Ndryshimet klimatike kërcënojnë miliona amerikanë me përmbytje dhe thatësira
Me intensifikimin e ndryshimit të klimës, do të shtohet numri i thatësirave dhe uraganeve si dhe intensiteti i tyre.
Voa
19/03/2019 - 12:44
Ndërsa ndryshimet klimatike po intensifikohen, mund të presim më shumë zhvillime ekstreme të motit, uragane dhe thatësira. Por edhe përmbytjet e shkallës më të vogël, do të bëhen më të zakonshme dhe, ndonëse nuk janë katastrofike, sipas një raporti të ri, këto ndryshime tashmë po dëmtojnë rëndë disa komunitete lokale.
Kur njerëzit flasin për ndryshimin e klimës ata në përgjithësi e kanë fjalën për motin ekstrem si thatësirat dhe uraganet. Me intensifikimin e ndryshimit të klimës, do të shtohet numri i thatësirave dhe uraganeve si dhe intensiteti i tyre. Një studim i ri i Universitetit të Stanfordit sugjeron se ndryshimet në shkallë më të vogël si përmbytjet, gjithashtu janë duke patur një ndikim gjithnjë e më të madh në zonat bregdetare.
"Uji që po vërshon rrugët duke depërtuar përmes pusetave dhe përmbytjet në shkallë të vogël po shkaktojnë dëme të mëdha", thotë Katharine Mach nga Universiteti i Stanfordit.
Studiuesit analizuan ndikimin që përmbytjet e vogla kanë në komunitetet bregdetare. Ata zgjodhën qytetin turistik të Anapolisit në Merilend, që përmbytet rreth 60 ditë në vit nga baticat e larta. Madje edhe një nivel tepër i ulët i përmbytjeve ndikon negativisht në entuziazmin e turistëve.
"Ne kemi gjetur se 2 për qind e vizitorëve nuk po vijnë për shkak të përmbytjeve, kështu që 3 mijë njerëz nuk do të frekuentojnë këto biznese për shkak të përmbytjeve", thotë Miyuki Hino nga Universiteti i Stanfordit.
Intensifikimi i ndryshimit të klimës në këto zona mund të çojë në uljen e të ardhurave nga turizmi. Lajm i mirë është se këto qytete kanë njohur për këtë problem.
"Kjo është e rëndësishme sepse gjatë këtij shekulli shumë amerikanë do të përballen me potencialin për përmbytje nga rritja e nivelit të detit. Prandaj, përgatitjet për këtë problem po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme", thotë Katharine Mach nga Universiteti i Stanfordit. Studimet parashikojnë se "shumë amerikanë", rreth 4-13 milionë prej tyre, do të kërcënohen nga rritja e nivelit të detit në shekullin e ardhshëm. Ky është një numër shumë më i madh se sa ai që mund të përballojë sistemi i tanishëm.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 7 reads



