Qeveria dështon me borxhet e prapambetura të bashkive
Në prill të vitit 2018-të Ahmetaj “kërcënoi” bashkitë me borxhe të prapambetura se do t`i paguanin nga taksat e tyre dhe nuk do të merrnin asnjë përqindje nga ministria e financave ndërsa paralelisht u diktoi disa “rrugëzgjidhje” për shlyerjen e tyre. Por pas dy vjetësh gjendja vazhdon të jetë e njëjtë! SHJ
SHJ
26/09/2020 - 16:41
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura të 61 bashkive arriti në 8.7 miliardë lekë deri në fund të qershorit, ekuivalente me 70.2 mln euro. Kështu, bashkitë jo vetëm nuk kanë përparuar me shlyerjen e tyre, por kanë rritur borxhet me rreth 570 milionë lekë ose rreth 4.6 milionë euro, krahasuar me stokun e fundit të vitit të kaluar.
Më shumë se gjysma e këtij borxhi rreth 52% e totalit i takon pagesave të pakryera për investimet nga pushteti vendor, 22% për tenderimet e papaguara për mallra e shërbime dhe 14% për vendimet gjyqësore për largimet e padrejta nga puna.
Por, kush janë bashkitë që kanë akumuluar më shumë detyrime të prapambetura?
Sipas të dhënave, niveli më i lartë u shënua në Bashkinë Tiranë me rreth 1.9 miliardë lekë apo 15.7 milionë euro, jo vetëm si rrjedhojë e përqendrimit të popullsisë në këtë njësi, por edhe për shkak të projekteve të shumta në investimet publike.
Pas saj renditet bashkia e Kavajës me 6.8 milionë euro detyrime, ndjekur nga ajo e Vorës me 3.7 milionë euro si dhe Bashkia e Pogradecit e Kamzës përkatësisht me 3.3 dhe 3 mln euro.
Ndërsa, njësitë e qeverisjes vendore më me pak borxhe rezultojnë Bashkia Pustec, Këlcyrë, Dropull, dhe ajo e Patosit me zero detyrime të prapambetura.
Megjithatë, një zerim i këtyre detyrimeve të pashlyera është thuajse i pamundur për një pjesë të këtyre njësive, kryesisht atyre të vogla që mbledhin më pak të ardhura nga burimet e veta. Top Channel
Lexo këtu qendrimin e Ahmetajt në vitin 2018.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 19 reads