...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Raporti: Vetëm për tre muaj, Zharrëza u shkund 2766 herë

SHJ

24/02/2017 - 14:39

Vetëm në harkun e tre muajve, banorët e Zharrëzës kanë përjetuar 2766 lëkundje sizmike. Kjo e dhënë është shënuar në raportin për vlerësimin e lëkundjeve të tokës, i cili u hartua pas ankesave të banorëve se po përjetonin panik nga tërmetet e njëpasnjëshme dhe se banesat e tyre janë shkatërruar. Ky raport, që mban datën 31 janar 2017, është bërë i ditur dje në një takim në Bashkinë e Patosit, ku merrnin pjesë përfaqësues vendorë, zv.ministri Ilir Bejtja dhe banorë të Zharrëzës.

Në këtë takim, kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, u shpreh se tashmë ka përfunduar faza e verifikimit në terren të banesave të dëmtuara dhe po përgatitet fatura e kostos financiare për dëmshpërblimet e 500 banesave. “Që në fund të janarit, është hartuar një raport për vlerësimin e lëkundjeve të tokës në Zharrëz. Raporti u hartua nga grupi i ekspertëve të caktuar pas urdhrit të Kryeministrit për këtë problem. Tani priten fazat e tjera”, u shpreh kryebashkiakja Balili.

Ndërkaq, në raportin që mban firmat e zv.kryeministrit Niko Peleshi, zv.ministrave Bejtja dhe Çipa, si dhe të ekspertëve të Ministrisë së Energjisë, Ministrisë së Mjedisit dhe të Avokaturës së Shtetit, thuhet ndër të tjera se, pas pezullimit të procesit të injektimit të ujit teknologjik në puset gëlqerore, është vënë re se janë minimizuar lëkundjet e tokës në zonën e Zharrëzës. Madje, në raport thuhet se, në qoftë se nga 24 shtatori deri më 27 dhjetor 2016 janë regjistruar gjithsej 2766 ngjarje sizmike, në periudhën e mbikëqyrjes së procesit nga ekspertët u vunë re vetëm 3- 4 lëkundje të lehta në ditë.

Pas këtyre të dhënave, grupi i punës ka dalë në konkluzionin se është pikërisht aktiviteti i “Bankersit” ai që çon në lëkundjet e tokës në zonat naftëmbajtëse. Por, ndërsa i kanë kërkuar kompanisë të ndalë këtë procedurë për nxjerrjen e naftës, “Bankers” mësohet se ka mohuar të jetë shkaktare e lëkundjeve. Më pas, kompania ka nënvizuar se nëse nuk bëhet injektimi i ujit në pus, atëherë kjo do të reduktojë prodhimin e naftës bruto e për rrjedhojë do të kishte humbje të thellë.

Në ditët në vijim pritet që të ketë një tjetër hap më konkret lidhur me shumat e dëmshpërblimeve në bazë të verifikimit të dëmeve në terren. Por, teksa kryebashkiakja premton hapa konkretë, banorët e Zharrëzës u nisën drejt Tiranës, duke përshkuar rrugën në këmbë. Bashkë me ta në karroca janë edhe 9 grevistët e urisë, të cilët iu bashkuan banorëve të tjerë.

Në raportin e hartuar nga ekspertët, sugjerohet edhe një ekspert teknik ndërkombëtar i pavarur, që të përcaktojë në mënyrë objektive dhe asnjanëse shkakun e lëkundjeve, por edhe për të propozuar zgjidhjen më optimale për teknologjinë e trajtimit të ujit dhe mbetjeve teknologjike që shoqërojnë nxjerrjen e naftës nga nëntoka, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare. Panorama

Kërkesat

Pas tri ditëve udhëtim drejt Tiranës banorët e Zharrzës kanë kaluar gjatë mesdites në Durrës. Shprehen të zhgënjyer dhe kërkesat e tyre janë të pandryshuara. Kërkojnë dëmshpërblim 100 % të shtëpive të tyre. Protesta dhe greva jonë thonë ata, nuk ka asnjë ndikim politik dhe asnjë lidhje me politikën. Grevistët kanë përshkuar deri në Durrës afro 90 km dhe pritet te përshkojnë edhe 35 km të tjera derisa të mbërrijnë në destinacion. Gjatë rrugës ka pasur edhe probleme shëndetësore por ata janë munduar t'i shmangin gjatë pushimit të tyre mbrëmjen e djeshme në Kavajë. Prej muajsh ata kanë ngritur zërin për shkatërrimin e shtëpive të tyre nga lëkundjet e tokës të shkaktuara nga metodat e nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers Petroleum. Kjo është greva e dytë brenda dy muajve nga banorët e fshatit. Greva e parë, në dhjetor 2016, erdhi pas tre ditëve me lëkundje të mëdha të tokës nga shpimet e Bankers për të nxjerrë naftë. tvsh

 

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA