Nga rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve: burrat më të korruptuar se gratë
Numri i grave magjistrate që shkarkohen për shkak të problemeve me pasurinë, profesionalizmin ose pastërtinë e figurës është 22 për qind më i ulët se ai i burrave.
Birn
12/07/2020 - 10:30
Në qershor 2019, një gjyqtare Apeli e dëgjoi mes lotëve vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e konfirmoi në detyrë. Lotët vazhduan t’i rridhnin edhe pasi doli nga salla dhe eci në këmbë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në stacionin e autobusit – diçka e rrallë për magjistratët që zakonisht priten jashtë Pallatit të Kongreseve nga të afërm me makina të shtrenjta.
Gjyqtarja u përball me një proces rivlerësimi që u fokusua kryesisht te veprimet e ish-bashkëshortit të akuzuar për korrupsion. Gruas iu desh të provonte gjatë procesit se divorci kishte qenë serioz. Vetë gjyqtares nuk iu vunë në dukje probleme.
Ajo nuk është e para magjistrate që thirret para KPK-së dhe i kërkohen shpjegime për pasurinë apo veprimet e bashkëshortit para e pas martese apo të babait. Ndërkohë, e kundërta ka qenë më e rrallë. Numri i magjistratëve burra që janë detyruar të japin shpjegime për pasurinë e bashkëshortes mund të numërohet me gishtat e një dore.
Edhe numri i grave magjistrate që gjenden me probleme nga procesi i rivlerësimit në tërësi është më i vogël se ai i burrave. Sipas një analize të BIRN bazuar mbi 199 vendime të marra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri në qershor të këtij viti, numri i grave magjistrate që shkarkohen për shkak të problemeve me pasurinë, profesionalizmin ose pastërtinë e figurës është 22 për qind më i ulët se ai i burrave.
Të dhënat tregojnë se ka një hendek gjinor në abuzim apo përfshirje të dyshuar korrupsioni mes gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vetingut. Megjithatë, ekspertet janë të kujdesshme për mënyrën se si duhet të lexohen këto të dhënat, ndërsa më shumë se sa gjinisë ia veshin diferencën roleve që kanë gratë dhe burrat në shoqëri dhe strukturës së kësaj të fundit.
Hendeku gjinor
Procesi i vetingut filloi me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në verë të vitit 2016. Ai është një proces administrativ që vlerëson magjistratët apo kandidatët për vende në sistemin e drejtësisë bazuar në tre kritere: pasurinë, figurën dhe profesionalizmin.
Tre institucione janë ngritur për këtë proces, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si shkallë e parë administrative, Kolegji i Posaçëm i Apelimit që shqyrton ankimet dhe Komisionerët Publikë që mund të ankimojnë vendimet e KPK-së nëse kanë dyshime. Ato monitorohen nga një trupë gjyqtarësh e prokurorësh të huaj njohur si Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM.
Shkarkimi i magjistratit parashikohet në nenin 61 të ligjit 84/2016 dhe për të mund të vendoset për pesë arsye që përfshijnë; deklarimin e më shumë se dyfishin e pasurisë që mund të justifikohet me të ardhura të ligjshme, kontaktet me krimin e organizuar apo kontaktet e papërshtatshme, deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, paaftësinë dhe në pikën e pestë “cënimin e besimit të publikut te drejtësia”.
Sipas statistikave të KPK-së shumica e magjistratëve testohen në të tre kriteret, por shkarkimi siç ka vërejtur BIRN është bazuar kryesisht te problemet në kriterin e pasurisë dhe pikën tre të nenit 61 të ligjit 84/2016 – “deklarimin e pamjaftueshëm” të saj. Shkarkimi për “pamjaftueshmëri të deklarimit në kriterin e pasurisë” gjendet gati në të gjitha rastet edhe kur shkarkimi është bërë për më shumë se një arsye.
Për mënyrën se si zhvillohet procesi, në të cilin magjistratët janë të detyruar të sjellin prova dhe dëshmojnë të kundërtën e akuzave para të cilave vihen, ata nuk ngarkohen me përgjegjësi penale. Shkarkimi në këtë sens nuk mund të barazohet me korrupsion, por gjasat janë që të ketë një abuzim me detyrën, fshehje të ardhurash e shkelje të ngjashme.
Të dhënat statistikore për shkarkimet janë nxjerrë nga vendimet e KPK, dhe vendimet finale në KPA. Ndërkohë një raport të ngjashëm gjinor ka edhe në ankimet e Komisionerit Publik.
Të dhënat tregojnë që burrat janë më të prekur se sa gratë nga shkarkimi. Nga totali i 199 gjyqtarëve e prokurorëve të rivlerësuar, 93 ose 47 për qind e magjistratëve që janë përfshirë në proces janë shkarkuar. Por norma e shkarkimit te burrat është 54 për qind. Kështu nga 136 magjistratë burra 73 janë shkarkuar. Ndërkohë në 63 magjistrate gra që iu nënshtruan procesit, janë shkarkuar 20 ose 32 për qind.
