Pse nuk fitoi Anxhela Peristeri në “Eurovision-2021” dhe pse fitoi kënga italiane?
Kënga italiane është dhe këngë ‘revolucionare’ ndërsa kënga jonë ose ajo që na “përfaqësoi” ne, ishte e paharmonizuar dhe e pa lidhur me shoqërinë tonë
Ylli Përmeti
23/05/2021 - 21:19
Anxhela Peristeri ose “Engjëllore Pëllumbi” siç do ta quanim shqip emrin dhe mbiemrin grek të këngëtares sonë që na përfaqësoi në “Eurovision-2021”, është një këngëtare me aftësi që mund të sfidojë çdo rival të mundshëm: ajo ka zhvilluar një zë të mirë dhe mund të këndojë çdo gjini muzikore—nga këngët me bazë muzikën klasike deri tek këngët me bazë muzikën popullore dhe muzikën e lehtë. Ka zhvilluar, gjithashtu, një karakter me virtytin e thjeshtësisë i cili e ndihmon të pëlqehet nga popujt ndërsa bukurinë fizike e ka në nivel të lartë. Por pse nuk fitoi ajo në garën evropinae të këngës? Përgjigja e kësaj pyetje do të ndihmonte sfidantet e të ardhmes.
Në çdo art, artisti duhet të përsoset në artin e tij. Fjala ‘përsosje’ në artin muzikor dhe këngës do të ishte pakuptim nëse nuk e sqarojmë.
Një artist ‘i përsosur’ në muzikë dhe këngë është ai ose ajo që ka zhvilluar aftësinë e zërit në mënyrë të tillë që përputhet me tingujt muzikor që dëgjon por dhe gjeneron tinguj me zërin e tij/saj qoftë edhe në mungesë tingujsh si në rastin e këngëve pa instrumente muzikore (polifonike etj.). Domethënë, harmonizon zërin me tingujt ose gjeneron tinguj të tillë që kërcejnë dhe edukojnë shpirtin e dëgjuesit. Por kaq nuk mjafton për të qenë artist ‘i përsosur’ në këngë dhe muzikë: sepse nevojitet dhe aftësia e estetikës—sepse artisti duhet të përputh veshjen me kuptimin e këngës meqënse këngët janë të llojeve të ndryshme dhe kanë kuptime të ndryshme. Ai duhet, në fund, të përputh sjelljen e tij me kuptimin e këngës. Për shembull, kur këndohet një këngë vajtuese: ai nuk mund të qeshë! Këto janë, shkurt, disa nga aftësitë e këngëtarit që mund ta quajmë “të përsosur”.
Gjykuar nga kjo qasje, Peristeri kishte baza të mira por jo këngë që të përputhësh me bazat e saj: së pari, teksti i këngës ishte me përmbajtje vuajtëse por dhe individuale. Domethënë, kënga lidhësh me përjetimin e një individi në raport me një individ tjetër: të një individi që jetonte në përrallë dhe i llastuar, që jetonte më shumë në qiell si një yll se sa në tokë, që qeshte kur dëshmonte rënkimet e tjetrit, dhe ishte i pashpirt sepse donte vetëm veten. Por kur e humbi tjetrin, pikërisht për shkak të karaterit si individ, megjithëse bëhet fjalë për një femër, ajo bie në dëshpërim dhe i thotë vetes se “zoti nuk ma fal” sjelljen time kundrejt tjetrit. Kur kjo përfundoi vetëm, ai tjetri qeshte si i marrë ndërsa kjo tërhiqësh zvarrë duke pohuar fajtorësinë e saj. Domethënë, bëhet fjalë për një histori dashurie ku si fillim femra lidhet me një mashkull dhe është e pashpirt dhe kur e humbet atë, dëshpërohet dhe e lidh atë me zotin i cili nuk do ta falte në botën tjetër!
