...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHJ: Katër krime njëherësh nga establishmenti politiko-juridik i Kosovës për veprimtarët e Vetëvendosjes

Në drejtësi shkaku fillestar i një ngjarjeje konsiderohet me mjaft kujdes dhe nëse shihet si i dënueshëm, është ai i pari që dënohet.

SHJ

18/11/2017 - 08:15

Nuk e kam ndjekur rigorozisht çështjen e veprimtarëve të Vetëvendosjes dhe s’e kam hetuar por ngasa kuptoj, dhe nuk kërkon shumë hetim kjo çështje, sepse janë arrestuar dhe dënuar sepse ‘dyshohen’ se kanë dhunuar ndërtesën e parlamentit të Kosovës dhe jo se prokuroria ka ‘prova’! Ky fakt na mjafton të rigjykojmë çështjen nga e para dhe të kuptojmë se gjykata ose është shitur ose s’kupton ndryshimin midis ‘dyshimit’ dhe ‘provave’.

Por edhe sikur të kishte prova— se ishin veprimtarët përkatës që sulmuan me mjet shpërthyes parlamentin— gjykuar nga qëllimi i tyre —te ndalonin krimin që po kryente parlamenti lidhur me kufirin me Malin e Zi, karakteri i të cilit është ‘kombëtar’ dhe kush lufton për çështje kombëtare është shumë i nderuar për çdo komb— ata mund të paralajmëroheshin nga gjykata për aspektet juridike (dënuese) të veprimit në fjalë dhe të liheshin të lirë.

Kështuqë në këtë rast, establishmenti politik dhe juridik në Kosovë po kryen katër krime njëherësh: një herë kur dënon pa prova; një herë kur nuk konsideron -në rast se kishin prova- qëllimin përfundimtar të veprimtarëve; një herë kur nuk konsideron ndryshimin midis ‘dëmit metarial’ të një ndërtese dhe ‘dëmit fizik’ të njeriut; dhe një herë, kur me dënimin në fjalë përligj vdekjen e Astrit Deharit, i cili vdiq në burg, pikërisht për shkak të keqadministrimit të paraburgosurve.

Kujtoj se kur protestojnë ‘antipushtetarët’ në Athinë dhe kryejnë dëme fizike, qoftë edhe pranë kuvendit, kush arrestohet, lihet i lirë pas një paralajmërimi nga gjykata. Kjo praktikë nuk ndiqet sepse janë shpirtgjerë gjykatësit por sepse supozohet se shkaku fillestar që i ka çuar ‘antipushtetarët’ pranë ndërtesave qeveritare është vetë qeveria.

Kjo qasje buron nga ‘drejtësia’ ose arsyetimi juridik: se në drejtësi shkaku fillestar i një ngjarjeje, e cila përfshin dy apo më shumë palë, konsiderohet me mjaft kujdes dhe nëse shihet si i dënueshëm, është ai i pari që dënohet. Përtej faktit që establishmenti politiko-juridik në Greqi i amniston veprimtarët politikë pikërisht për faktin se ata luftojnë për çështje të vyera për shoqërinë dhe sidomos për lirinë.

Për të gjitha këto arsye e të tjera të kësaj natyre, establishmenti politiko-juridik në Kosovë, ose reflekton dhe e rishikon çështjen ose dëbohet.      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA