Pse PS-ja përfundoi neofashiste dhe shkrimtarët (Kadareja etj.) dhe gazetat (Dita etj.) s’tregojnë të vërtetën?
Politikat neo-fashiste të PS-së nuk përfshijnë vetëm rehabilitimin e ish-reaksionarëve por dhe braktisjen e klasës puntore dhe të varfërve, ekosistemin dhe vlerat e popullit tonë.
SHJ
23/04/2018 - 18:07
Ndërsa “ekspertët” e ekonomisë sonë nuk tregojnë shkaqet e vërtetë pse është rrënuar ekonomia,[1] një tjetër propagandë —e cila buron kryesisht nga padija— zhvillohet nga një e përditshme: Dita — duke sulmuar PS-në dhe duke e karakterizuar si neofashiste si dy partitë e tjera, PD dhe LSI. Në të vërtetë, akuza është e tërthortë: ajo buron nga individët që shkruajnë në të. Sidoqoftë, ajo është një propagandë me karakter josistemik: sepse përgjithësisht shkruesit dënojnë veprimet e qeverive për rehabilitimin e reaksionarëve të socializmit marksist dhe veçanërisht veprimet e PS-së, e cila supozohet se do t’i rezistonte rehabilitimit që filloi Berisha, ndërsa të gjithë bashkë mbështesin integrimin e vendit në globalizmin neoliberal![2] Nuk mungon dhe ‘përdorimi’ i Kadaresë i cili dikur mbronte socializmin marksist dhe kritikonte ashpër perëndimin dhe kur ai ra, ndryshoi qendrim: filloi t’u shërbente elitave të reja – borgjezive që ai kritikonte dikur![3] Qoftë në rastin e parë –kur kritikohet me të drejtë politika e rehabilitimit të reaksionarëve— qoftë në të dytin —kur Kadareja ndryshoi qendrim— gazeta dhe autorët që ajo përdorë nuk tregojnë shkaqet e vërtetë se pse qeveria e PS-së përfundoi një qeveri “neo-fashiste”. Nuk konsiderojnë, në fjalë të tjera, as zhvendosjen ideologjike të PS-së as kuadrin e ri institucional të globalizmit neoliberal në të cilin jemi integruar pjesërisht dhe politikat e tij.
Kështu, dihet se PS-ja nuk ndryshoi vetëm kuptimin e saj figurativ nga PPSH ne PS. Por edhe programin edhe politikat. Kështu ndërsa PPSH-ja përfaqësonte klasën puntore dhe të varfrit dhe përqafoi një program ekonomik me sintezë dhe parime marksiste për zhvillimin e prodhimit të brendshem me qëllim që të siguronte pavarësi ekonomike dhe rrjedhimisht politike, PS-ja u zhvendos ngadalë drejt klasës së mesme të lartë...duke braktisur klasën punëtore dhe të varfërit dhe ndryshoi politika ekonomike: në vend të zhvillimit të prodhimit të brendshem me bazë shkencën u zhvendos drejt zhvillimit të borxheve dhe ndërmarrjeve kapitaliste me pronarë të huaj dhe bulimikë të brendshem. Kur një pushtet politik zhvendoset nga boshtet që përmenda, nuk do të ishte e çuditshme që ai të përputhet jo vetëm me politikat zogiste por dhe me politikat berishiste, sepse politikat burojnë nga zhvendosja e boshtit. Kështu politikat neo-fashiste të PS-së nuk përfshijnë vetëm rehabilitimin e ish-reaksionarëve por dhe braktisjen e klasës puntore dhe të varfërve, ekosistemin dhe vlerat e popullit tonë.
Nëse gjykojmë metamorfozën e Kadaresë i cili dikur mbronte betejën sociale për ndërtimin e vendit me sintezë marksiste dhe kritikonte perëndimin dhe më pas filloi të mbronte elitën “neofashiste”, ai vepron kështu sepse nuk përdor premisa shkencore në qendrimet e tij por “premisat” mbizotëruese - domethënë, dinamikën mbizotëruese sociale. Nëse ajo ndryshon nesër - ashtu do të ndryshojë dhe Kadareja: sepse njeriu që arsyeton shkencërisht (në këtë rast duke konsideruar sistemet dhe shoqëritë) ai nuk do të ndryshojë qendrim për hir të dinamikës mbizotëruese sociale. Por do të mbrojë të vërtetat e tij. Kur njeriu apo një parti apo organizatë politike nuk ka dije teorike —për rezultatin përfundimtar të zhvendosjes se boshtit politik—, përfundon ‘neofashiste’ kryesisht për shkak të padijes. Për shembull, sa nga krerët e PS-se kanë kuptuar ndryshimet e socializmit marksist krahasur me social-demokracinë dhe globalizmin neoliberal? Asnjë!
Njëlloj është dhe Kadareja: ai nuk është studiues i sistemeve dhe shoqërive. Por romancier. Romani dihet se është pjesërisht realitet (lidhet me disa të vërteta) dhe pjesërisht imagjinar. Për të gjitha këto arsye gazeta në fjalë propagandon të “vërteta” që nuk shikohen nga një qasje shkakiste: sistemike dhe programore. Efekti negativ që kjo propaganda është se një tjetër parti do të jetë më e drejtë me politikat e saj. Në të vërtetë, zhvendosja e politikave të PS-së është rezultat i orietimit të vendit për t’u integruar në globalizmin neoliberal. Si e tillë, ajo u zhvendos për arsye pragmatiste (të ruante pushtetin e saj pavarësisht se pushteti politik do të diktohësh nga të huajt). Domethënë, kuptoi deri diku se në ç’rend po shkonte dhe braktisi “idealin” e dikurshëm — të komunizmit. Dihet se kur njeriu s’e ka të qartë një lloj “ideali” nuk do të ishte e çuditshme të kthehësh pragmatist: në armikun e idealit. Kujtoj se “ideali” i kohës ishte komunizmi dhe ai do të realizohësh përmes teorisë marksiste.
Thënë, në fjalë të tjera, qeveritë tona –për shkak orientimit dhe zhvendosjes politike— po mundohen të pajtojnë figura politike armike historikisht për të përligjur veten: sepse vetëm kështu mund të riprodhojnë veten – duke bashkëpunuar me oligarkët e rinj, të huaj dhe vendor. Kjo lloj përligjje kulmoi me qeverinë “Berisha” kur në njëmendësi me qeverinë e Thaçit dhe Jahjagën, ish-presidenten e Kosovës, pritën në një ceremoni të kurdisur eshtrat e ish-mbretit Zog dhe i vendosën në altarin e të nderuarve të kombit shqiptar! Pasi i ndërtoi mauzoleumin e “dëshmorit” dhe shpenzoi sërish parátë e popullit shqiptar, ndaj një njeriu që e robëroi për më shumë se 15 vjetë, përmes politikave konçesionare, vjedhjes masive dhe diktatit të Beogradit[4] —dhe më vonë, diktatit të Romës, shpenzoi edhe ca të tjera në pritjen mbretërore që i përgatiti elita! Traktati që nënshkroi Zogu me Beogradin dhe Romën për ‘bashkim personal’ tashmë dihet për efektet e tij. Por shkaqet nuk janë kuptuar drejtë: sepse bashkimi personal ishte pasojë e politikave që ndoqi (borxhe, konçesione etj.) siç janë pasojë politikat që po çojnë drejt bashkimit tjetër personal me Brukselin dhe institucione të tjerë ndërkombëtarë.
[1]Kriza shumë-dimensionale dhe Ekonomia ekstroverte falimentoi Greqinë dhe Shqipërinë, shqyrton disa qendrime të “ekspertëve” të establishmentit.
[2]Shih, psh, Kolaboracionistët e rinj shqiptarë, Gjon Bruçi, Dita, 21 prill 2018
[3]Heronjtë e heshtur, Dita, 21 prill 2018.
[4]Shih, për më shumë, Teksti i plotë i Marrëveshjes ndermjet Ahmet Zogut dhe kryeministrit serb, Nikolla Pashiç, Gazeta Tema, 18 Nentor 2012.Ose Shqipëria Midis Rrënimit dhe Ri-Ndërtimit: 1912-1945.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 57 reads