Përmbajtja e këngës, në fjalë të tjera, është si thuajse gjithë këngët e tjera të kohës sonë, të cilat përqendrohen në dashurinë e humbur të një çifti, ku njëri është i pashpirt dhe tjetri vuan dhe kur ndahen bien në dëshpërim. Si e tillë, ajo nuk lidhet me dhimbjet dhe gëzimet kryesore të shoqërisë ose krizat dhe përpjekjet për të luftuar krizat nga e njëjta shoqëri. Por lidhet me përjetimet e një çifti ku rolet shpesh përmbysen. Kjo lloj kënge, me këtë lloj përmbajtje, është tejet e ngushtë: sepse është e shkëptur nga shoqëria të cilën përfaqëson në një festival ndërkombëtar si Eurovizioni. Ajo nuk shpreh, në fjalë të tjera, shoqërinë prej nga vjen. Por vetëm një dhimbje —duke e marrë si të mirëqenë— të një femre që përjetoi për shkak të “pashpirtësisë” së saj.
Së dyti, ishte veshja e këngëtares: ajo këndonte një këngë me thelb ‘pësimin’ dhe ‘vuajtjen’ por u paraqit me “veshje” të mbulur me gurë të nditshëm që tregonte zbuluar vithjet dhe këmbët kur vetë këngëtarja nuk e shoqëronte këngën me vallëzim: sepse nëse e shoqëronte me vallëzim, veshja deri diku do të përputhësh me synimin. Ndoshta stilisti u përqendrua tek vargu i dytë i strofës së parë të këngës, ku flitet për një “yll” në qiell dhe e veshi këngëtaren si “ylli” i këngës. Por është e qartë se zbulimi i pjesëve të poshtme të trupit, nuk përputhet as me kuptimin e këngës e as me interpretimin. Për të njëjtën arsye veshja la një shije të hidhur dhe kujtonte veshjet e këngëve ”pop” që realizohen në kohën tonë, kryesisht në Amerikë, ku femrat nuk tregojnë vetëm hiret e tyre por veprojnë sikur të ishin në një film pornografik, megjithëse, zakonisht përputhin veprimet me teksin dhe kuptimin e këngës. Nuk janë të pakta këngët që i këndojnë epshit dhe seksit me fjalë banale!
Kënga e Anxhelës, në fjalë të tjera, nuk përfaqësoi vendin tonë. Por dhimbjen e një “poeti” të cilën mund ta ketë dëgjuar ose përjetuar vetë dhe veprimet dhe estetika nuk u harmonizuan me kuptimin e këngës. Kjo është përgjegjësi e atyre që e miratuan dhe jo e këngëtares pavarësisht se edhe ajo ka përgjegjësi: për shembull, duke refuzuar veshjet esktravagante në një këngë vajtuese etj. Kënga fituese, për shembull, prekte një çështje të mprehtë të shoqërive tona: mospranimin e njeriut ndryshe. Thelbi i saj: të qenit ndryshe nga të tjerët dhe pranimi i këtij fakti nga shoqëria. Si qëllim godet shoqëritë perëndimore të cilat vërtet vuajnë nga pranimi i dikujt që është ndryshe nga të tjerët e aq më tepër për një njeri të “heshtur”, ku përfshihen kryesisht autikët.
Ritmi më i ëmbël është ai që shoqërohet me “Parla, la gente purtroppo parla…”. Por kishte dhe nuanca revolucionare me thënie si “Sono fuori di testa…”. Domethënë, ajo kishte një tekst përmbajtja e të cilit lidhet me shoqëritë tona, shoqërohësh nga një muzikë “rock & roll” përmbajtja e së cilës është me tinguj të fuqishëm dhe revolucionar, dhe estetikë ndryshe nga të tjerët për t`u përputhur me kuptimin e këngës.
Si e tillë, kënga italiane është dhe këngë ‘revolucionare’ ndërsa kënga jonë ose ajo që na “përfaqësoi” ne, ishte e paharmonizuar dhe e pa lidhur me shoqërinë tonë! Ndaj le të shërbejnë kjo kritikë për herën tjetër.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 47 reads



