...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vetëm 28% e tokës bujqësore ka qasje në vaditje

Monitor

03/01/2017 - 11:13

Teksa Shqipëria ka dendësinë më të madhe në Europë të lumenjve, plot liqene, pak tokë bujqësore dhe shumë male, sërish bujqësia e vendit është në krizë për vaditje.

Sipas statistikave të publikuara në Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit vlerësohet se vetëm 28% e tokës bujqësore ka qasje në vaditje dhe pjesa tjetër është në të thatë.

Qarqet që kanë më shumë qasje në ujitjen e tokave janë Dibra dhe Fieri, ndërsa Berati dhe Korça kanë qasje më të ulët në vaditje respektivisht me 19.2 dhe 24.1% të totalit të tokës bujqësore që kanë në dispozicion.

Uji për ujitje të tokave bujqësore merret nga 626 rezervuarë, me një volum 526 milionë metër kub. Referuar të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, rezulton se aktualisht janë 13 borde kullimi.

Infrastruktura e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet është e projektuar për ujitjen e 429 mijë hektarë, por potencialisht të ujitshme janë vetëm 360 mijë hektarë, ndërsa objektet e kullimit ekzistojnë vetëm për 28 mijë hektarë.

Për të përmirësuar këtë situatë, ekspertët e bujqësisë kanë analizuar se duhet menaxhim i qëndrueshëm i sistemeve të ujitjes dhe ndarjes së kompetencave dhe përgjegjësive për operim ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal.

Aktualisht, këto shërbime janë pezull për shkak se bordet e ujitjes dhe kullimit janë në tranzicion si pasojë e kalimit të tyre në varësi të pushtetit lokal. Teksa për disa njësi kanë kaluar vetëm fondet, organizimi ka mbetur pezull. Për këtë shkak, pak kohë më parë u përmbytën të gjitha bizneset në Autostradën Tiranë-Durrës, pasi nuk u menaxhuan digat e dy rezervuarëve pranë. Dëmët e krijuara ishin 10 milionë euro, për të cilat nuk u gjet përgjegjës.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA