...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si klasa politike shkeli kushtetutën dhe 'shkatërroi' Avokatin e Popullit me emërime partiake?

Protesta e PD-së gjatë mesit të vitit 2017-të solli një marrëveshje dhe bashkë me të disa lëshime nga PS-ja: shkeljen e kushtetutës dhe prishjen e Avokatit të Popullit me emërie partiake.

Dita

29/10/2017 - 07:02

Punësimet partiake në administratë janë dekurajuar kohët e fundit, duke shkuar në perceptimin e publikut drejt kufizimit si sjellje të partive të vogla dhe si mentalitet përgjithësisht provincial mbi pushtetin.

Në kushtet e Shqipërisë fenomeni është i vështirë të zhduket, por punësime të tilla ishin drejt zerimit në disa institucione të pavarura kushtetuese, të mbikqyrura nga afër prej ndërkombëtarëve, të tilla si Avokati i Popullit.

Fatkeqësisht këtë kontekst përpjekjesh e zhvlereson ajo që ka ndodhur pas emërimit të Erinda Ballanca në krye të këtij institucioni në muajin qershor të këtij viti.

Së paku 3 punësime të lidhura ngushtësisht me PD-në po e degradojnë imazhin e deritanishëm të institucionit duke i dhënë atij hijen e pamerituar të një vatre të rëndomtë punësimesh partiake.

Brenda një kohe të shkurtër nënkryetarja e Forumit Rinor të PD-së B.Petriti është emëruar në sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë të Avokatit të Popullit. L.Dedëgjoni, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së është emëruar në kabinetin e Avokatit të Popullit. Po aty ka marrë emërimin edhe D.Burgia, kandidate për deputete e PD-së në qarkun Durrës.

Ballanca dhe deputeti i PD Oerd Bylykbashi

Bashkë me KQZ, institucioni i Avokatit të Popullit ishte një nga dy institucionet e pavaruara kushtetuese që iu dhanë opozitës në tryezë, pavarësisht shtrëngimeve ligjore që në rrethana kushtetuese do ta bënin të pamundur emërimin.

Zv.kryeministri, 6 ministri kyçe dhe një numër drejtorish të rëndësishme ishin gjithashtu pjesë e kësaj marrëveshjeje, por ndërsa ata kishin mandat të kufizuar në kohë, Ballanca mori një mandat të plotë 5 vjeçar, ndërkohë që nuk ishte pjesë e konkurimit ligjor për Avokatin e ri të Popullit, proces që kishte disa muaj që kishte nisur pas mbarimit të mandatit të parë të Avokatit të mëparshëm, Igli Totozani.

Institucioni i Avokatit të Popullit është parashikuar për herë të parë në Kushtetutën Shqiptare të miratuar në Nëntor 1998, kurse ligji “Për Avokatin e Popullit” është miratuar nga Parlamenti Shqiptar në shkurt të vitit 1999.

Rama vendosi një standard të ri duke e zgjedhur Avokatin e Popullit pas një konkursi të hapur.

I mbikqyrur vazhdimisht nga institucionet ndërkombëtare, veçanërisht nga Danimarka, duhet thënë se Avokati i Popullit në Shqipëri ishte larguar nga viti në vit prej ndikimit politik.

Emërimi i papritur i një personazhi si Ballanca në krye të këtij institucioni ka shënuar dukshëm një kthim prapa në këtë drejtim. Jo rastësisht gjatë një takimi prezantues të Ballancës, përfaqësues të Avokatit të Popullit në Danimarkë kanë shprehur rezerva mbi faktin që në krye të institucionit vjen një avokat që i përket të drejtës private dhe jo asaj publike, siç e dikton misioni dhe kuadri ligjor i Avokatit të Popullit.

Në fakt, klientët e Ballancës janë më shumë se “privatë”.

Berisha, duke hyre në seancën e 17 qershorit 2017

Ballanca ka qenë avokatja e ish-kreut të PD, Sali Berisha deri në procese të tilla si ai i përplasjes ligjore mes tij dhe nënës së Edi Ramës, Aneta Rama.

Ballanca ka mbrojtur edhe kreun aktual të PD, Lulzim Basha në kohën kur ky ka qenë ministri i shumëpërfolur i Transporteve.

Ajo është gjithashtu palë në gjyqin për pallatin e prishur në breg të detit në Vlorë në vitin 2013, nga INUK, i njohur si pallati i vjehrrit të Lulzim Bashës. Disa raportime në media, e lidhën mungesën e saj gjatë votimit në Kuvend me angazhimin privat në këtë proces.

Në të vërtetë Ballanca mungoi teksa votohej në Parlament si Avokate e Popullit, duke shënuar kështu një tjetër rekord në historinë e emërimeve politike në Shqipëri. Ajo nuk u paraqit as në Komisionin e Ligjeve, megjithëse disa anëtarë kërkuan prezencën e saj si dhe një dëgjesë me të, përpara se të votohej në parlament.

Pritshmëritë e publikut dhe vëzhguesve ndërkombëtarë ishin të ndryshme bazuar tek shpresa që dinamika e institucionit në fjalë do ndikonte sjelljen e nxituar të Avokates së re dhe historikun jofavorizues të karrierës së saj profesionale.

Por emërimet e para në këtë institucion i zhgënjejnë pritshmëritë, duke riprovuar çfarë ndodh përgjithësisht me një pushtet të dhuruar dhe duke paralajmëruar sjelljen e  PD me administratën shtetërore në rastin hipotetik të marrjes së pushtetit.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA