Protesta e punëtorëve të aerokontrollit: e drejtë por spontane
Punonjësit përkatës nuk shpallën ndonjë grevë sipas ligjit. Por shpallën “paaftësi” kolektive të përkohshme duke shfrytëzuar një të drejtë që ua jepë ligji. Por ata mund të mbështeteshin në Nenin 46 të Kushtetutës, pika 1, mbi “liritë dhe të drejtat politike”, i cili citon se “kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm”.
Ylli Përmeti
10/04/2021 - 20:46
Protesta e 65 punonjësve të “Albcontrol”, ndërmarrjes shtetërore që është krijuar gjatë kapitalizmit neoliberal dhe “demokracisë” përfaqësuese të tre dekadave të fundit nga klasa politike që t`i shërbejë kryesisht oligarkisë politiko-ekonomike dhe pasanikëve të huaj se sa punëtorëve, dhe reagimi i qeverisë “Rama” ndaj saj, tregoi edhe një herë karakterin reaksionar të kësaj të fundit lidhur me punëtorët: sepse ajo jo vetëm që nuk u mjaftua me të qenit shkak i protestës së punëtorëve por kur këta të fundit guxuan dhe sfiduan vendimin e padrejtë të qeverisë ajo u hodh në kundërsulm duke u treguar rrogën e lartë dhe duke mos përmendur as karakterin e punës që bëjnë: plotë stres!
Sipas ILO-s, Organizatës Ndërkombëtare të Punës, “burimi kryesor i stresit që raportohet nga kontrollorët e trafikut ajror lidhet me aspekte operative (vepruese) dhe strukturën e organizatës. Për aspektin e parë, më të rëndësishmit janë kulmet e ngarkesës së trafikut, trysnia kohore, detyrimet për thyerjen e ligjeve, kufizimet dhe siguria e pajisjeve. Për të dytin janë lëvizshmëria e turneve (puna e natës në veçanti), mosmarrëveshje rolesh, kushte pune të pafavorshme dhe mungesa e kontrollit mbi punën”. (Occupational stress and stress prevention in air traffic control, Prof. Giovanni Costa, Institute of Occupational Medicine, University of Verona, 1995, f, 2.
Ky qendrim reaksionar i Ramës buron nga idealogjia e partisë “soicialiste”: ajo përfaqëson klasën e mesme të lartë dhe jo klasën punëtore siç përfaqësonte shekullin e kaluar Partia e Punës/Komuniste. Ndërmarrja përkatëse, rrjedhimisht, është pasojë e orientimit të vendit tonë për t`u integruar në globalizmin neoliberal dhe i shërben kryesisht oligarkisë sonë dhe pasanikëve të huaj. Për të njëjtën arsye ajo do të inkuadronte njerëz të lidhur me klasën politike: sepse nevojitet një lloj varësie pushtetore që të sigurohet mbarëvajtja e udhëtimeve të së njëjtës klasë. Thënë ndryshe, klasa politike ka projektuar dhe emëruar shumë prej punonjësve në ndërmarrjen përkatëse për të siguruar udhëtimin e saj dhe se cila nga partitë ka emëruar më shumë individë në të, nevojitet të hetohet: sepse nga ky hetim mund të kuptohet se kush ndikon më shumë tek ata.
Por ngasa zbuluan hetimet —nga biseda mes organizatorëve— ata kanë qenë të vetorganizuar dhe hedhin poshtë dhe tezën që qarkulloi menjëherë pas protestës nga proponentë të qeverisë me në krye Ramën, pas të cilit rendën plotë spontanë dhe idiotë, se ata ishin nxitur nga Meta dhe Berisha për të shkaktuar kaos dhe penguar provat ushtarake të NATO-s që zhvillohen gjatë të njëjtit muaj.
Berisha dhe Meta bartin plotë mëkate por me protestën përkatëse nuk janë përfshirë. Ata mund të përfshihen vetëm nëse punëtorët përkatës kërkojnë mbështetje në kërkesat e tyre: sepse fakti është se punonjësit atje punojnë pa të drejta. Kjo duket qartë jo vetëm nga veprimet e qeverisë —duke ulur rrogat e tyre pa bisedime dhe duke pushuar nga puna tre kolegë— por dhe nga kërkesat e tyre: 1) rikthimin e kolegëve në punë; 2) shfuqizimin e vendimeve të bordit; 3) rikthimin e pagës së plotë sipas kontratës kolektive; 4) transparencë financiare të plotë për vitin 2020; dhe 5) një anëtar sindikate të jetë anëtar bordi.
