Mashtrimi i madh e grave me 8 marsin: si lindi dhe sa çlirohen vërtet gratë - po femrat?
Gjykuar nga partitë komuniste, gruaja ‘çlirohet’ vetëm në nivel ekonomik dhe social: sepse në nivel politik ajo përfshihet shumë pak. Ndërsa partitë kapitaliste e ‘çlirojnë’ vetëm në nivel politik meqënse gratë kanë filluar të përfshihen në shkallë më të madhe në institucione (në disa vend 50-50 dhe në disa, femrat dominojnë institucionet). Por në nivel ekonomik dhe social vazhdon të dominojnë mashkujt
SHJ
08/03/2021 - 07:42
Sot është dita e 8 marsit dhe në Shqipëri shumë gra e festojnë dhe pak protestojnë. Por si ato që festojnë edhe ato që protestojnë nuk kanë treguar ndonjë kuptim të drejtë të kësaj date. Për ta sqaruar po shkëpusim një pjesë nga studimi i Ylli Përmetit, të cilin femrat dhe gratë duhet ta kishin shqyrtuar nëse duan vërtet të çlirohen:
Për ta emancipuar gruan, elitat shpikën shekullin e kaluar “ditën ndërkombëtare të gruas”: 8 marsin. Kjo e fundit fillon me partinë socialiste amerikane të vitit 1909. Por ishte Shën Petersburgu i vitit 1917-të që shënoi fillimin e “emancipimit” të gruas. Që nga ajo kohë, kjo datë kujtohet me protesta në disa vende dhe në të tjerë, me festa.
Papërputhshmëria e parë e 8 marsit me çlirimin e vërtetë të fermrës dhe gruas është se ajo përmend vetëm ‘gruan’ dhe jo ‘femrën’. Gruaja, ndryshe nga femra, gëzon status social, sepse nënkupton se është martuar. Ndërsa femra lidhet me kategorinë e saj biologjike. Që nënkupton më tej se vetëm ‘gratë’ meritojnë të jenë ‘lira’! Papërputhshmëria e dytë është se ajo përmend ‘barazinë gjinore’. Kjo lloj ‘barazie’ nuk lidhet me pushtetin (ekonomik dhe politik), as në familje, as në pushtet elitar as në pushtet popullor. Si e tillë, është abstrakte.
Në të vërtetë, elitat kapitaliste e lidhin me pushtetin elitar kur thonë se qeveria duhet të përbëhet nga një përqindje e barabartë mes burrave dhe grave. Këtë objektiv e kanë realizuar disa vende. Madje dhe qeveria “Rama2” është thuajse e barabartë në këtë lloj “barazie”: shtatë femra/gra dhe tetë burra. Ndërsa elitat marksiste ‘barazinë gjinore’ e lidhin kryesisht me barazinë në vendin e punës përmes së cilës realizojnë barazinë në familje.
Por dimë nga teoria dhe praktika se hierarkia shtetërore nuk lejon gjithëpërfshirjen e punëtorëve në vendimarrje dhe për të njëjtën arsye, puntorët në socializmin marksit nuk i shqyrtonin thuajse kurrë vendimet e qeverisë marksiste: ‘thuajse’ sepse disa përpjekje u bënë për të përfshirë punëtorët në shqyrtimin e vendimeve të qeverisë komuniste. Kështu qoftë elitat kapitaliste qoftë elitat marksiste nuk mund ta çlirojnë (në përqindje të ndryshme) femrën/gruan nga dhuna sistemike me qasjen dhe sintezën që kanë krijuar.
Elitën marksiste, në të vërtetë, e pengon pikërisht Marksi me qasjen e tij klasore dhe jo pushtetore. Ndaj dhe ‘marksistët’ luftojnë për barazi gjinore në vendin e punës dhe jo në pushtetin politik, qoftë ai në nivel shtetëror (siç shprehet shteti modern) apo komunitar. Në këtë kuptim ‘barazia gjinore’ e marksistëve është pjesërisht abstrakte dhe pjesërisht e lidhur me vendin e punës. Sidoqoftë, kjo ditë synon të nxisë gratë të reflektojnë lidhur me ‘çlirimin’ e tyre.
Gjykuar nga partitë komuniste, gruaja ‘çlirohet’ vetëm në nivel ekonomik dhe social: sepse në nivel politik ajo përfshihet shumë pak. Ndërsa partitë kapitaliste e ‘çlirojnë’ vetëm në nivel politik meqënse gratë kanë filluar të përfshihen në shkallë më të madhe në institucione (në disa vend 50-50 dhe në disa, femrat dominojnë institucionet). Por në nivel ekonomik dhe social vazhdon të dominojnë mashkujt. Qartësisht, femrat s’kanë krijuar ndonjë objektiv të qartë për ta synuar. Dhe kur mungon qartësia – mungon dhe angazhimi. Ky është shkaku kryesor se pse femrat nuk angazhohen në lëvizje feministe dhe më shumë i përshtaten sistemit sesa e kundërshtojnë atë.
Nga tirania “demokrate” në tiraninë “socialiste”: dhuna sistemike mbi femrën-gruan dhe çlirimi i saj
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 33 reads



