Ç’u miratua dje në Kuvend?
Dita
16/12/2016 - 14:20
Pas diskutimeve dhe miratimit në parim dy javë më parë, Kuvendi ka miratuar seancën e kësaj të enjte nen për nen, me 80 vota, buxhetin e vitit të ardhshëm. Në buxhet është parashikuar një fond shtesë prej 100 milionë dollarë për rritjen e pagave dhe pensioneve nga 1 marsi i 2017-ës.
Ligji më i rëndësishëm i kësaj seance është votuar vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.
Në total Buxheti për vitin 2017 është 436 miliardë lekë. Qeveria ka llogaritur t’i rrisë të ardhurat nga tatimet dhe doganat me rreth 21 miliardë në krahasim me faktin e pritshëm të këtij viti. Duke përfshirë edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore, të ardhurat pritet të rriten në vlera neto me 23 miliardë lekë ose 6.5% më shumë.
Një lajm i mirë është ai për buxhetorët. Kështu, prej 1 marsit të 2017-ës, falë një fondi prej 100 milionë dollarë të hequra menjanë nga buxheti, do të rriten pagat dhe pensionet deri në 10%.
Rritja e pagave do të përfshijë disa kategori si mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët apo dhe punonjësit e administratës. Deri në 10% rritje në pensionin e tyre do të përfitojnë edhe të gjithë pensionistët.
Seanca miratoi gjithashtu dhe tre pr/ligje, të propozuara nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, që parashikojnë krijimin e lehtësirave në ofrimin e shërbimeve publike. Me 81 vota u miratuan ndryshimet në ligjin “Për nënshkrimin elektronik”; dhe ndryshimet në ligjin “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, ndërsa ndryshimet në ligjin “Për dokumentin elektronik” u miratuan me 80 vota.
Ratifikimi i marrëveshjes së garancisë, ndërmjet palës shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin “Shqipëria: plani i ristrukturimit të KESH-t” u miratua me 81 vota.
Anëtarët e rinj të Autoritetit të Konkurencës, Juliana Latifi dhe Ilir Gedeshi u miratuan përkatësisht me 67 vota dhe 65 vota.
Kuvendi miratoi sot me 82 vota pro dhe pr/rezolutën “Për vlerësimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”, ndërsa Kuvendi miratoi edhe Kodin hekurudhor, i mbartur për votim nga seancat parardhëse.
Kuvendi miratoi me 81 vota pro p/ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Me 79 vota pro u miratua p/ligji “Për
taksat kombëtare”, të ndryshuar .
Me 81 vota pro u mirtua – Projektligji “ Për disa ndryshime në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar 81 vota pro
Me 80 vota pro u miratua projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 43 reads



