...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Miratohet në OKB rezoluta që refuzon njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet ndërsa opozita në Shqipëri zien pse qeveria vitoi pro

Shqipëria votoi pro mosnjohjes së Jeruzalemit si kryqytet i Izraelit duke mbështetur qendrimin e BE-së dhe kundërshtuar qendrimin e Amerikës dhe Izraelit

VOA

22/12/2017 - 15:00

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA.

Në mbyllje të votimit, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria votoi pro rezolutës.

"Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran", tha ambasadorja e SHBA Nikki Haley në komentet e bëra në sallën e mbushur plot para votimit.

"Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre", shtoi zonja Haley.

"Ata që mbështesin rezolutën e sotme janë si kukulla të manipuluara me fijet e mjeshtërve palestinezë", tha ambasadori izraelit Danny Danon. "Jeni si marioneta të detyruara të kërceni, ndërsa udhëheqja palestineze ju vëzhgon e ngazëllyer," tha ai.

Sesioni emergjent i Asamblesë së Përgjithshme u kërkua nga palestinezët me mbështetjen e vendeve arabe dhe atyre të paangazhuara.

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme

Sesioni u mbajt pas vetos që SHBA i vuri të hënën në Këshillin e Sigurimit një projekt-rezolute pothuajse të njëjtë, të cilën të gjithë anëtarët e tjerë të këshillit e mbështetën.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme riafirmon statusin e veçantë të Jeruzalemit si një qytet i shenjtë dhe si një çështje e statusit përfundimtar që do të zgjidhet në negociatat e ardhshme izraelito-palestineze.

Aty thuhet gjithashtu se "të gjitha vendimet dhe veprimet që pretendojnë të kenë ndryshuar karakterin, statusin ose përbërjen demografike të Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk kanë efekt ligjor, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen".

Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme për t’u zbatuar, por mbart peshë morale, duke demonstruar vullnetin e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare.

Ajo u miratua me më shumë se dy të tretat e 172 vendeve që votuan - 128 vende e mbështetën, nëntë votuan kundër dhe 35 vende abstenuan.

Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit iu bashkuan në votimin "jo" Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezi, Nauru, Togoja dhe Palau.

Më shumë se 20 vende nuk u paraqitën në votim, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë, të cilat kanë kërkuar ndihmën e SHBA për të frenuar agresionin rus ndaj vendeve të tyre.

Një fushatë presioni

Më parë këtë javë, ambasadorja e SHBA, Haley, u shkroi shumë vendeve anëtare të OKB-së dhe i paralajmëroi se do të mbante shënim emrat dhe do t'i raportonte Presidentit Donald Trump se si votuan vendet e ndryshme, duke vënë në dukje se presidenti po e merrte votën e së enjtes në mënyrë personale.

"Historia i regjistron emrat, i kujton emrat," tha në Asamblenë e Përgjithshme ministri Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki. "Emrat e atyre që i qëndrojnë asaj që është e drejtë dhe të atyre që flasin gënjeshtra.” “Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes," shtoi ai.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu edhe posaçërisht në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e veçantë. Ai hodhi poshtë me zemërim paralajmërimin e zotit Trump se nëse vendet votojnë kundër Shteteve të Bashkuara, ai mund t’u shkurtojë ndihmat.

"Një qëndrim i tillë është i papranueshëm," tha zoti Cavusoglu. "Ky është frikësim dhe kjo sallë nuk do të përulet para kësaj. Është joetike të mendosh se votat dhe dinjiteti i shteteve anëtare mund të shiten e blihen. Ne nuk do të frikësohemi."

Por lobimi i SHBA përpara votimit i bindi disa vende të abstenonin, duke përfshirë fqinjët, Kanadanë dhe Meksikën.

"Meksika nuk e sheh si pozitive apo të dobishme për procesin e paqes faktin që u bë një deklaratë e njëanshme për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit", tha pas votimit ambasadori Juan Gomez Camacho. "As nuk besojmë se është e dobishme, dhe e shohim si joproporcionale, të thërrasim një mbledhje emergjente të Asamblesë së Përgjithshme", tha ai.

Edhe në Bashkimin Evropian prej 28-vendesh, disa anëtarë e braktisën konsensusin për Jeruzalemin, përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Hungarinë, të cilat abstenuan.

Më parë këtë muaj, Presidenti i SHBA Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit dhe po fillojnë procesin e lëvizjes së ambasadës së SHBA atje.

Izraeli e konsideron tërë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm, ndërsa palestinezët duan Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes.

Administrata Trump thotë se është e angazhuar për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme në qoftë se kjo është diçka që palët e dëshirojnë dhe se vendi fizik i ambasadës amerikane nuk duhet të ketë ndikim në bisedime.   

Polemika në Tiranë rreth votës së Shqipërisë në OKB

Polemika të forta në Tiranë për votën e djeshme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Opozita ka folur për “një qëndrim të gabuar”. Kritik është shfaqur dhe presidenti Ilir Meta, sipas të cilit një qëndrim i tillë i Shqipërisë ka qenë “tërësisht i panevojshëm”.

MInistria shqiptare për Europën dhe Politikën e Jashtme sqaroi mbrëmë, përmes një deklarate, pozicionin e mbajtur në OKB. “Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë cështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, shpjegon deklarata.

Por Presidenti Ilir Meta u shfaq sot kritik ndaj kësaj zgjedhjeje. Zëdhënësi i tij Tedi Blushi i tha Zërit të Amerikës se “Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”. Zëdhënësi sqaroi më tej se “Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar”. Zoti Meta ka vënë theksin te rëndësia që Shtetet e Bashkuara kanë për Shqipërinë. “Nuk duhet të harrojmë se SHBA mbetet aleati dhe partneri me i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara. Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës”, përfundon deklarata e Presidentit Meta.

Edhe opozita e kundërshtoi qëndrimin e mbajtur në OKB. Kryetari demokrat Lulzim Basha theksoi mbrëmë gjatë emisionit “Opinion”, në Tv Klan se “Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite, një qëndrim të rreshtuar krah qëndrimit amerikan për cështjet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me shumicën e vendve të BE-së”, tha zoti Basha, sipas të cilit “është një qëndrim i gabuar. Kjo çështje ka të bëjë me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, të cilat deri sot janë shërbyer vetëm nga një aleat strategjik që janë SHBA-të, pa të cilët nuk do ishim anëtarë të Natos dhe Kosova nuk do ishte e pavaruar”, tha zoti Basha. “Nga ana tjetër – shpjegoi ai - ne kemi një tjetër interes strategjik, atë të anëtarësimit në BE. Por përsa kohë BE-ja nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme, nuk kishte arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrimin dhe të mos i qëndronte pozicionit amerikan. Jo për mënyrën se si duhet të zgjidhet çështja, por për hir të interesit kombëtar”, nënvizoi zoti Basha.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA