...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Turizmi elitar” me “sportet e aventurës” dhe “hotelet me pesë yje” në Shqipëri: një tjetër fiasko

Turizmi në Shqipëri mund të zhvillohet vetëm nëse mbështetet së pari në kërkesën e brendshme dhe së dyti në kërkesën e jashtme. Për t’u mbështetur në kërkesën e brendshme duhet të rritet mirëqenia e popullit. Dhe për t’u mbështetur në kërkesën e jashtme duhet të zhvillohet një turizëm me karakteristika shqiptare, jo vetëm në shërbim por dhe në ndërtesa. Kjo qasje kërkon bashkërendim të sektorëve kyç të ekonomisë dhe veçanërisht të bujqësisë, blegtorisë dhe artit.

SHJ

10/12/2017 - 10:16

Qasjen e “fisnikërizimit” (“gentrification”) të shoqërisë qeveria “Rama2” e zbatoi edhe me turizmin. Domethënë, përmirësimin e strukturave turistike kryesisht në veri të Shqipërisë për t’u përshtatur kryesisht në shijet e klasës së mesme, të cilat krijohen nga klasa e lartë, dhe nuk burojnë nga klasa e mesme. Nuk janë, në fjalë të tjera, origjinale. Por të parafabrikuara nga arkitektë të ndikuar nga shijet e klasës së lartë dhe anasjelltas.

Dy janë aspektet kryesore që duhet të na shqetësojnë lidhur me këtë çështje: së pari, lidhja e “turizmit elitar” me “sportet e aventurës” nuk është rastësor: nënkupton se në të do të përfshihet kryesisht klasa e mesme dhe e lartë. Sepse dihet se të ashtuquajturit ‘varfanjakë’ nga shoqëria s’kanë ushqim të hanë e jo më të zbavisin me sportet e aventurës. Së dyti, të konsiderosh sportet e aventurës si burim të rëndësishëm ekonomik, për hir të ‘ekonomisë’, siç logjikon qeveria “Rama” është marrëzi dhe tregon edhe një herë mungesë dijeje. Por le të shqyrtojmë së pari natyrën e sporteve të aventurës. Disa prej tyre janë të rrezikshëm për jetën dhe përveç adrenalinës, nuk sjellin asgjë tjetër në jetën e njeriut (garat me motorra p.sh); disa janë të rrezikshëm por edhe të shëndetshëm për jetën e njeriut (alpinizmi p.sh).

Kërkohet, rrjedhimisht, kualifikim i përshtatshëm me sektorin që mos të ndodhin aksidente: sepse nëse ndodhin, sektori do të rrënohet. Përtej këtyre aspekteve, sportet e aventurës do të zhvillohen në një terren kur dihet se terreni ynë (fushor dhe malor) është thuajse shkretuar dhe kur dihet se ku shkelin ‘njerëzit’ e aventurës dhe jo vetëm, nuk lënë gjë tjetër të gjallë. Për shembull, për zhvillimin e garave me motorra në pyje duhet të shkatërrohen pyje dhe kafshë.

Në të vërtetë, përqendrimi i zhvillimit të “turizmit elitar” me bazë “sportin e aventurës” në zonën e Alpeve të qarkut të Shkodrës ku dominojnë pyjet —deri diku të virgjër— shton rrezikun e zjarreve gjatë verës, sidomos kur dihet se asnjëri s’është dënuar nga djegia e pyjeve; kur sektori përkatës perceptohet nga fajkojtë e tregut të lirë si burim i shpejtë ekonomik dhe kur mungon urtësia ekologjike. Pa përmendur ‘faktin’ se në ndërmarrjet përkatëse mund të përfshihen tërthorazi politikanët përkatës.

Të njëjtën qasje, Rama po zbaton në një sektor tjetër të “turizmit elitar”: duke miratuar ligjin për të lejuar ndërtimin e hoteleve me pesë yje. Siç argumentoi Rama në Kuvend, ligjin përkatës e nxitën oligarkët ekonomikë: sepse duan të joshin pasanikët e botës që na rrethojnë. Kështu kanë menduar dhe homologët e tyre dhe kanë krijuar kulmin e luksit në shumë hotele.[1] Mirëpo, sektori është në krizë[2] dhe “ekspertët” e hotelerisë luksoze nuk kanë kuptuar as shkaqet as edhe zgjidhjet.

Kështu, disa pohojnë se ka rënë kërkesa për shkak të krizës ekonomike; disa thonë se ka humbur ‘besimi’; dhe disa thonë se ka ndryshuar mënyra e konsumit të luksit nga gjenerata e re...dhe për të njëjtat arsye, sugjerojnë ta rrisin sektorin përmes rritjes së ‘kreativitetit’ dhe ‘besimit’! Ndoshta oligarkët tanë ‘frymëzohen’ nga “bumi” i hotelerisë luksoze në Slloveni dhe Kroaci.[3] Por këto dy vende, jo vetëm që janë në terma ekologjikë më lartë se ne, kanë zhvilluar një kulturë turistike prej shumë dekadash dhe kanë një infrastrukturë të krijuar shekullin e kaluar por janë dhe pranë metropoleve europiane – konsumatorëve kryesorë, dhe si të tillë, mund ta përballojnë krizën ndryshe nga vendet e tjerë.

Turizmi në Shqipëri mund të zhvillohet vetëm nëse mbështetet së pari në kërkesën e brendshme dhe së dyti në kërkesën e jashtme. Për t’u mbështetur në kërkesën e brendshme duhet të rritet mirëqenia e popullit. Dhe për t’u mbështetur në kërkesën e jashtme duhet të zhvillohet një turizëm me karakteristika shqiptare, jo vetëm në shërbim por dhe në ndërtesa. Kjo qasje kërkon bashkërendim të sektorëve kyç të ekonomisë dhe veçanërisht të bujqësisë, blegtorisë dhe artit.

Qasja e qeverisë “Rama” është kryekëput e kundërt me qasjen e parashtruar: ajo e mbështet sektorin në kërkesën e jashtme si gjithë vendet e rajonit duke shpërnjohur faktin se ato kanë krijuar avantazhe për një kohë të gjatë krahasuar me ne dhe pikërisht sepse mbështeten në kërkesën e jashtme janë në krizë të përhershme. Mjafton të përmendim turizmin “elitar” turk: kur Erdogani luajti keq më Rusinë – kjo e fundit e ndëshkoi duke ndaluar udhëtimin e qytetarëve rusë në Turqi. Kur luajti keq me perëndimin – e pësoi njëlloj. Ndërsa mbështetja e turizmit në kërkesën e brendshme do të çonte pikërisht në bashkërendimin e sektorëve që përmenda dhe në një orientim tjetër zhvillimor dhe do të ulte —nëse zhvilloheshin paralel shkollat turistike— koston e përgjithshme të shërbimeve në sektorin e turizmit dhe do te rriste rrogat e punëtorëve. Ndryshe, kostua do të ulet vetëm duke ulur rrogat e punëtorëve!                                                

*Shkëputur nga një studim i Ylli Përmetit

[1]The peak of luxury, FT, October 13, 2017.

[2]Is the luxury industry in crisis, FT, May 24, 2016.

[3]Luxury hotels spring up as tourism hits new record in Slovenia and Croatia, FT, April 26, 2017.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA