...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Plani Kombëtar i Territorit: një tjetër flluskë e qeverisë Rama

Monitor

27/12/2016 - 15:27

...përqendrohet në ekonominë e tregut dhe pritshmëritë e saj në afat-gjatë, të cilat, do të jenë përgjithësisht të zymta por jo për oligopolet: ato do të përfitojnë nga ky plan territorial...por ja si e paraqet problematikën një revistë korporative:

Për herë të parë, Shqipëria ka gati një dokument të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm, siç është Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorrit, një nismë e marrë pak vite më parë nga Ministria për Zhvillimin Urban. Një plan i cili do të duhej të ishte bërë shumë më herët, ndërsa vonesat kanë rënduar situatën në terren, duke e degraduar me ndërtime të realizuara në mungesë të një plani kombëtar, që kanë shkaktuar dëm ekonomik të konsiderueshëm. Në anën tjetër, zhvillimet kaotike dhe shpesh informale në territor, si dhe mungesa e planifikimit dhe e kontrollit të territorit nga njësitë vendore, kanë dëmtuar rëndë edhe peizazhin natyror.

Tashmë, ky dokument është hartuar dhe përmes tij pritet të orientohet Plani i Përgjithshëm Kombëtar do të orientojë përdorimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve dhe potencialeve të Shqipërisë. Brenda këtij kuadri do të ketë një vëmendje të veçantë për rivlerësimin e aseteve të trashëgimisë kulturore dhe të burimeve natyrore.

Qëllimi i hartimit të një Plani të Përgjithshëm Kombëtar konsistoi në krijimin e platformës drejtuese dhe të garancisë ligjore të nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm urban, ekonomik, social e mjedisor në territor.

Zbatimi i tij do të bëhet në tri faza: E para 2015-2020; 2020-2025; 2025-2030.

Faza e parë do të jetë ajo që do të shërbejë për hedhjen e themeleve, siç janë edhe planet vendore të territorit mbi të cilat do të sigurohet zhvillimi i qëndrueshëm. Kjo fazë do të shoqërohet me matjen e një sërë indikatorësh të rinj në nivel bashkie, që do të pasqyrohen çdo vit në raportin për monitorimin e zhvillimit të territorit. Brenda kësaj periudhe do të përfundojë edhe hartimi i projekteve strategjike, siç janë: rritja e kapaciteteve të Portit të Durrësit, Vlorës, Sarandës, Lezhës; projektet për marinat turistike dhe portet energjetike; projektet për infrastrukturën kombëtare të gazit; projektet për Korridorin 8, si dhe projekti për aeroportin e Gjirokastrës. [...]

Në fazën e dytë (2020-2025) pritet që të gjitha qasjet e këtij plani të jenë të reflektuara në planet rajonale. Në këtë fazë do të nisë edhe fuqizimi i qyteteve – porta dhe i poleve ekonomike me rëndësi kombëtare.

Në fazën e tretë dhe të fundit do të nisë procesi për rishikimin dhe vlerësimin e PPK-së “Shqipëria 2030”, me qëllim nisjen e hartimit të planit të dytë kombëtar “Shqipëria 2050”.

Qëllimet specifike strategjike që synon të përmbushë Plani i Përgjithshëm Kombëtar, bazuar edhe në parimet e Ligjit të PT-së, janë:

-të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, nëpërmjet përdorimit racional të tokës dhe të burimeve natyrore;

-të vlerësojë potencialin aktual e perspektiv për zhvillim të territorit në nivel kombëtar e vendor, në bazë të balancimit të burimeve natyrore, të nevojave ekonomike e njerëzore dhe

interesave publike e private;

-të nxisë veprimet e duhura për mbrojtjen, restaurimin dhe rritjen e cilësisë së trashëgimisë natyrore e kulturore dhe për ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike dhe të peizazhit;

-të mundësojë të drejtën e përdorimit e të zhvillimit të pronës, në përputhje me interesat e shoqërisë, instrumentet planifikuese dhe legjislacionin;

-të krijojë kushte të përshtatshme e të drejta dhe shanse të barabarta për banim, veprimtari ekonomike e sociale për të gjitha kategoritë sociale, kohezion ekonomik e social dhe gëzim të të drejtave të pronësisë;

-të sigurojë që autoritetet kombëtare e vendore të planifikimit, të hartojnë e të përditësojnë rregullisht instrumente të planifikimit, sipas kërkesave te tregut dhe nevojave sociale;

-të sigurojë që autoritetet e planifikimit të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre për të nxitur planifikimin e harmonizuar e të integruar të territorit;

-të garantojë, sipas legjislacionit për ndërtimin, zbatimin e rregullave të sigurisë së ndërtimeve dhe të punimeve të ndërtimit për jetën dhe shëndetin e njerëzve.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA