...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Historike: aleanca euro-atlantike largohet nga Afganistani

Lufta u ka marrë jetën 2,400 ushtarakëve amerikanë dhe ka kushtuar rreth 2 trilionë dollarë. Prania amerikane në Afganistan arriti kulmin në vitin 2011 me më shumë se 100,000 trupa.

Voa

14/04/2021 - 19:13

Koalicioni i trupave të drejtuara nga NATO-ja në Afganistan do të largohet nga vendi në koordinim me tërheqjen e planifikuar të forcave amerikane deri më 11 shtator, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në Bruksel se është koha që aleatët e NATO-s të venë në jetë premtimin e aleancës se ata shkuan në Afganistan së bashku dhe do të largohen së bashku.

"Unë jam këtu për të punuar ngushtë me aleatët tanë, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, mbi parimin që kemi vendosur që nga fillimi: kemi shkuar së bashku, jemi stërvitur së bashku dhe do të dalim së bashku," tha zoti Blinken në një deklaratë në selinë e NATO-s.

Në Afganistan ndodhen 2,500 trupa amerikane. Por atje ka gjithshtu edhe rreth 7,000 forca jo-amerikane, kryesisht nga vende të NATO-s, si edhe nga Australia, Zelanda e Re dhe Gjeorgjia, të cilat ende kanë mbështeten ajrore amerikane, si dhe bazohen tek forcat e SHBA përsa i përket planifikimit dhe drejtimit në misionin e tyre trajnues.

"Ne do të punojmë shumë ngushtë së bashku gjatë muajve në vazhdim për një tërheqje të sigurt, me synime të qarta dhe të bashkërenduar të forcave tona nga Afganistani," tha zoti Blinken.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se e mirëpriste koordinimin për këtë çështje.

"Ne e mirëpresim këtë mundësi për t’u koordinuar dhe konsultuar ngushtë me të gjithë aleatët tanë ndërkohë që jemi dakord lidhur me praninë tonë të ardhshme në Afganistan. Kështu që unë pres të diskutoj me ju si dhe me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes gjatë ditës së sotme,” tha shefi i NATO-s.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të NATO-s po diskutojnë ndërkaq planet e tyre përmes video konferencës.

Një diplomat i lartë i NATO-s i tha agjencisë së lajmeve Reuters se asnjë aleat nuk pritet të kundërshtojë njoftimin zyrtar që do të bëjë Presidenti Joe Biden për një tërheqje të plotë të trupave amerikane deri më 11 shtator.   

Biden: koha për t'i dhënë fund luftës së përhershme

Presidenti Joe Biden deklaroi të mërkurën se planifikon t'i japë fund luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara dhe se është "koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe" nga Afganistani, edhe pse kritikët paralajmërojnë se paqja nuk është e garantuar pas një pranie 20-vjeçare të trupave amerikane atje.

"Ne shkuam në Afganistan për shkak të një sulmi të tmerrshëm që ndodhi 20 vjet më parë," tha Presidenti Biden. "Kjo nuk mund të shpjegojë se përse duhet të qëndrojmë atje në vitin 2021," tha ai në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden njoftoi se të 2,500 trupat amerikane të mbetura në Afganistan do të fillojnë të tërhiqen duke filluar nga 1 maji dhe tërheqja do të përfundojë përpara 11 shtatorit.

Duke u tërhequr pa një fitore të qartë, Shtetet e Bashkuara janë tani të hapura ndaj kritikave se largimi i trupave përbën në fakt një pranim të dështimit. Presidenti tha se “arsyet për të qëndruar në Afganistan janë bërë gjithnjë e më të paqarta.”

"Jam presidenti i katërt amerikan që përgjigjem për praninë e trupave të SHBA në Afganistan. Dy republikanë. Dy demokratë. Nuk do t'ia kaloj këtë përgjegjësi një të pesti," u shpreh Presidenti Biden.

"Është koha për t'i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës. Është koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe," tha ai.

Ai tha se tërheqja amerikane “do të bëhet në mënyrë të sigurt dhe në bashkërendim të plotë me aleatët.”

Presidenti Biden tha se do të vazhdojë të punojë për të parandaluar rishfaqjen e terrorizmit .

Njëmbëdhjetë shtatori i këtij viti është një ditë mjaft simbolike, që përkon me 20 vjetorin e sulmeve të al Kaidës kundër Shteteve të Bashkuara. Ngjarja bëri që Presidenti i atëhershëm George W. Bush të niste konfliktin. Lufta u ka marrë jetën 2,400 ushtarakëve amerikanë dhe ka kushtuar rreth 2 trilionë dollarë. Prania amerikane në Afganistan arriti kulmin në vitin 2011 me më shumë se 100,000 trupa.

