28-29 Nëntori: festa kombëtare apo ditë reflektimi dhe nderimi?
Unë gjykoj se datat 28 dhe 29 nëntor nuk duhet të jenë festa kombëtare por ditë kundrimi dhe nderimi; kundrimi sa i përket flijimit të etërve tanë kur luftuan për pavarësinë e Shqipërisë nga perandoria otomane dhe nga pushtimi nazi-fashist dhe qëllimet të tyre: për liri dhe pavarësi
Ylli Përmeti
30/11/2020 - 09:12
Datat e 28 dhe 29 nëntorit festohen si festa kombëtare në Shqipëri. Neni 14 i Kushtetutës dhe pika 5 e tij thotë se “Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori” ndërsa Kushtetutat e viteve 1950 dhe 1976 të Shqipërisë Socialiste nuk citohet se këto data kanë qenë “festa kombëtare”. As në dispozitat kushtetuese të vitit 1991. Data 28 citohet vetëm në Kushtetutën e vitit 1998 dhe në variantin e përditësuar të saj.
Datat njihen dhe festohen si festa kombëtare nga shteti pavarësisht se nuk citohen bashkë në kushtetutë. Data 28 mund të jetë festuar gjatë mbretërisë së Zogut; nuk e di. Por të dyja janë festuar gjatë socializmit dhe vazhdojnë të festohen. Por datën 28 kishin deri diku të drejtë ta festonin njerëzit që flijuan për të siç kishin të drejtë ta festonin ata që flijuan për 29 Nëntorin, meqë u flijuan për to dhe realizuan ndoshta disa nga idealet e tyre.
Por ne brezat e mëvonshëm që nuk kemi flijuar asgjë për to, pse duhet të festojmë kur dihet se për realizimin e atyre Datave janë vrarë mijëra bijë e bija, nuk janë realizuar idealet e tyre dhe Shqipëria është pushtuar sërish?! Festa si nocion nënkupton një lloj kënaqësie. Si mund të ndiesh kënaqësi me flijimin e mijëra njerëzve ndërsa idealet e tyre nuk janë realizuar?! Një nga idealet e tyre kryesore ishte Liria dhe Pavarësia. Të dy si nocione janë të bashkëvarur. Ne nuk jemi të pavarur, as ekonomikisht as politikisht dhe as shoqërisht! Madje me orientimin tonë për t`u integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut ose BE dhe institucionet e tij mbikombëtarë, ne kemi zgjedhur me ndërgjegjje humbje e pavarësisë. Si mund të festohen këto data në këto kushte?!
Në vend të kundrojmë apo bëjmë vlerësim kritik për flijimet dhe idealet e tyre dhe t`i nderojmë, ne festojmë!
Kundrimi do të na bënte të barazoheshim me emancimin e tyre dhe për Shqipërinë dhe do të kuptonim realitetin në të cilin jetojmë. Por klasa jonë politike kërkon ta marros popullin kur i tregon atij festat kombëtare —për të cilat s`ka flijuar gjë; përkundrazi, të gjithë nga pak kanë punuar për minim e Pavarësisë dhe lirisë sonë— dhe nuk i tregon as realitetin ku jetojmë as ku do të përfundojë në të ardhmen me politikat që po ndiqen!
Ndaj mirë do të ishte -që mos të na tallin të huajt- të kërkojmë që këto Data të mos jenë festa kombëtare por ditë kundrim apo reflektimi dhe nderimi. Përmes reflektimit do të mësojnë brezat rëndësinë e flijimit të dëshmorëve tanë ndërsa përmes nderimit do të mësojnë të nderojnë pikë së pari ata që dhanë jetën e tyre për jetën tonë dhe kështu të mësojnë të japin dhe ata për idealet e Lirisë dhe Pavarësisë, si në nivel shtetëror ashtu dhe në nivel shoqëror.
Njësoj duhet të veprojnë dhe shqiptarët e Kosovës të cilët kujtojnë pavarësinë e tyre në të njëjtën date: 28 Nëntor, duke u bërë këto data simbolike që nga koha e Skënderbeut: sepse më 28 nëntor 1443, heroi ynë kombëtar çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj.
Unë gjykoj se datat 28 dhe 29 nëntor nuk duhet të jenë festa kombëtare por ditë kundrimi dhe nderimi; kundrimi sa i përket flijimit të etërve tanë kur luftuan për pavarësinë e Shqipërisë nga perandoria otomane dhe nga pushtimi nazi-fashist dhe qëllimet të tyre: për liri dhe pavarësi.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 274 reads



