Olta, ku janë 320 kriminelët e zjarreve të këtij viti?!
Kur do të ndalojë kjo masakër mjedisore nga njerëz të pacipë e kriminelë?!
SHJ
15/09/2019 - 14:31
Në 9 shtator, Olta Xhaçka, në detyrën e ministres së mbrojtjes, njoftonte se “korriku dhe gushti shënuan një numër pazakontë zjarresh: 324 varta zjarri në mbarë territorin e vendit, 1900 ha pyje, toka bujqësore, kullota, nga zjarre që në 99% të rasteve kanë ardhur jo nga temperaturat e larta, por nga zjarrvënia e qëllimshme”...duke treguar paralelisht punën e forcave të armatosura për shuarjen e tyre (gati si kofini pas të vjelave!) dhe vendosmërinë e qeverisë për t`iu përgjigjur autorëve me “ashpërsinë më të madhe”.
Që nga ajo ditë, zjarre të tjerë pasuan! Sot, për shembull, po digjen pyjet e Dibrës dhe Bulqizës! Dhjetra të tjerë do të pasojnë deri sa të fillojnë shirat dhe të shtohet lagështia në ajër!
Sidoqoftë, ministrja supozohet se e ka kuptuar problematikën drejtë dhe ka mësuar shkaqet jo thjesht në nivel teorik por dhe si t'i luftojë ata. Por nga qendrimi dhe veprimet i saj kuptojmë se s'ka kuptuar asgjë: së pari, na tregon një përmasë të tmerrshme të hektarëve që digjen çdo vit (thjesht njoftim!); së dyti, ministrja nxjerr përfundime se 99% e zjarreve janë të qëllimshme pa na treguar ndonjë hetim (në këtë mënyrë, nënvlerëson rëndësinë e ngritjes së temperaturave!); dhe së treti, na “siguron” se autorët do të ndëshkohen!
Nëse i përmbahemi përqindjes së ministres, do të duhet të kishim parë të paktën 320 zjarrvënës të akuzuar meqë janë mbi 320 zjarre. Olta s`ka treguar asnjë! As ministri i brendshëm! Dhe as krye...ministri!
Ka mundësi të ndalojë masakra mjedisore nga njerëz të pacipë e kriminelë?!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 30 reads