Edhe pse nuk ka të dhëna statistikore nga vëzhgimi i procesit problemet e një pjese të grave të shkarkuara lidhen me personat e lidhur – kryesisht me bashkëshortët dhe në disa raste me baballarët. Në këto të dhëna nuk janë marrë në konsideratë dorëheqjet dhe largimet nga sistemi për shkak të daljes në pension.
Statistikat po ashtu tregojnë për një sistem që ka qenë dhe është përgjithësisht i dominuar nga burrat. Sipas të dhënave të siguruara nga ILDKPKI nga 735 magjistratë – gjyqtarë dhe prokurorë, që ishin në listë për t'u rivlerësuar 62 për qind ishin burra dhe 38 për qind gra. Në total në gjykata në rolin e gjyqtarit janë 55% meshkuj dhe 45% femra, diferenca në prokurori janë më të thella. Në rolin e prokurorit 72% janë meshkuj dhe 28% femra.
Po ashtu është e dukshme se sa më lartë në sistem aq më i madh është hendeku gjinor. Gjykata e Lartë, para procesit të vetingut ka pasur vetëm 23 për qind të gjyqtareve gra. Pas vetingut gjykata ka vetëm 3 anëtarë – të tre burra, por procesi për plotësimin e saj është ende mjaft larg.
E ngjashme ishte situata në Kushtetuese, në të cilën vetëm 2 nga 9 anëtarët, ose 22 për qind, ishin gra. Këtu procesi i rivlerësimit dhe riformimit e ka përmbysur këtë situatë. Gjykata ka 4 anëtare dhe të katra janë gra. Po ashtu institucionet kryesore të rivlerësimit dominohen nga gra. Saktësisht 9 nga 12 komisionerët e KPK dhe 4 nga 7 gjyqtarët e Kolegjit.
Pritshmëritë dhe aksesi te rrjeti i korrupsionit
Studieset shprehen se ka një mori arsyesh që mund të prodhojnë këtë diferencë. Halo thotë se në një ambient ku burrat promovoheshin pavarësisht meritës dhe abuzimit, një grua duhej të punonte “shumëfish për të afirmuar veten edhe për të eliminuar çdo justifikim penalizues, si për shembull abuzimi me detyrën”.
Dhembo shpjegoi se shihte tre arsye në hendekun që del nga të dhënat e vetingut. Sipas saj së pari kjo mund të lidhet me raportin e gjinive me rrezikun, duke qenë se korrupsioni e ka riskun e ndëshkimit. Ajo shpjegon se djemtë nxiten të ndërmarrin më shumë risqe në jetë. Po ashtu sipas saj të rëndësishme janë dhe pritshmëritë e ndryshme ndaj gjinive.
“Pritshmëria që gratë të jenë më “të ndershme”, “më punëtore”, “më të shtruara” ngre stekën e vlerësimit për performancën e tyre dhe shton ashpërsinë e ndëshkimit”, tha Dhembo. Përndryshe ajo tha se korrupsioni duhej të shihej si kulturë më vete dhe përfshirja në të kërkonte qasje në rrjete të caktuara që ta mundësonin dhe të jepnin mbrojtje. Gratë sipas saj kishin akses më pak në këto rrjete. “Thënë më shkurt janë më të pakta dhe më të reja në lojë!”, shtoi Dhembo.
Edhe Marsela Dauti beson se shpjegim për hendekun e vërejtur në veting mund të shërbenin rrjetet shoqërore e politike në të cilat burrat kishin më shumë akses. “Këto rrjete përdoren në mënyre aktive për të bërë favore e përfituar. Rrjetet krijojnë një lloj “imuniteti’”, tha Dautaj. Ajo tha se gratë i krijonin lidhjet në këto rrjete kryesisht përmes partnerëve apo babait.
Ndryshe për Halon rrjetet e tilla funksionojnë njësoj si për gratë dhe për burrat.
“Nëse lidhjet dhe influencat politike apo shoqërore ofrojnë imunitet në një shoqëri, atëherë si gratë si burrat pjesë e rrjeteve të mbrojtura do të kenë një motivacion më shumë për të apo për tu korruptuar”, tha ajo.
Nga ana e saj Elona Dhembo tha se studimet, përtej Shqipërisë, kishin dëshmuar një “korrelacion midis shkallës së korrupsionit dhe pabarazive gjinore”. Sipas saj shoqëritë që kanë korrupsion në nivele të larta janë ato që manifestojnë edhe pabarazi gjinore më të thella.
Sipas saj pavarësisht se nuk ka prova që të na tregojnë “se gratë janë ‘natyralisht’ më pak të korruptueshme se burrat, ka evidencë që na tregon se ato në përgjithësi tentojnë të jenë më pak të përfshira në korrupsion”. Dhembo vë në dukje se një përfshirje më e madhe e grave në jetën publike është një mundësi për tu “shëruar” pjesërisht nga korrupsioni.
“Edhe nëse kjo nuk ndodh (në shkallën) që presim, të paktën do çojë në një shoqëri më të barabartë që, siç na tregon shkenca, gjasat janë të larta të shoqërohet me ulje të korrupsionit”, përfundoi ajo.
Me shkurtime*
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 12 reads