Kërkesa e parë ishte shkaku që nxiti protestën dhe lidhet me kërkesën e dytë: shfuqizimin e vendimeve të bordit. Kërkesa e tretë është pasojë e veprimeve të qeverisë. Kërkesa e katërt lidhet me raportet vjetore, sepse ndërmarrja ka publikuar raportet nga viti 2014 deri në vitin 2018 por jo për vitin 2019 dhe 2020! Nga kjo kërkesë punëtorët dhe ne kuptojmë mes të tjerash të ardhurat e ndërmarrjes. Dhe duke kuptuar të ardhurat, kuptojmë dhe sa i drejtë është vendimi i qeverisë. Kërkesa e pestë lidhet me një të drejtë të punëtorëve për të qenë pjesë vendimarrëse në ndërmarrje.
Kështu, ndërsa katër kërkesat e para lidhen me veprimet e padrejta të qeverisë dhe pasojën —protestën—, kërkesa e pestë ka karakter “revolucionar” meqë në anët tona kjo kërkesë nuk përmendet fare nga punëtorët, si në ndërmarrjet publike ashtu dhe private. Por qeveria neoliberale e Ramës nuk do t`i realizojë kurrë ato kërkesa—përjashto mundësinë që punonjësit organizojnë një protestë të mirëmenduar në raport me ligjin: sepse duhet thënë se protesta e tyre ishte kryesisht spontane dhe e nxitur nga zemërimi me vendimet e qeverisë pavarësisht se një lloj plani —lidhur me kohën se kur do të vepronin bashkarisht— shquhet në bisedën e organizatorëve. As mund t`i realizojnë opozitarët neoliberalë të Ramës: Basha, Meta etj.
Stresi i tyre, rrjedhimisht, do të vazhdojë, për mos të thënë se ata do të përkeqësohen në gjendjen e tyre shëndetësore dhe mund të dëshmojmë ndonjë gjëmë. Dëftues është fakti se Besart Kadia, një pinjoll i të njëjtës klasë politike dhe i përkëdheluar nga media private me emisione ku drejtues ka qenë vetë ai ndërsa ftohet si “ekspert” nga gazetarët e tjerë të establishmentit, kryesisht në emisionin “Open”, të cilin e quaj “Mbyllur”, pikërisht për shkak se çensuron të vërtetat e mëdha…i deklaruar i djathtë por që s`e ka problem të jetë pjesë e qeverisë së “majtë” të Ramës, hamendësisht sepse nuk është një parti e “majtë” dhe Kadija e ka kuptuar mjaft mirë këtë fakt, që është zëvendësministër i financave dhe anëtar i bordit në “Albcontrol”, pranoi se bordi në të cilin e bëri pjesë qeveria “Rama” dhe i siguron një rrogë plus asaj si zëvendësministër, ishte bërë shkak për protestën por nuk përmendi as kërkesat dhe as lidhjen e ngushtë të bordit me qeverinë!
Media, dhe veçanërisht Topchannel, e quajti “grevë”, duke ndjekur propagandën e qeverisë dhe duke treguar se kujt i shërben…kur dihet se greva përcaktohet nga ligji dhe shpallet (Neni, 197, 197/1…deri në Nenin 197/10, Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, 2003). Punonjësit përkatës nuk shpallën ndonjë grevë sipas ligjit. Por shpallën “paaftësi” kolektive të përkohshme duke shfrytëzuar një të drejtë që ua jepë ligji. Por ata mund të mbështeteshin në Nenin 46 të Kushtetutës, pika 1, mbi “liritë dhe të drejtat politike”, i cili citon se “kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm”. Punonjësit dhe avokati i tyre nuk shfrytëzuan këtë të drejtë kushtetuese por të drejtën për të deklaruar “paaftësi” për shkak të stresit—kjo është një e drejtë që buron nga karakteri i punës që bëjnë. Ata —avokati dhe punonjësit— nuk ishin, në fjalë të tjera, të mirëpërgatitur ligjërisht për të kërkuar të drejta. Kjo është arsyeja se pse ata dështuan dhe në gjykatë pas tre ditëve.
Duhet thënë se rrogat e tyre mund të uleshin përsa kohë që ranë fluturimet por vetëm me mirëkuptim dhe jo njëanshmërisht siç veproi, edhe një herë me punëtorët, qeveria kriminale e Ramës: sepse për krim politik bëhet fjalë. Bashkë me Ramën u bë dhe gjykata dhe prokurorët duke treguar këta të fundit —edhe një herë— se cilit i shërbejnë! Dhe bashkë me ta dhe gazetarët, të cilët nuk e ndriçuan mjaftueshëm përplasjen mes punëtorëve të një sektori të rëndësishëm për globalizmin neoliberal dhe qeverisë neoliberale të Ramës…

Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 43 reads



