Nishan-reaksionari dekoroi 400 diversantët që hodhi CIA në Shqipëri në vitet ’50
Në fakt është rasti i parë në botë, kur presidenti i një vendi, dekoron veprimtarinë e një shërbimi sekret kundër shtetit të tij
Xhevdet Shehu (Dita)
22/02/2017 - 09:54
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi në dt. 20/02/2017, nr. dekreti 10013 “KOMPANISË 4000” Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin:
“Në shenjë vlerësimi të lartë për kontributin e vyer dhe të pamohueshëm, në përpjekje për rrëzimin e shtetit diktatorial hoxhist në Shqipëri, duke nxjerrë në pah vlera të çmuara atdhetare, si dhe duke sakrifikuar jetën e tyre dhe të familjarëve për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe euroatlantike”.
Ata qenë Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Hasan Dosti e shumë e shumë të tjerë, të cilët, sipas Nishanit, në Historinë e Kombit tonë zënë secili një vend të nderuar.
Ne njoftimin per shtyp thuhet se gjatë ceremonisë ku ishin të pranishëm familjarë dhe pasardhës të anëtarëve të “Kompanisë 4000”, kreu i shtetit theksoi se:
“Kjo ceremoni solemne, ka për qëllim jo vetëm të shkundi pluhurin e harresës nga përpjekjet dhe sakrificat sublime të disa shqiptarëve atdhetarë, por edhe t’i vendosë ata denjësisht atje ku e kanë vendin, në piedestalin e heronjve liridashës shqiptarë, duke vlerësuar në këtë mënyrë gjithçka bënë për tokën tonë të shenjtë dhe kombin tonë të shtrenjtë. Burrat dhe djemtë që u rreshtuan vullnetarisht në radhët e Kompanisë ‘4000’ në fund të viteve 1940-të dhe fillim vitet 1950-të ishin gjyshërit, baballarët, xhaxhallarët tuaj që gjendeni sot në këtë sallë. Ata nuk qenë ‘tradhtarë’ e as ‘diversantë’. Ata qenë njerëz që lirinë e kishin vënë mbi çdo gjë tjetër…”.
Në fakt është rasti i parë në botë, kur presidenti i një vendi, dekoron veprimtarinë e një shërbimi sekret kundër shtetit të tij. Edhe vetë CIA zakonisht, kur i boton këto dokumente, u kërkon ndjesë vendeve të prekura.
Historia
Historia zë fill me ngjarjet që morën emrin “Provokacionet e gushtit” të 1949-s, ku ushtria qeveritare greke hyri në kufirin shqiptar teksa luftonte me forcat partizane gjatë luftës civile greke, dhe ushtria e re shqiptare angazhoi forca të konsiderueshme në kufirin jugor nga Korça deri në Sarandë.
Komiteti “Shqipëria e Lirë” i konceptuar si qeveri në mërgim, në këto momente delikate për Tiranën, pa më pranë se kurrë mundësinë e rikthimit në vend, dhe kryetari i këtij Komiteti, pra Mit’hat Frashëri, automatikisht të bëhej kryeministri i ri i vendit.
Mithati njoftoi krijimin e Komitetit për Shqipërinë e Lirë gjatë një konference për shtypin në Paris më 26 gusht 1949. Komiteti përfshinte:
Mithat Frashëri, Balli Kombëtar, Kryetar
Abas Kupi, Legaliteti
Said Kryeziu, i pavarur
Zef Pali, Balli Kombëtar
Nuçi Kota, Legaliteti
Një Komitet i përgjithshëm që do të mbështeste
Komitetin Ekzekutiv, përbëhej nga:
Halil Maçi, Balli Kombëtar
Abas Ermenji, Balli Kombëtar
Vasil Andoni, Balli Kombëtar
Gaqo Gogo, Legaliteti
Gani Tafili, Legaliteti
Asllan Zeneli, Legaliteti
Ihsan Toptani, i pavarur
Muharrem Bajraktari, i pavarur
Hysni Mulleti, i pavarur
Ekrem Telhai, i pavarur
Por Mit’hati nuk jetoi aq sa për të parë nisjen e Operacionit “Valuable”. Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, ora 9.25 minuta në hotelin Winthrop, SHBA, ai vdes sikurse u tha, si pasojë e një ataku kardiak.
Me vdekjen e Mit’hat Frashërit më 3 tetor 1949 dolën probleme në mbarëvajtjen e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, por edhe për operacionin paramilitar të CIA-s kundër Shqipërisë komuniste. Pasardhës i Mit’hatit në krye të Komitetit u zgjodh Hasan Dosti, ndërsa akti i parë i operacionit u ndërmor pak më shumë se një vit më vonë, më 11 nëntor 1950…
Dështimi
Në pasditen e vonë të 11 nëntorit, në një aeroport të vogël ushtarak 12 milje larg Athinës, një avion po bëhej gati për fluturim. Në atë avion do të fluturonin 9 burra me moshë rreth të tridhjetave, të cilët përbënin skuadrën e parë të agjentëve paramilitarë që CIA do të parashutonte në Shqipëri.
Katër prej tyre do të operonin në zonën e Kukësit, ndërsa pesë do të parashutoheshin në malet e Martaneshit më në jug. Qëllimi i këtyre agjentëve ishte të prezantonin Komitetin Kombëtar për Shqipërinë e Lirë midis popullatës së këtyre zonave, t’u jepnin shpresë banorëve të atjeshëm se dita e çlirimit nga komunistët po afronte me shpejtësi si dhe të mblidhnin informacion mbi situatën në vend.
Avioni u ngrit nga aeroporti i Athinës në orën 19 e 40 minuta. Ai u drejtua nga gjiri i Korinthit në perëndim, pastaj u kthye nga veriu në detin Jon dhe fluturoi përgjatë bregdetit grek duke kaluar ishullin e Korfuzit.
Kur arriti në Ngushticën e Otrantos, anoi djathtas dhe ndoqi një kurs verior paralel me linjën bregdetare shqiptare. Ai hyri në Shqipëri në orën 22 e 27 minuta aty ku takohet kufiri jugosllav me detin në ekstremin jugor të luginës së lumit Buna në jug të Shkodrës. Mandej avioni ndoqi një kurs verilindor. Katër agjentët e parë u parashutuan në zonën e Kukësit në orën 23 e 50 minuta, ndërsa pesë të tjerët në zonën e Martaneshit në orën 00 e 45 minuta. Avioni u riul në Greqi në orën 03 e 45 minuta. Koha e përgjithshme për këtë fluturim të parë agjenturor kishte zgjatur 8 orë e 10 minuta…
Më pas, kohë pas kohe, në Shqipëri u bënë zbarkime të tjera nga ajri, toka dhe deti, të cilat sikurse është dëshmuar përfunduan në një katastrofë të vërtetë për këta agjentë, por edhe për vetë CIA-n që e financoi këtë operacion paramilitar që do të zgjaste për rreth pesë vjet. Sidoqoftë, shenjat e dështimit të operacionit u dukën qysh në vitin e parë. Prandaj dhe ndërkohë që zhvillohej operacioni pati lëkundje të qëndrimeve amerikane dhe angleze, ndryshime të njerëzve në pozicionet e operacionit si dhe u ngjallën shumë dyshime mbi arsyet e dështimit të tij…
Pikërisht në këtë periudhë është formësuar qëndrimi anglez për copëtimin e Shqipërisë, ndërkohë që ekzistonin dhe plane të tjera…
Dekorimi si provokacion
Presidenti aktual i Republikës bën një hile, duke i dekoruar si diversantë që u përgatitën dhe u hodhën në Shqipëri nga anglo-amerikanët.
Pavarësisht se në motivacionin e Presidentit theksohet kontributi i i të dekoruarve për përmbysjen e regjimit hoxhist në Shqipëri në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, ata ishin thuajse të gjithë bashkëpunëtorë të pushuesve nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Një pjesë e konsiderueshme ishin shpallur kriminelë të luftës dhe ishin dënuar me vdekje në mungesë për krimet që kishin bërë në kohën e luftës, ndër ta, Hamit Matjani.
Emri i tij nuk përmendet në njoftimin e Presidencës, por ndërsa thuhet se Presidenti ka dekoruar të 400 pjesëmarrësit në këtë operacion, doemos që mes tyre është edhe Hamit Matjani, i cili zbarkoi vetë në Shqipëri dhe u kap.
Kurse Abaz Eremenji, Abaz Kupi dhe Hasan Dosti nuk zbarkuan kurrë në Shqipëri, as në atë kohë dhe asnjëherë më vonë.
*Titullit i është shtuar nga redaksia dhe është ndrequr sintaksa.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 226 reads



