Urojmë por pa vendime (dhe veprime) të drejtë s`mund të ketë shëndet, gëzim e lumturi
Urojmë që vendime dhe veprime të drejtë të ndërmerren vitin tjetër, sepse nga vendimet dhe veprimet e drejtë varet shëndeti dhe lumturia jonë
Ylli Përmeti
26/12/2018 - 14:20
Migjeni shkruante në fillim të shekullit të kaluar se nuk e dinte nëse urimet plotësoheshin dhe se thuajse të gjithë urimet dilnin nga hipokrizia. Kështu ai refuzonte të uronte gjatë festave. Antonio Gramshi, më herët, shkruante se e urrente vitin e ri sepse çdo mëngjes kur zgjohësh ndiente një vit të ri dhe sepse datat fiksojnë njerëzit dhe shndërrojnë jetën dhe shpirtin njerëzor një firmë tregtare përfitimi, me bilanc dhe buxhet të ri.
Por ndonëse të dy kanë të drejtë lidhur me të vërtetat që përmendin le ta shqyrtojmë dhe kuptojmë më drejtë konceptin e urimit me qëllim që ta përdorim drejtë dhe në mënyrë didaktike:
Urimi, citon Aristoteli, lidhet më tepër me fundin ose sosjen dhe zgjedhjen e mjeteve; për shembull, ne urojmë te jemi të shëndetshëm, por ne zgjedhim veprimet për të qenë të shëndetshëm, dhe ne urojmë të jemi të lumtur dhe themi se jemi, por ne nuk mund të themi se ne zgjedhim për të qenë kështu; sepse, përgjithësisht, zgjedhja lidhet me gjërat që janë në aftësinë tonë...(N. Ethics)
Kështu, për shembull, urimi do të kishte ndonjë ndikim në jetën tonë vetëm kur aftësohemi në mendje, zemër dhe shpirt: sepse kur aftësohemi në mendje, ne mësojme të zgjedhim veprimet dhe mjetet e drejta në jetë: sepse janë këto të fundit që sigurojnë shëndetin dhe lumturinë tonë.
Ndryshe nga e kaluara, kur urimet bëheshin drejtpërdrejtë, në kohën tonë mbizotërojnë urimet nga larg, përmes teknologjisë, me kumte e qendrime publike. Por qoftë kur mbizotëronte urimi i drejtpërdrejtë qoftë tani, urimi nuk kalon nga kuptimi i tjetrit. Thjesht urohet! Për shembull, kur shkojnë për vizita njerëzit te njëri-tjetri, që kur nisen (kur thonë po shkojmë të urojmë) dhe derisa mbërrijnë te tjetri dhe përshëndeten dhe ulen—pasi i kanë thënë njëri-tjetrit disa herë, mirë, mirë, mirë…— urojnë shëndet e lumturi.
Mirëpo, gjatë këtij procesi ata nuk shqyrtojnë as vitin e kaluar të tjetrit me qëllim që të kuptojnë se nëse ka qenë vërtet mirë (zakonisht mjaftohen me pohimin ‘mirë’) as edhe përpiqen të kuptojnë se ‘shëndeti’ dhe ‘lumturia’ kalon nga dija…kështu, mjaftohen me pohimin dhe shkojnë në shtëpi! Por është e qartë se urimi është tejet sipërfaqësor dhe nuk kalon nga kuptimi i gjendjes së tjetrit.
Urimet e drejtpërdrejtë, sidoqofshin, krijonin të paktën një lloj ndërveprimi dhe mbanin pranë lidhjet komunitare; ndërsa urimet e kohëve tona ose tekno-urimet, shmangin tërësisht dinamikën që krijohësh shekullin e kaluar. Pasoja e këtij ‘zhvillimi’ është se njerëzit urojnë përherë dhe më shumë spontanisht se sa thelbësisht dhe zhyten edhe më shumë në një klimë “festive” tërësisht vetjake. Përtej këtij ndikim, dhe duke qenë se urimet nuk procedojnë nga ndërveprimi i njerëzve as edhe nga shqyrtimi i gjendjes së tjetrit, urimet bartin doza hipokrizie. Dje në urban dëgjova një “qytetar” që telefonoi një tjetër dhe pasi e uroi “për shumë vjet gëzuar...” shtoi spontanisht kur e mbylli telefonin: “e hoqa qafe dhe këtë telefonatë”!
Cili, do të ishte, rrjedhimisht, një urim i drejtë — që do të përputhësh me shëndetin dhe lumturinë e tjetrit? Me siguri, urimi që procedon nga kuptimi i tjetrit: sepse njeriu që përpiqet të kuptojë tjetrin tregon veprim mendor. Por ‘kuptimi’ i tjetrit nuk mjafton: sepse që të ndihmojmë në shëndetin dhe lumturinë e tjetrit ne duhet të veprojmë edhe fizikisht. Për të realizuar këtë qëllim ne duhet të urojmë drejtpërdrejtë dhe nëse nga larg, urimi do të kishte karakterin që vijon: uroj që vendime dhe veprime të drejtë të ndërmerren vitin tjetër, sepse nga vendimet dhe veprimet e drejtë varet shëndeti dhe lumturia jonë.
Elitat fetare keqmësojnë fetarët
Me rastin e krishtlindjeve 2024, kryepeshkvi i Dioqezës së Tiranës e Durrësit, Arjan Dodaj, u tha besimtarëve në katedralen e Shën Palit në Tiranë, gjatë ceremonisë dhe meshës me kryefjalë “Krishti u Ngjall”, se ata duhet “të gjejnë kurajën dhe të shohin përpara në të ardhmen me shpresë e besim, duke lënë mënjanë padrejtësitë dhe të keqen”. Kryepeshkopi Janullatos nga ana tjetër shtoi dhe “dashurinë” dhe “përulësinë”, përveç besimit, të cilat bashkë mposhtin “padrejtesitë dhe ligësinë, sepse perëndia nuk e braktisi njerëzimin, të cilin e mundon egoizmi dhe armiqësia”. Sipas tij, “krenaria” është rrënja e përhershme e çdo të keqeje dhe asaj besimtari duhet t`i përgjigjet me përulësi; në fjalët e tij:
“Përmes përulësisë, e cila ndërthuret gjithmonë me dashurinë, (Perëndia) i kundërvihet krenarisë, rrënjës së përhershme të çdo të keqeje, lakmisë, agresivitetit, konflikteve vrastare, përplasjeve shkatërrimtare. Në epokën tonë të ashpër dhe të veçantë, ku në shumë zona vërshon furishëm urrejtja dhe dhuna, ne të krishterët, që i qëndrojmë besnikë atij që u shfaq në mish, Princit të paqes, le të bëjmë gjithnjë qëndresë, me tërë forcat tona shpirtërore dhe trupore, kudo dhe me aq sa mundemi”.
Por është e qartë se jo vetëm që nuk e mësojnë fetarin si të urojë drejt por e kthejnë atë në një konformist kundrejt padrejtësive. Janullatosi, në fakt, citon Biblën, e cila thotë se “zoti kundërshton krenarin dhe mishëron të thjeshtin”. Por ajo nuk e paraqet atë si shkaktaren e gjithë të këqijave pavarësisht se sipas saj “zoti kundërshton krenarin”. Thënë, në fjalë të tjera, kranaria paraqitet si shkaktare e gjithë të këqijave nga dishepuj të ndryshëm por jo nga Bibla.
Qendrim deri diku të ngjashëm ka dhe Muhameti. Ja se ç`thotë ai në surenë “El-Bekare: 207”: “dhe kur i thuhet atij, ‘friksoju zotit’, krenaria (varianti shqip përdor fjalën “eufori”) e nxit atë në mëkat të mëtejshëm”. Këto besime kanë shekuj që përsëriten dhe fakti që besimtarët nuk lexojnë filozofi e kanë të veshtirë të kuptojnë shkallën e padrejtësisë me ato pretendime. Por ja se ç`thotë Aristoteli për natyrën e krenarisë.
...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 224 reads



