Qeveria “Rama” loboi në Uashington për mbështetje politike?
PS-ja lidhi një kontratë me një firmë amerikane për të “përfituar këshillime strategjike që të promovohësh në lidhje me marrëdhëniet e saj me qeverinë e SHBA-ve”
SHJ
20/09/2022 - 08:30
Nuk kaluan shumë ditë nga sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS, i cili shërben për regjistrimin e njerëzve dhe automjeteve kur kalojnë kufirin, furacakët filluan të publikonin të dhëna lidhur me veprimet e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano, i pushuar nga puna, duke alarmuar qeverinë “Rama”. Përmbajtja e tyre nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe por prokuroria e Tiranës ndaloi median dhe shtypin për riprodhimin e tyre duke kërcënuar se ata që shkelin urdhërin do të “vendosen përpara përgjegjësisë ligjore”, sepse publikimi “cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare”.
Rama kishte deklaruar më parë se “agresioni iranian” nuk arriti qëllimin për të zhdukur apo rrjedhur të dhëna serioze―çka nënkupton se qendrimi i tij nuk bazohësh në fakte por në propagandë. Veprimin e Ramës për të ndaluar përmbajtjen e bisedave elektronike Berisha e shfrytëzoi dhe e quajti përpjekje për të rikthyer çensurën. Por ngaqë drejtori kishte biseduar me shërbimet homologe në Britani, shtypi i kësaj të fundit (The Telegraph) veproi dhe publikoi përmbajtjen e bisedave të tij. Ato lidhen me luftën kundër drogës dhe për të përshpejtuar dëbimin e kriminelëve shqiptarë në Shqipëri ndërsa të dhëna të tjera u publikuan nga shtypi ynë.
Këto janë veprime të mirëditura nga policia e shtetit por publikimi i tyre kërcënon dhe minon hetimet (kriminelët mund të shënjestrojnë drejtorin e policisë apo të marrin masa për t`u larguar nga vendodhja etj.).
Mbrëmjen e të njëjtës ditë, Syri-net, një media e mbështetur nga milionerët e PD-së, publikoi disa të dhëna lidhur me lobimet e qeverisë dhe partive kryesore në Uashington. Televizioni në fjalë shqyrtoi gjithë lobimet, të PD-së, LSI-së dhe PS-së por u përqendrua tek kjo e fundit meqënse është në pushtet dhe pretendon se është ndryshe nga lobimi i Bashës dhe Metës. Për këtë të fundit Vasili, përfaqësuesi i LSI-së, tha se shuma e partisë së tij është deklaruar në KQZ dhe auditimet s`kanë nxjerrë ndonjë shkelje.
Sidoqoftë, shkelja kryesore lidhet me lobimin e PS-së, sepse lidhi një kontratë me një firmë amerikane për të “përfituar këshillime strategjike që të promovohësh në lidhje me marrëdhëniet e saj me qeverinë e SHBA-ve”. Bëhet fjalë për pagimin e një shume prej 300 mijë dollarë, të cilat, sipas emisionit, nuk janë deklaruar në KQZ ndërsa kontrata është firmosur nga Endri Fuga.
Pavarësisht se cili mund të jetë reagimi i qeverisë për publikimin e punëve të saj të pista, është e qartë se qeveria ka dështuar si lidhur me mbrojtjen e të dhënave të institucioneve shtetërore ashtu dhe lidhur me ligjet në fuqi: ajo s`mund të kërkojë ndjekjen penale të Bashës apo Metës apo kujdo tjetër kur ajo vetë është zhytur në të njëjtën shkelje. SHJ
Raporti sipas Voa-s
Prokuroria e Tiranës ka vendosur ndalimin e çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, pasi ato hodhën në rrjet, në faqen “Homeland Justice”, shkëmbimet e postës elektronike të ish drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shqiptare Gledis Nano, të cilat u rimorën më pas nga mediat shqiptare. Njoftimin për urdhërin e prokurorisë e bëri të ditur drejtoria e Përgjithshme e policisë.
Më 9 shtator, sistemet informatike të policisë shqiptare u bënë objekt i një sulmi të dytë kibernetik, pas atij të muajit korrik. Autoritetet bën përgjegjës sërish Iranin, dhe njoftuan se nga sulmi ishte goditur sistemi TIMS, i cili regjistron hyrje daljet e personave dhe automjeteve nga Shqipëria. Por më pas u mësua se pjesë e goditjes kishin qenë dhe sisteme të tjera të policisë, e siç duket dhe shkëmbimet elektronike të drejtuesve të lartë të saj.
“Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit”, shpjegon njoftimi i policisë, duke saktësuar se “Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi”.
Njoftimi paralajmëron se “në rast të shkeljes së këtij vendimi nga cilido, Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të nisë menjëherë hetimin, për vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës”.
Gjatë ditës së hënë, një seri emailesh të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nxorrën në pah shkëmbime informacionesh mbi persona të kërkuar, mbi atentate të mundshme ndaj politikanëve, si në rastin e ish drejtuesit të opozitës shqiptare Lulzim Basha, apo kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, si dhe komunikime të zotit Nano me partnerë të huaj, për çështje sensitive, të konsideruara sekrete.
Publikimi i tyre, tregoi se përkundrejt deklarimeve të autoriteteve, se të dhënat zyrtare nuk janë prekur, sulmi kibernetik duket se ka depërtuar në thellësi. Kryeministri Edi Rama deklaroi se “agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”.
Ndërkohë që në njoftimin e saj mbi vendimin e Prokurorisë, policia deklaroi se “publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare”. Voa
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 19 reads



