Kronologjia e luftës Hamas-Izrael: maj 2021
Nga fillimi i luftimeve më 10 maj, 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, janë vrarë dhe më shumë se 1,900 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore të ushtrisë izraelite
SHJ
12/05/2021 - 08:48
Implikime pas armëpushimit
Palestinezët përtej Gazës, Jeruzalemit lindor dhe Bregut të pushtuar Perëndimor festuan atë që shumë e panë si një fitore të Hamasit kundër një Izraeli shumë më të fuqishëm. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndërkohë u përball me kritika nga baza e tij e linjës së fortë, shumë prej të cilëve e akuzuan se i dha fund luftës para kohe, pa e mundur Hamasin. Zoti Netanyahu tha se Izraeli u shkaktoi dëme të mëdha kapaciteteve ushtarake të Hamasit, duke vrarë 200 militantë, përfshirë 25 komandantë të lartë. Ai thotë se u goditën më shumë se 100 kilometra (60 milje) tunele të militantëve, si dhe raketahedhës dhe infrastrukturë ushtarake. Por Izraeli nuk arriti të ndalë zjarrin e raketave.
Militantët palestinezë filluan breshëri masive me raketa që nganjëherë dukej se tejkalonin kapacitetet e mbrojtjes së fortë ajrore të Izraelit. Ushtria izraelite thotë se pati një përqindje interceptimi prej 90% dhe se qindra raketa ranë në Gaza, ku një prej tyre vrau një familje palestineze me tetë persona.
Ashtu si me tre luftërat e fundit, luftimet u ndalën nga një armëpushim informal i ndërmjetësuar nga Egjipti dhe ndërmjetësuesit e tjerë, kushtet e sakta të të cilit nuk u bënë publike.
Hamasi pretendoi se Izraeli ra dakord të ndalë veprimet e policisë në pikën e nxehtë të Xhamisë Al-Aqsa në Jeruzalem dhe dëbimin e planifikuar të familjeve palestineze nga lagja aty pranë, Sheikh Jarrah. Planet kishin shkaktuar protesta dhe përplasje të palestinezëve me policinë dhe sollën përfundimisht luftën. Megjithatë nuk pati ndonjë konfirmim nga Izraeli apo ndërmjetësuesit.
Armëpushimet e mëparshme kanë ndalur luftimet e mëdha por kanë rezultuar të paqëndrueshme. Izraeli dhe Hamasi kanë bërë katër luftëra dhe kanë shkëmbyer zjarr të panumërt që kur grupi militant islamik mori kontrollin e Gazës nga forcat besnike ndaj Autoritetit Palestinez në vitin 2007. Përleshjet në Al-Aqsa pas lutjeve të së premtes ishin një testim i hershëm i qëndrueshmërisë së armëpushimit.
Asnjë armëpushim nuk ka trajtuar çështjet themelore, përfshirë okupimin izraelit në tokat që palestinezët dëshirojnë për shtetin e tyre të ardhshëm dhe refuzimin e Hamasit për të njohur të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Izraeli dhe palestinezët nuk kanë zhvilluar bisedime thelbësore për paqen prej më shumë se një dekade.
Kundërshtarët politikë të Netanyahut ishin në prag të formimit të një qeverie dhe largimit të tij pas katër zgjedhjeve pa rezultate të qarta në dy vjet. Por, negociatat delikate të koalicionit me partitë arabe u ndërprenë kur shpërthyen luftimet.
Lufta fillimisht dukej se forconte perspektivat politike të Netanyahut, duke i mundësuar atij të paraqitej si një udhëheqës i ashpër që po ndëshkonte armiqtë e vendit. Por që kur armëpushimi hyri në fuqi, ai është përballur me kritika të reja.
Asnjëherë nuk ka qenë e qartë nëse kundërshtarët e Netanyahut, të cilët përfshijnë një spektër politik të përbërë që nga aleatët e tij të dikurshëm të djathtë dhe deri tek partitë arabe, do të ishin në gjendje të linin mënjanë mosmarrëveshjet e tyre për ta larguar atë nga pushteti. Ekziston edhe mundësia e zgjedhjeve të tjera më vonë gjatë këtij viti.
Izraelitët kanë qenë thellësisht të polarizuar për sa i përket zotit Netanyahu në vitet e fundit, pasi ai është përballur me akuza për korrupsion, për të cilat tani po gjykohet. Në muajt para luftës, aktivistët kishin organizuar protesta javore përpara banesës së tij. Ato tani është vendosur të rifillojnë.
Hyn në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza
Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një armëpushim të enjten, duke ndalur një luftë 11-ditore që shkaktoi vdekjen e mbi 200 njerëzve, shkatërrim të gjerë në Rripin e Gazës, dhe bllokoi aktivitetet në pjesën më të madhe të Izraelit. Në orën 2 të mëngjesit të së premtes, sipas kohës lokale, ndërsa hyri në fuqi armëpushimi, jeta u kthye në rrugët e Gazës. Njerëzit dolën nga shtëpitë e tyre, disa prej tyre duke kënduar dhe fishkëllyer nga ballkonet e shtëpive. Shumë njerëz qëlluan me armë në ajër, duke festuar armëpushimin.
Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thonë se që nga fillimi i luftimeve më 10 maj, 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, janë vrarë dhe më shumë se 1,900 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore të ushtrisë izraelite. Izraeli ka thënë se ka vrarë të paktën 160 luftëtarë në Gaza. Sipas zyrtarëve izraelitë, 12 vetë kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve me raketa nga Hamasi dhe qindra të tjerë janë plagosur. Ashtu si tre luftërat e mëparshme midis dy armiqve të hidhur, raundi i fundit i luftimeve përfundoi pa ndonjë zgjidhje të konfliktit.
Izraeli pretendoi se u ka shktatuar dëme të mëdha Hamasit, por përsëri nuk ishte në gjendje të ndalonte breshëritë e raketave të grupit militant islamik. Pothuajse menjëherë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përball me akuza nga baza e tij e vijës së ashpër, të krahut të djathtë se ai e ndaloi operacionin ushtarak shumë shpejt. Hamasi, grupi militant islamik që është betuar për shkatërrimin e Izraelit, gjithashtu pretendoi fitoren. Por tani përballet me sfidën e madhe të rindërtimit në një territor tashmë që vuan nga varfëria, niveli i lartë i papunësisë dhe përhapja e koronavirusit.
Armëpushimi u përshëndet edhe nga Presidenti amerikan Joe Biden, i cili falenderoi qeverinë e Egjiptit për rolin vendimtar në arritjen e marrëvëshjes. Presidenti Joe Biden tha të enjten se ai sheh një "mundësi të mirëfilltë" drejt qëllimit më të madh për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Ai gjithashtu tha se Shtëpia e Bardhë ishte angazhuar intensivisht për të ndalur gjakderdhjen. "Unë besoj se palestinezët dhe izraelitët meritojnë të jetojnë në mënyrë të sigurt dhe në siguri, të gëzojnë masë të barabartë të lirisë, begatisë dhe demokracisë", tha Presidenti Biden. "Administrata ime do të vazhdojë diplomacinë tonë të qetë, të paepur drejt arritjes së këtij synimi."
Alarmohet Blinken nga sulmet izraelite
Izraeli vrau një komandant të lartë militant palestinez në Gazë të hënën gjatë sulmeve ajrore, të cilat tha se kishin gjithashtu në shënjestër tunelet nëntokësore të përdorura nga Hamasi. Ndërkohë, grupet islamike ndërmorën sulme të reja me raketa kundër qyteteve izraelite.
Vdekja e komandantit të Xhihadit Islamik për Gazën veriore, Hussam Abu Harbeed, ka të ngjarë të sjellë një kundërpërgjigje të ashpër nga ky grup militant që lufton bashkë me Hamasin, lëvizjen islamike që qeveris këtë enklavë bregdetare. Ushtria izraelite tha në një deklaratë se Harbeed qëndronte "pas disa sulmeve terroriste me raketa anti-tank kundër civilëve izraelitë".
Ushtria izraelite ndërmori një valë sulmesh ajrore mëngjesin e së hënës në Rripin e Gazës ndërsa tha se shkatërroi 15 kilometra tunele të militantëve dhe shtëpitë e pretenduara të nëntë komandantëve të Hamasit.
Banorët e Gazës të zgjuar nga sulmet i përshkruan ato si më të rëndat që nga fillimi i luftës një javë më parë, dhe madje edhe më të fuqishme sesa sulmet e një dite më parë që lanë prapa 42 të vdekur dhe rrafshuan tri ndërtesa.
Nuk pati informacion të menjëhershëm për viktimat nga sulmet e fundit. Një ndërtesë trekatëshe në Gaza u dëmtua rëndë, por banorët thanë se ushtria i paralajmëroi ata 10 minuta para sulmit dhe të gjithë u evakuuan. Ata thanë se shumë prej sulmeve ajrore goditën tokat bujqësore aty pranë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje të hënën të gjitha palëve në konflikt të mbrojnë civilët dhe tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht për t'i dhënë fund dhunës.
"Shtetet e Bashkuara mbeten shumë të shqetësuara nga dhuna që po shkallëzohet. Janë qindra njerëz të vrarë ose të plagosur, duke përfshirë fëmijë që nxirren nga rrënojat," tha ai pas bisedimeve me ministrin e jashtëm të Danimarkës në Kopenhagë.
Ai tha se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten, por shtoi se ishte i alarmuar për faktin që gazetarët dhe punonjësit mjekësorë janë vënë në rrezik, sidomos pas shkatërrimit nga Izraeli të një kulle në Gaza ku kishte zyrat agjencia Associated Press dhe media të tjera.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar hollësi shtesë nga Izraeli në lidhje me sulmin, tha Sekretari Blinken.
Lufta shpërtheu të hënën e kaluar, kur Hamasi hodhi raketa me rreze të gjatë veprimi drejt Jerusalemit, pas disa javësh përplasjesh midis protestuesve palestinezë dhe policisë Izraelite.
Që nga ajo kohë, ushtria izraelite ka kryer qindra sulme ajrore që sipas saj synojnë infrastrukturën militante të Hamasit. Militantët palestinezë në Gaza kanë qëlluar me më shumë se 3 mijë e 100 raketa mbi Izraelin.
Të paktën 197 palestinezë janë vrarë në qindra sulme ajrore në Gaza, përfshirë 58 fëmijë dhe 34 gra, ndërsa janë plagosur 1 mijë e 230 veta. Të paktën dhjetë veta janë vrarë në Izrael nga sulmet me raketa nga Gaza, përfshirë një djalë 5-vjeçar.
"Unë nuk kam parë këtë nivel të shkatërrimit gjatë 14 viteve të punës time," tha Samir al-Khatib, një zyrtar i emergjencave në Gaza. "As në luftën e vitit 2014", shtoi ai, duke iu referuar luftës më shkatërruese nga katër luftërat e zhvilluara midis Izraelit dhe Hamasit.
Sulmet e së hënës pasuan komentet e së dielës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, se nuk po planifikonte ndonjë përfundim "të menjëhershëm" të sulmeve vdekjeprurëse ajrore në Gaza. Voa
Shefi i OKB-së thirrje për armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha sot (e dielë) gjatë një mbledhje të Këshillit të Sigurimit se ajo që po ndodh mes Izraelit e Gazës ishin diçka tejet e tmerrshme e bëri thirrje për ndalim të menjëhershëm të luftimeve. Zoti Guterres tha se Kombet e Bashkuara "po angazhojnë në mënyrë aktive të gjitha palët drejt një armëpushimi të menjëhershëm", ai i bëri thirrje atyre "të lejojnë që përpjekjet për ndërmjetësim të intensifikohen e të kenë sukses".
Po sot Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se fundi i luftimeve shtatë ditore të vendit me militantët e Gazës, nuk është ende drejt fundit pavarësisht lëvizjeve diplomatike për të rikthyer qetësinë. Gjatë një fjalimi televiziv ai shtoi se Izraeli "do veprojë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, për të rivendosur qetësinë për qytetarët e vendit dhe kjo gjë siç tha ai do të marrë kohë". Ministria e Shëndetësisë së Gazës njoftoi se 42 persona humbën jetën të dielën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në këtë qytet. Sulmet me raketa të së dielës shkaktuan numrin më të madh të viktimave që nga shpërthimi i luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit.
Po sot (e dielë), Izraeli bombardoi shtëpinë e udhëheqësit kryesor të Hamasit në Gazë, Yehya Al-Sinwar. Nuk ka ende informacione nëse ai ndodhej në shtëpi në momentin e sulmit. Yehya Al-Sinwar udhëheq krahun ushtarak dhe politik të Hamasit në Gazë që nga viti 2017. Sipas asgjencisë së lajmeve “Associated Press" ka të ngjarë që ai të jetë fshehur së bashku me anëtarë të tjerë të lartë të grupit". Të shtunën Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmet ajrore dhe me artileri të Izraelit kundër militantëve palestinezë do të "vazhdojnë për aq kohë sa të nevojitet".
“Nuk mund të fshiheni, as mbi tokë dhe as nën tokë. Askush nuk është imun”, tha ai, duke iu drejtuar udhëheqësve të Hamasit në Gazë ndërsa falënderoi Presidentin Joe Biden dhe udhëheqësit e tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen. Një ditë më parë Izraeli shkatërroi një ndërtesë 12-katëshe në qytetin e Gazës, ku ndodheshin zyrat e Associated Press dhe Al Jazeera-s.
Të dielën Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë rreth mënyrave për të rivendosur qetësinë në këtë rajon. Të shtunën Presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin Netanyahu. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se zoti Biden i dënonte sulmet me raketa nga ana e Hamasit dhe rikonfirmoi mbështetjen e tij për të drejtën që ka Izraeli për t'u mbrojtur nga Hamasi dhe grupe të tjera terroriste. Presidenti Biden shprehu gjithashtu shqetësimin lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe nevojën për të garantuar mbrojtjen e tyre.
Presidenti amerikan zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike edhe me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas, biseda e tyre e parë që nga momenti që zoti Biden mori detyrën. Zoti Biden informoi zotin Abbas mbi përpjekjet diplomatike amerikane për t'i dhënë fund konfliktit të vazhdueshëm, duke theksuar se Hamasi duhet të ndalë lëshimin e raketave kundër Izraelit. Zoti Biden gjithashtu nënvizoi angazhimin e tij për një "zgjidhje të negociuar me dy shtete si rruga më e mirë për të arritur një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez".
Izraeli shkatërroi zyrat e agjensive AP dhe Al Jazeera në Gaza: reagime
Një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza, ku ndodhen zyrat e agjensive Associated Press dhe Al-Jazeera, u shkatërrua nga sulmet ajrore izraelite të shtunën, pasi vazhdon të përshkallëzohet dhuna më e ashpër midis Izraelit dhe militantëve palestinezë që nga viti 2014. Avionët izraelitë kryen sulme ajrore në Gaza dhe militantët e Hamasit u përgjigjën duke qëlluar me raketa në Izrael, ndërsa dhuna midis të dy palëve vazhdoi në natën e pestë.
Një ndërtesë 12-katëshe, me apartamente dhe zyra të tjera përveç organizatave mediatike, u rrëzua nga raketat izraelite pasi pronari i ndërtesës mori një paralajmërim me telefon nga ushtria izraelite një orë para sulmit se do të goditej. Punonjësit e AP dhe banorët e tjerë u evakuuan menjëherë, por Al-Jazeera vazhdoi të transmetonte sulmet ajrore ndërsa ndërtesa u shemb.
"Al-Jazeera nuk do të heshtë", tha një drejtuese në transmetim. "Ne mund t'ju garantojmë për këtë." Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i agjensisë AP, Gary Pruitt tha në një deklaratë se organizata e lajmeve ishte "e tronditur dhe e tmerruar" për sulmin ndaj ndërtesës, ndërsa vuri në dukje se mori një paralajmërim nga Izraeli.
Zoti Pruitt tha se AP po kërkon informacion nga Izraeli dhe Departamenti amerikan i Shtetit në lidhje me sulmin, nga i cili 12 punonjës "shmangën për pak një humbje të tmerrshme të jetës". "Bota do të dijë më pak për atë që po ndodh në Gaza për shkak të këtij sulmi që ndodhi sot," paralajmëroi zoti Pruitt.
Drejtori i përgjithshëm në detyrë i rrjetit Al Jazeera, Dr Mostefa Souag, e quajti sulmin ajror "barbar" dhe tha se Izraeli duhet të mbajë përgjegjësi. Ushtria izraelite tha pa dhënë prova se e shkatërroi ndërtesën sepse operativët e inteligjencës brenda grupit militant islamik Hamas, po përdornin zyrat e medias si "mburoja njerëzore".
Qëllimi i këtij krimi të rëndë është të heshtë median, të fshehë masakrën dhe vuajtjet e patreguara të njerëzve të Gazës," tha ai në një deklaratë. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Nënkoloneli Jonathan Conricus hodhi poshtë idenë se Izraeli po kërkonte t’i mbyllte gojën medias. "Kjo është plotësisht e gabuar, media nuk është në shënjestër," i tha ai agjencisë Reuters.
Ushtria izraelite tha pa dhënë prova se e shkatërroi ndërtesën sepse operativët e inteligjencës brenda grupit militant islamik Hamas, po përdornin zyrat e medias si "mburoja njerëzore". Ushtria izraelite ka thënë gjatë gati një jave konflikti intensiv se sulmet e saj ndaj ndërtesave në Gaza kanë për qëllim goditjen e objektivave të përdorura nga Hamasi, grupi islamik që drejton enklavën.
Militantët e Hamasit kanë hedhur më shumë se 2,000 raketa në drejtim të Izraelit gjatë dhunës së fundit. Mjekët palestinezë thonë se të paktën 140 njerëz, përfshirë 39 fëmijë, janë vrarë në Gaza. Izraeli ka raportuar 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë.
PRESIDENTI AMERIKAN BISEDON ME KRYEMINISTRIN NETANYAHU DHE PRESIDENTIN ABBAS
Presidenti amerikan Joe Biden foli me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidentin Palestinez Mahmoud Abbas, tha Shtëpia e Bardhë të shtunën. Presidneti Biden rikonfirmoi se Shtetet e Bashkuara "mbështesin fuqishëm të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur nga sulmet me raketa nga Hamas" në thirrjen që pati me zotin Netanyahu.
Presidenti Biden foli edhe me presidentin palestinez Mahmoud Abbas duke i përçuar mesazhin e angazhimit amerikan për të forcuar partneritetin e Shteteve të Bashkuara me palestinezët. Shkatërrimi i ndërtesës erdhi një ditë pasi i dërguari i Presidentit Biden, Hady Amr mbërriti në Izrael mes përpjekjeve diplomatike për të rivendosur qetësinë.
I pyetur përse u shkatërrua e gjithë ndërtesa nënkoloneli Conricus tha: "Nuk kishte asnjë mënyrë për të shkatërruar vetëm objektet e Hamasit që ishin në ndërtesë. Ata zunë disa kate në ndërtesë dhe ishte e pamundur të rrëzoheshin vetëm ato. U konsiderua e nevojshme që e gjithë ndërtesa të shembej ". Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha Presidentit amerikan Joe Biden në një telefonatë se Izraeli po bën gjithçka për të shmangur dëmtimin e civilëve në luftimet e tij me Hamasin dhe grupet e tjera në Gaza.
Netanyahu tha se prova për këtë ishte se gjatë sulmeve të fundit izraelite në kullat shumëkatëshe "në të cilat grupet terroriste u sulmuan nga ushtria, civilët u evakuuan", thuhet në një përmbledhje të bisedës telefonike që u bë publike nga zyra e Kryeministrit Netanyahu. Klubi Kombëtar i Shtypit me qendër në Uashington tha se sulmi i së shtunës në ndërtesën në Gaza kishte pasuar "bombardimet nga avionët luftarakë izraelitë të dy ndërtesave të tjera që strehonin më shumë se 12 media" më 11 dhe 12 maj.
"Kjo prirje shtron pyetjen nëse forcat izraelite po sulmojnë këto agjensi për të dëmtuar mbulimin e pavarur dhe të saktë të konfliktit," tha grupi në një deklaratë. Një raport i rrjetit Al Jazeera mbi sulmin, i publikuar në faqen e tij në internet në gjuhën angleze, citoi gazetarin Safwat al-Kahlout të thoshte: “Unë kam punuar këtu për 11 vjet. Kam mbuluar shumë ngjarje nga kjo ndërtesë, ne kemi përjetuar përvoja personale. Tani gjithçka, në dy sekonda, u zhduk. ”
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki shkroi në Twitter, "Ne u kemi komunikuar drejtpërdrejt izraelitëve se garantimi i sigurisë dhe i sigurisë së gazetarëve dhe mediave të pavarura është një përgjegjësi kryesore". Ndërtesa u shkatërrua disa orë pasi një tjetër sulm ajror izraelit në një kamp refugjatësh të mbipopulluar vrau të paktën 10 palestinezë, kryesisht fëmijë. Ishte sulmi i vetëm vdekjeprurës ajror që kur dhuna filloi të intensifikohej në fillim të kësaj jave. Një tjetër sulm ajror vrau të paktën dy njerëz, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë. Tensionet u shtuan më tej të shtunën ndërsa palestinezët shënuan Ditën Nakba ose Ditën e Katastrofës, duke përkujtuar shkatërrimin e atdheut palestinez në vitin 1948 për krijimin e Izraelit.
Izraeli sulmon tunelet e Gazës, ndërsa sulmet me raketa palestineze vazhdojnë
Të premten Izraeli ndërmori sulme të gjera ajrore dhe me artileri ndaj një rrjeti tunelesh nëntokësore që ndodhen në Gaza, të cilat strehojnë militantë palestineze. Përshkallëzimi i luftimeve vjen mes sulmeve të vazhdueshme me raketa ndaj qyteteve izraelite.
Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit, nënkolonel Jonathan Conricus tha se ky është operacioni më i madh kundër një objektivi specifik që nga fillimi i konfliktit, gjatë të cilit u përdorën 160 avionë, tanke e artileri.
Kjo shënon ditën e pestë të përpjasjeve më të ashpra mes Izraelit dhe militantëve të Gazës që nga viti 2014.
Grupi militant i Hamasit i nisi sulmet me raketa ndaj Jeruzalemit dhe Tel Avivit si hakmarrje ndaj përplasjeve të policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë Al-Aksa në Jeruzalem.
Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë të paktën 119 persona janë vrarë në Gaza, mes tyre 31 fëmijë dhe 19 gra, ndërsa 830 të tjerë janë plagosur. Autoritetet izraelite thanë se numri i të vdekurve në Izrael vazhdon të mbetet në tetë, mes tyre një ushtar që patrullonte kufirin e Gazës, gjashtë civilë izraelitë, përfshirë dy fëmijë dhe një punëtor indian.
Kreu i Gjykatës Penale Ndërkombëtare paralajmëroi se personat e përfshirë në akte që kanë shkaktuar gjakderdhje mund të jenë shënjestër e hetimeve për krime të dyshuara lufte. Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se kishte raportime për më shumë se 200 objekte strehimi të shkatërruara apo të dëmtuara rëndë dhe se qindra njerëz po përpiqeshin të strehoheshin në shkolla në veri të Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se fushata "do të kërkojë më shumë kohë". Zyrtarët izraelitë thanë se përpara çdo armëpushimi, i duhet dhënë një goditje e fortë frenuese Hamasit, grupit më të fuqishëm militant islamik të Gazës.
Presidenti amerikan Joe Biden bëri thirrje të enjten për ulje të tensioneve dhe tha se donte të shihte një reduktim të ndjeshëm të sulmeve me raketa.
Izraeli planifikon pushtimin e Rripit të Gazës
Komandantët ushtarakë të Izraelit kanë hartuar një plan beteje për një inkursion në Gazë dhe pritet ta paraqesin atë më vonë gjatë ditës së enjte. Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes Izraelite (FMI)-së. Gjatë një konference për shtyp për median lokale zëdhënësi i FMI-së Hidai Zilberman tha se ekzistojnë mundësitë për një inkursion tokësor.
FMI-ja ka dislokuar brigadat e këmbësorisë në kufirin me Gazën, së bashku me tanke dhe mjete ushtarake. Vendimi për një pushtim të Rripit të Gazës, i cili kontrollohet nga grupi islamik i Hamasit, varet nga qeveria izraelite. Nëse jepet drita jeshile, kjo do të shënonte inkursionin e parë në këtë territor që nga viti 2014.
Të mërkurën në mbrëmje ushtria izraelite dhe luftëtarët palestinezë të Hamasit vazhduan shkëmbimet e raketave. Nga ana tjetër autoritetet izraelite njoftuan rreth një vale të re trazirash që përfshinë qytetet izraelite të cilat çuan në arrestimin e 400 personave. Të enjten militantët e Hamasit nisën një seri sulmesh me raketa ndaj Izraelit pas vrasjes në Gazë gjatë një sulmi ajror izraelit të një komandanti të lartë të grupit palestinez, Bassem Issa.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë së Hamasit deri të enjten herët në mëngjes numri i të vdekurve në Gazë nga sulmet me raketa arriti në 83 persona mes tyre 17 fëmijë. Organizatat bamirëse lokale thonë se disa prej të vdekurve në Gazë u shkaktuan nga raketat e Hamasit që nuk arritën të godasin objektivat izraelitë. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha të enjten se 487 persona janë plagosur.
Autoritet izaraelite njoftuan se shtatë izraelitë janë vrarë, mes tyre një djalë gjashtë vjeçar.
OKB-ja ka paralajmëruar se konflikti, i cili nisi në mes të muajit prill me përplasjet në rrugët e Jeruzalemit, një qytet që si izraelitët ashtu edhe palestinezët e konsiderojnë si kryeqytetin e tyre, rrezikon "të përshkallëzohet në një luftë në shkallë të gjerë, që do të përfshinte të gjitha kapacitetet ushtarake të palëve”.
Autoritetet izraelite kanë vendosur trupa shtesë policie në qytetet izraelite me popullsi të përzierë arabo-hebraike pas dy netë përleshjesh në qytetet e Haifa-s, Acre-s, Ramle-s dhe Lod-t, ku u dogjën tre sinagoga. Televizionet izraele transmetuan pamje të drejtpërdrejta në mbrëmje të një turme hebrejsh tek rrihnin në një zone afër Tel Avivit drejtuesin e një automjeti me origjinë arabe. Presidenti izraelit Reuven Rivlin u bëri thirrje izraelitëve që të ndalnin atë që e quajti marrëzi.
Nën drejtimin e Presidentit të SHBA-së Joe Biden, disa udhëheqës të huaj po vazhdojnë përpjekjet për të bindur palët për të ulur tensionet. Të mërkurën në mbrëmje Presidenti Biden zhvilloi një bisedë me udhëheqësin izraelit Binyamin Netanyahu. Ai tha se Izraeli "kishte të drejtë të mbrohej", por shtoi se "prishmëritë dhe shpresa e tij janë që kjo situatë të marrë fund sa më parë".
Tërbim me frymë luftarake në Turqi: ushtria turke të shkojë në Jeruzalem
Erdogani thërret gjithë vendet muslimane në mobilizim të përgjithshëm ushtarak kundër Izraelit ndërsa dërgon ministrat në vende kyç për të krijuar aleanca ndërkohë që mijëra protestues përqendrohen jashtë ambasadës dhe konsullatave të Izraelit me një kërkesë të vetme…të shkojë në Jeruzalem ushtria turke, me thirrjet: “[ushtarë turq] në Gaza” dhe “poshtë Izraeli, poshtë Amerika”. Kombet e Bashkuara paralajmëruan se përplasjet mes Izraelit dhe Hamasit kërcënojnë të sillen si spirale drejt luftës së përgjithshme.
Mbrëmë (11/05), mijëra vetë në Stamboll sfiduan një masë ndalim qarkullimi për koronavirusin në të gjithë vendin dhe dolën për të demonstruar kundër sulmeve të Izraelit.
Disa komandantë të lartë të Hamasit vriten në sulmet ajrore izraelite
Disa komandantë të grupit militant Hamas janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, njoftuan të mërkurën si Hamasi ashtu edhe Izraeli, ndërsa përplasjet mes të dy palëve përshkallëzohen. Grupi Hamas tha në një deklaratë se udhëheqësi i operacionit të tij ushtarak në Gaza, Bassem Issa dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë u vranë gjatë sulmeve.
Agjencia izraelite e sigurisë së brendshme tha të mërkurën se Bassem Issa dhe komandantë të tjerë të lartë të Hamasit, përfshi shefin e inxhinierisë së grupit dhe kreun e luftës kibernetike dhe ai për zhvillimin e raketave, u vranë. Qeveria izraelite tha se në total gjatë sulmeve u vranë 16 anëtarë të krahut ushtarak të Hamasit.
Vrasjet ndodhën pasi Izraeli nisi një raund të ri sulmesh ajrore në Gaza të mërkurën herët, duke vënë në shënjestër instalimet e policisë dhe të sigurisë. Një ndërtesë shumëkatëshe banimi dhe zyrash u dëmtua rëndë. Askush nuk ishte në ndërtesë në kohën e sulmit. Përleshjet mes palestinezëve dhe Izraelit në Rripin e Gazës dhe Jeruzalem janë përshkallëzuar që nga e hëna.
Sulmet ajrore izraelite, për të cilat forcat ushtarake izraelite thonë se synojnë vendet e nisjes së raketave nga militantët, zyrat e inteligjencës dhe shtëpitë e udhëheqësve të Hamasit, kanë vrarë sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 65 palestinezë, përfshirë 16 fëmijë dhe pesë gra. Të paktën 365 persona janë plagosur.
Ngritja e tensioneve
Ndërkohë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë gjashtë izraelitë u vranë në sulmet me raketa të Hamasit të martën dhe herët të mërkurën, duke përfshirë dy persona në qytetin Ashkelon. Hamasi ka qëlluar qindra raketa drejt qytetit izraelit të Tel Avivit dhe në periferi të tij që nga e hëna, duke përfshirë një breshëri prej 130 raketash të martën vonë në përgjigje të shkatërrimit të ndërtesës shumëkatëshe.
Shkëmbimi vdekjeprurës i zjarrit me raketa dhe sulmeve ajrore, luftimet më të mëdha këto midis grupit militant palestinez dhe forcave izraelite që nga lufta e vitit 2014 në Gaza, u shkaktuan nga trazirat në rritje për kontrollin e Jeruzalemit dhe përpjekjet e kolonëve hebrenj për të marrë komunitetet e kontrolluara nga arabët. Tensionet janë zgjeruar deri në Bregun Perëndimor, ku qindra banorë në komunitetet arabe zhvilluan protesta brenda natës kundër veprimeve të fundit të forcave izraelite të sigurisë kundër palestinezëve.
Një 26-vjeçar palestinez u vra të martën në përleshjet me trupat izraelite në një kamp refugjatësh pranë qytetit të Hebronit. Në qytetin Lod, afër Tel Avivit, një 25-vjeçar arab u qëllua dhe u vra nga një banor hebre.
Shefi i Pentagonit Lloyd Austin ripohoi "mbështetjen e hekurt për të drejtën legjitime të Izraelit për të mbrojtur veten". Ministri izraelit i Mbrojtjes Benny Gantz tha se Izraeli do të vazhdojë të godasë Hamasin për të rivendosur qetësinë afatgjatë, sipas një deklarate mbi telefonatën mes tyre.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në mënyrë të ngjashme dënoi sulmet e Hamasit ndaj civilëve Izraelitë në një bisedë me Kryeministrin Izraelit Benjamin Netanyahu, duke deklaruar se "Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten" ndërsa palestinezëve duhet t'u jepet e drejta "të jetojnë në siguri" ndërsa bëri thirrje për uljen e tensioneve.
Sekretari Blinken gjithashtu tha se udhëzoi zëvendës sekretarin e shtetit për Izraelin dhe çështjet palestineze, Hady Amr të nisej menjëherë për në Lindjen e Mesme për të nxitur zyrtarët izraelitë dhe palestinezë të ulin tensionet.
Ministrja e Drejtësisë e Gjermanisë, Christine Lambrecht, tha të mërkurën se Gjermania është "fuqishëm në anën e Izraelit" dhe shtoi se shteti hebraik "ka të drejtë të vetë-mbrohet". Zonja Lambrecht gjithashtu kritikoi aktet e fundit antisemite të tilla si djegiet e flamurit izraelit pranë sinagogave në Gjermani, duke thënë se ato nuk tregojnë "asgjë tjetër përveç mosrespektim të tmerrshëm të dinjitetit njerëzor".
Gjatë një bisede të mërkurën me presidentin rus Vladimir Putin, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu mbështetje për palestinezët. Sipas Drejtorisë Presidenciale turke të Komunikimit, Erdogan tha se komuniteti global duhet "t'i japë Izraelit një mësim të fortë dhe parandalues" mbi sulmet e tij ndaj palestinezëve. Drejtoria tha se presidenti Erdogan i sugjeroi Putinit që të shqyrtohet krijimi i një force ndërkombëtare për të mbrojtur palestinezët.
Takimi urgjent i OKB-së
Këshilli i Sigurimit i OKB-së po zhvillonte një takim urgjent me dyer të mbyllura të mërkurën për të diskutuar situatën. Burimet thonë se Shtetet e Bashkuara po vonojnë përpjekjet e Këshillit për të publikuar një deklaratë zyrtare mbi luftimet e përshkallëzuara nga shqetësimet se mund të dëmtojë përpjekjet që po zhvillohen në prapaskenë për t'i dhënë fund dhunës.
Hamasi lëshoi disa raketa disa minuta pas orës 18:00. afati i të hënës në mbrëmje që i ishte dhënë Izraelit për të tërhequr forcat e tij të sigurisë nga kompleksi i Xhamisë al-Aqsa në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit. Përleshje të shumta kanë shpërthyer ditët e fundit në kompleks, të cilin hebrenjtë e konsiderojnë vendin e tyre më të shenjtë dhe myslimanët vendin e tyre të tretë më të rëndësishëm.
Disa herë gjatë dekadave të fundit, luftimet midis Izraelit dhe Hamasit, grupi që sundon Gazën, kanë zgjatur për disa ditë. Por të mërkurën, kryeministri Netanyahu paralajmëroi në një deklaratë se "Ky është vetëm fillimi. Ne do t'i godasim ata siç nuk e kanë ëndërruar ndonjëherë”, tha ai.
Një zëdhënës i krahut ushtarak të Hamasit, Abu Obeida, tha se sulmet me raketa ishin një përgjigje ndaj atyre që ai i quajti "krime dhe agresion" të Izraelit në Jeruzalem.
Korporata amerikane Chevron tha se kishte mbyllur platformën e gazit natyror Tamar në brigjet e Izraelit me udhëzim të Ministrisë së Energjisë. Izraeli tha se nevojat e tij për energji do të vazhdojnë të plotësohen. Hamasi tha se kishte hedhur 210 raketa drejt qytetit Beersheba në Izraelin jugor dhe në Tel Aviv brenda natës në përgjigje të goditjeve ndaj një kulle në qytetin e Gazës.
"Nëse ata (Izraeli) duan të përshkallëzojnë gjendjen, rezistenca është gati, nëse duan të ndalen, rezistenca është gati," tha Haniyeh. Për Izraelin, shënjestrimi i Tel Avivit, kryeqytetit të tij tregtar, paraqet një sfidë të re në konfrontimin me Hamasin, i konsideruar si një organizatë terroriste nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Dhuna vjen pas disa javë tensionesh gjatë Ramazanit, me përplasje midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë pranë Xhamisë Al-Aksa në Jeruzalemin Lindor.
Konflikti ka çuar në ngrirjen e bisedimeve nga ana e rivalëve të Netanyahut për formimin e një koalicioni qeverisës, me synimin për ta hequr atë. Zgjedhjet u zhvilluan më 23 mars, por rezultati i tyre ishte i paqartë. Dhuna është ndezur gjithashtu në Bregun Perëndimor të pushtuar. Burimet mjekësore thanë se një palestinez 16-vjeçar u vra në përleshjet me forcat izraelite të mërkurën. Voa
Përshkallëzohen luftimet mes Izraelit dhe Hamasit
Të martën Izraeli i intensifikoi sulmet në Rripin e Gazës, duke rrafshuar një ndërtesë shumëkatëshe të përdorur nga grupi militant Hamas dhe duke vrarë të paktën tre militantë ndërsa raketat palestineze binin pothuajse pa ndalim në disa pjesë të Izraelit.
Këto shihen si luftimet më të ashpra mes tyre që nga viti 2014 dhe nuk shihet të japin asnjë shenjë për ndalje të tyre.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua ta zgjerojë ofensivën, ndërsa militantët e Gazës lëshuan një breshëri të ashpër raketash në mbrëmje, pasuar nga shpërthime në të gjithë zonën e populluar dendur të Tel Avivit.
Raketat shkaktuan vdekjen e tre grave në Izrael dhe dhjetëra vetë u plagosën. Numri i të vdekurve në Gaza u rrit në 32 palestinezë, mes tyre 10 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Mbi 200 vetë u plagosën.
Ndërkohë në komunitetet arabe në të gjithë Izraelin shpërthyen demonstratat, një tjetër sinjal ky për zgjerimin e trazirave. Protestuesit i vunë flakën dhjetëra automjeteve si dhe u përplasën me policinë.
Përplasjet mes Izraelit dhe Hamasit shihen si më të ashprat që prej një lufte 50-ditore në verën e vitit 2014. Në pak më shumë se 24 orë, përplasjet aktuale, shkaktuar nga tensionet fetare në qytetin e kontestuar të Jeruzalemit, gjithnjë e më shumë i ngjajnë asaj të një lufte shkatërruese.
Ndërkohë burime diplomatike bënë të ditur për agjencinë "Reuters" se të mërkurën do zhvillohet një mbledhje jozyrtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me dhunën në Lindjen e Mesme.
Hamasi tha në një deklaratë se kishte lëshuar 130 raketa në drejtim të Tel-Avivit dhe rrethinave të tij.
Krahu i armatosur i Hamasit tha se e kishte ndërmarrë këtë akt si kundërpërgjigje ndaj sulmit ajror izraelit kundër një kompleksi banimi 13 katësh në Rripin e Gazës, i cili u shemb të martën mbrëma pas goditjes.
Shtëpia e Bardhë dënoi të martën sulmet me raketa nga Hamasi dhe grupe të tjera kundër objektivave në Izrael dhe tha se Izraeli ka një të drejtë legjitime për t’u vetëmbrojtur.
Por zyrtarët amerikanë njëkohësisht i bënë presion Izraelit për çështjen e trajtimit të palestinezëve, duke thënë se Jeruzalemi "duhet të jetë një vend i bashkëjetesës".
"Jeruzalemi, një qytet me një rëndësi kaq të madhe për njerëzit e besimit në të gjithë botën, duhet të jetë një vend bashkëjetese," u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. Ajo tha se vemendja kryesore e SHBA tani është te ulja e tensioneve.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se kishte folur me partnerët izraelitë dhe me zyrtarët palestinezë për gjendjen e krijuar dhe se kishte parë disa hapa inkurajuese si nga pala izraelite edhe nga ajo palestineze.
Në Gazë, pamjet video të kompleksit të goditur nga sulmi ajror izraelit tregonin shtëllunga tymi të dendur, ndërsa katet e sipërme ishin ende të paprekura derisa u shembën në tokë.
Kompleksi strehonte një zyrë që përdoret nga Hamasi, udhëheqja politike e qeverisësve islamistë të Gazës.
Izraeli dërgoi 80 avionë për të bombarduar Gazën të martën dhe grumbulloi tanke në kufi ndërsa breshëritë e raketave goditën qytetet izraelite për të dytën ditë me radhë.
Shpërthimi i luftimeve, erdhi pas përplasjeve mes palestinezëve dhe policisë izraelite në Xhaminë al-Aksa të Jeruzalemit të hënën.
Banorët e kompleksit dhe njerëzit që jetojnë në afërsi të tij ishin paralajmëruar të largoheshin rreth një orë para sulmit ajror, sipas dëshmitarëve. Nuk është e qartë nëse ndërtesa ishte evakuuar plotësisht, apo nëse pati viktima.
Qyteti i shenjtë i Jeruzalemit ka qenë i tensionuar gjatë muajit të agjërimit musliman të Ramazanit, sidomos pas kërcënimit të një vendimi gjykate për dëbimin e palestinezëve nga shtëpitë që pretendohen nga kolonët hebrenj.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të intensifikojë sulmet në Gaza, një enklavë prej 2 milion banorësh, në përgjigje të sulmeve me raketa, të cilat vazhduan deri në orët e para të mbrëmjes.
"Si fuqia e sulmeve ashtu edhe shpeshtësia e tyre do të rritet," tha ai në një deklaratë me video.
Brenda një ore pas deklaratës, Izraeli tha se kishte dërguar 80 avionë për të bombarduar vendet nga lëshoheshin raketave në Gaza dhe rreth saj. Nga zonat me popullsi të dendur u panë të ngriheshin shtëllunga tymi.
Zyrtarët thanë se këmbësoria dhe forca të blinduara po dërgoheshin për të përforcuar tanket tashmë të grumbulluara në kufi, duke evokuar kujtimet e ndërhyrjes së fundit izraelite në Gaza në vitin 2014 për të ndalur sulmet me raketa.
Në luftën që pasoi dhe që zgjati shtatë javë, në Gaza u vranë më shumë se 2,100 persona, sipas ministrisë së shëndetit të Gazës, si dhe 73 izraelitë, ndërkohë që mijëra shtëpi në Gaza u rrafshuan.
Të martën, para se të shembej kompleksi i banimit, ministria e shëndetësisë në Gaza tha se të paktën 28 palestinezë, përfshirë 10 fëmijë, ishin vrarë dhe 152 ishin plagosur nga sulmet izraelite që nga e hëna, kur Hamasi lëshoi raketa drejt Jeruzalemit, për herë të parë që nga viti 2014.
Shërbimi kombëtar izraelit i ambulancave tha se dy gra ishin vrarë nga sulmet me raketa në qytetin jugor Ashkelon.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) u bëri thirrje të gjitha palëve që të tërhiqen dhe u kujtoi atyre kërkesën e ligjit ndërkombëtar që të përpiqen të shmangin viktimat civile.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian dënoi sulmet me raketa nga Gaza në Izrael por gjithashtu tha se ishte i shqetësuar për kërcënimin e dëbimit të detyruar të banorëve palestinezë nga lagjja Sheikh Jarrah e Jeruzalemit Lindor. Voa
*Përditësuar në datën 21 maj 2021.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 1943 reads