"Edhe pse nuk do të qëndrojmë të përfshirë në Afganistan ushtarakisht, puna jonë diplomatike dhe humanitare do të vazhdojë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Qeverinë e Afganistanit", tha Presidenti Biden.

Reagimet në Afganistan

Presidenti afgan Ashraf Ghani shkroi në Twitter se kishte folur me zotin Biden dhe se e respekton vendimin e SHBA. Zoti Ghani shtoi se "ne do të punojmë me partnerët tanë amerikanë për të siguruar një tranzicion të qetë" dhe "do të vazhdojmë të punojmë me partnerët SHBA / NATO në përpjekjet e tanishme të paqes".

Presidenti Biden përballej me një afat tërheqjeje të 1 majit, të caktuar nga paraardhësi i tij republikan Donald Trump, i cili u përpoq por nuk arriti të tërhiqte trupat para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë. Vendimi i zotit Biden i mban trupat në Afganistan disa muaj pas këtij afati, por zyrtarët lanë të kuptohej që trupat mund të largohen plotësisht përpara 11 shtatorit.

Në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, zyrtarët thanë se ata do të vazhdonin me bisedimet e paqes dhe forcat e tyre do të mbrojnë vendin.

"Tani që ka një vendim mbi tërheqjen e trupave të huaja brenda disa muajsh, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të bashkëjetuar," tha Abdullah Abdullah, një zyrtar i lartë i bisedimeve të paqes dhe ish-kandidat për president. "Ne besojmë se nuk ka fitues në konfliktet afgane dhe shpresojmë që edhe talebanët ta kuptojnë këtë," tha ai.

Zyrtarët amerikanë thonë se e kanë shkatërruar vite më parë udhëheqjen e al Kaidës në rajon, duke përfshirë udhëheqësin e grupit Osama bin Laden në Pakistanin fqinj në vitin 2011. Por lidhjet midis talebanëve dhe elementëve të al Kaidës vazhdojnë dhe paqja dhe siguria mbeten të rrezikuara.

Presidentët e mëparshëm të Shteteve të Bashkuara u përpoqën të tërhiqeshin nga Afganistani, por këto shpresa u venitën nga shqetësimet në lidhje me forcat afgane të sigurisë, korrupsioni i rrënjosur në Afganistan dhe vazhdimi i kryengritjes talebane që përdorte strehë të sigurta përtej kufirit, në Pakistan.

Ekziston shqetësimi rreth ndikimit që do të ketë tërheqja tek të drejtat e njeriut në Afganistan, duke pasur parasysh përfitimet që sollën dy dekadat e fundit për popullatën veçanërisht për gratë dhe vajzat.

"Jam e shqetësuar për të ardhmen time," tha Wida Saghar, shkrimtare dhe aktiviste për të drejtat e grave në Kabul. "Një e ardhme e panjohur na pret, kur forcat e huaja të largohen dhe lufta civile të intensifikohet ... kush do të mendojë për të drejtat e grave? Kush do të kujdeset për ne?"

NATO do të shkurtojë trupat në Afganistan

NATO deklaroi se do të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Afganistani, duke ndjekur kështu zotimin amerikan për të njëjtin qëllim.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, pasi u takua të mërkurën me Sekretarin amerikane të Shtetit Anthony Blinken dhe Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, njoftoi në një konferencë për shtyp se rreth 7000 trupa të NATO-s do të tërhiqen.

"Ne do të fillojmë tërheqjen e forcave të Mbështetjes së Vendosur të NATO-s deri në 1 maj", tha zoti Stoltenberg. "Kemi në plan të përfundojmë tërheqjen e të gjitha trupave tona brenda disa muajsh".

"Shkuam në Afganistan së bashku, kemi përshtatur praninë tonë së bashku dhe jemi të bashkuar në largimin së bashku", tha ai, duke shtuar se çdo sulm ndaj tërheqjes së forcave të NATO-s do të merrte një përgjigje të fortë nga aleanca.

Në Afganistan ndodhen 2,500 trupa amerikane. Por atje ka gjithshtu edhe rreth 7,000 forca jo-amerikane, kryesisht nga vende të NATO-s, si edhe nga Australia, Zelanda e Re dhe Gjeorgjia, të cilat ende kanë mbështeten ajrore amerikane, si dhe bazohen tek forcat e SHBA përsa i përket planifikimit dhe drejtimit në misionin e tyre trajnues.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se e mirëpriste koordinimin për këtë çështje.

"Ne e mirëpresim këtë mundësi për t’u koordinuar dhe konsultuar ngushtë me të gjithë aleatët tanë ndërkohë që jemi dakord lidhur me praninë tonë të ardhshme në Afganistan. Kështu që unë pres të diskutoj me ju si dhe me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes gjatë ditës së sotme,” tha shefi i NATO-s.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të NATO-s po diskutojnë ndërkaq planet e tyre përmes video konferencës.

Një diplomat i lartë i NATO-s i tha agjencisë së lajmeve Reuters se asnjë aleat nuk pritet të kundërshtojë njoftimin zyrtar që do të bëjë Presidenti Joe Biden për një tërheqje të plotë të trupave amerikane deri më 11 shtator.

Zbulimi amerikan: Tërheqja nga Afganistani mund të përbëjë “rrezik të konsiderueshëm”

Zyrtarë të lartë të zbulimit amerikan thanë se plani për të tërhequr trupat nga Afganistani mund t'u japë grupeve terroriste si al-Kaida dhe Shtetit Islamik një mundësi për të rigjeneruar aftësitë që do t'u duheshin për të kryer një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara.

Paralajmërimi i tyre, i cili u bë në të njëjtën ditë që Presidenti Joe Biden njoftoi zyrtarisht vendimin për t'i dhënë fund luftës më të gjatë në të cilën janë përfshirë Shtetet e Bashkuara, ngre shqetësimet e rrënjosura thellë të shprehura nga shumë zyrtarë amerikanë dhe ish-zyrtarë, lidhur me tërheqjen e 2.500 deri në 3.500 trupa nga Afganistani, së bashku me mijëra vetë të personelit civil.

Vendimi mundet gjithashtu të nxisë shqetësime të mëtejshme, me kritikët që i mëshojnë frikës se kushtet që lejuan Afganistanin të bëhet një strehë për terroristët mund të rikrijohen serish së shpejti, pavarësisht nga gati dy dekada luftë.

"Ekziston një rrezik i konsiderueshëm me tërheqjen e ushtrisë amerikane dhe ushtrisë së koalicionit", u tha drejtori i ri i CIA-s, Bill Burns ligjvënësve të mërkurën.

"Aftësia e qeverisë amerikane për të vepruar ndaj kërcënimeve do të zvogëlohet. Ky është thjesht një fakt", tha ai, duke paralajmëruar se al-Kaida dhe ISIS-i në Afganistan, “synojnë të rikuperojnë aftësitë për të sulmuar objektivat amerikane, qoftë në rajon, në Perëndim apo në territorin amerikan".

Por zoti Burns shtoi se pavarësisht dëshirës që ka al-Kaida dhe ISIS-i për të sulmuar SHBA-në, "realiteti është se asnjë prej tyre nuk e diposponon sot atë kapacitet".

Zyrtarë të tjerë të lartë të zbulimit thanë gjithashtu se kërcënimi nga terrorizmi që nxiti fillimisht SHBA-në të shkojë në luftë në Afganistan nuk është më rreziku kryesor.

"Ka grupe terroriste të cilat përfaqësojnë kërcënime shumë më serioze", tha zoti Burns.

Drejtoresha e Zbulimit Kombëtar Avril Haines u tha ligjvënësve se rreziku që paraqitet në Afganistan është eklipsuar gjithashtu nga kërcënimet që vijnë nga vende të tilla si Kina, të cilën ajo e quajti një "përparësi të pashembullt", duke shtuar gjithashtu Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Edhe ekstremistët vendas nga një "gamë e gjerë motivimesh ideologjike paraqesin një kërcënim të madh e të afërt", tha zonja Haines.

Ligjvënësi Marco Rubio, republikani kryesor në Komisionin e Zbulimit të Senatit, shprehu shqetësimin lidhur me tërheqjen e trupave.

"Ekziston një mundësi shumë reale që në një të ardhme shumë të afërt, fatkeqësisht dhe tragjikisht që Talibanët të rimarrin kontrollin mbi të gjitha pjesët thelbësore të Afganistanit", tha ai.

"Nëse ata e bëjnë këtë, mendoj se është pothuajse e sigurt që al-Kaida do të rikthehet", shtoi zoti Rubio. "Askush nuk mund ta mohojë se do të ketë pasoja serioze mbi sigurinë e vendin tonë në vitet që vijnë".

Vlerësimet e fundit, si nga SHBA ashtu edhe nga vendet e tjera, tregojnë se dekada të tëra presioni antiterrorizëm e kanë dobësuar në mënyrë të konsiderueshme udhëheqjen e al-Kaidës dhe numrin e saj të përgjithshëm në Afganistan.

*Përditësuar dhe përgatitur nga SHJ

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA