhe për sa kohë që qeveria ka çensuruar të vërtetën në vend ta shqyrtojë atë hapur në popull dhe të tregojë gjithë të vërtetën e saj!   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA