...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si ta kuptojmë zbulimin e kumtit nga Meta?

Kumti tregon se kandidatët nuk zgjidhen sipas meritave dhe ligjit në fuqi por sipas interesave të palëve

Ylli Përmeti

26/05/2020 - 10:01

Meta në një bisedë me gazetarin Fevziu në “Opinion” —një ndër programet kryesore televizive që çensuron zërat ndryshe— zbuloi një kumt të një diplomati të huaj që lidhet me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, për të cilët është zhvilluar një sherrnajë e vërtetë mes palëve: kryesisht mes Ramës dhe Metës por dhe ndërkombëtarëve. Kumti tregon se kandidatët nuk zgjidhen sipas meritave dhe ligjit në fuqi por sipas interesave të palëve:

“Mirë mëngjes Beni, takova bashkëpunëtorët e mi amerikanë, evropianë dhe gjermanë këtë mëngjes dhe më pas ne thirrëm Ramën. Këshilla ligjore e BE-së dhe SHBA-së nuk mbështet pozicionin e presidentit mbi pezullimin. Ata besojnë se Arta Vorpsi është tani emëruar në sajë të mekanizmit zhbllokues. Ata do të njoftojnë publikun sot për këtë dhe ne u pajtuam se unë do të njoftoj paraprakisht lidhur me këtë. Rama sidoqoftë pajtohet se Marsida Xhaferllari duhet të jetë në listën e presidentit mbi emërimin e presidentit e cila duhet të dalë shumë shpejtë. Rama nuk do të përpiqet ta bllokojë këtë. Sërish më kërkuan të dërgoja këtë kumt tek ty”. 

Kujtoj se raporti paraprak i Komisionit të Venecias e shikonte problemin kryesisht tek qeveria “Rama” se sa tek Meta, dhe kryesisht lidhur me veprimet e KED-it. Sipas Komisionit të Venecias, “dërgimi nga ana e KED-së te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë, dhe numri i kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante krijoi një gjendje në të cilën të gjithë emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”. Domethënë, emërimet e katër gjykatësve në gjykatën kushtetuese duhet të rishikohen përsa kohë që kanë qenë “potencialisht antikushtetues”.

Komisioni i Venecias: katër kandidatët e Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur në mënyrë antikushtetuese

Kujtoj, gjithashtu, se shkaktar për përplasjen mes Metës dhe qeverisë “Rama” lidhur me emërimet në gjykatën kushtetuese është Meta kur ai refuzoi emërimin e Vorpsit dhe në vend të saj emëroi Xhaferllarin. Rama thjesht reagoi duke shpikur mekanizmin zhbllokues për të emëruar Vorpsin. Qartësisht, të gjitha palët janë në faj—me Metën protagonist pas të cilit rend Rama dhe pas të cilit rendin ndërkombëtarët. Problemi ynë, rrjedhimisht, nuk janë ndërkombëtarët, por ndrikullat tona që duan të emërojnë njerëzit e tyre duke shkelur ligjet në fuqi dhe duke kontrolluar Gjykatën Kushtetuese dhe duke kërkuar të sigurojnë të ardhmen e tyre politike lidhur me vendimet politike që kanë marrë dhe do të marrin!

Me shumë gjasa do të reagojë Rama me ndonjë zbulim tjetër për Metën. Populli, sidoqoftë, duhet të kërkojë largimin e të dyve nga pushteti politik dhe të vërë mend për të ardhmen!  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA