Alarm planetar: bota rrezikon të kapërcejë 1.5 °C pesë vitet e ardhshme dhe të shkrumbohet
Bota do të nxehet aq shumë në pesë vitet e ardhshme saqë ka 40 për qind gjasa që të kapërcejë përkohësisht kufirin e temperaturës që po përpiqet të parandalojë marrëveshja e klimës në Paris
Voa
28/05/2021 - 08:22
Bota do të nxehet aq shumë në pesë vitet e ardhshme saqë ka 40 për qind gjasa që të kapërcejë përkohësisht kufirin e temperaturës që po përpiqet të parandalojë marrëveshja e klimës në Paris. Një parashikim i ri i Organizatës Botërore Meteorologjike për vitet e ardhshme parashikon gjithashtu një shans prej 90% që bota të vendosë një tjetër rekord për vitin më të nxehtë deri në fund të vitit 2025 dhe që Atlantiku të vazhdojë të prodhojë uragane që pritet të jenë më të rrezikshëm se ato të kaluarat.
Për këtë vit, meteorologët thonë se sipërfaqe të mëdha toke në Hemisferën Veriore do të jenë 0.8 gradë Celsius më të ngrohta se sa dekadat e fundit dhe se thatësira e Jugperëndimit të Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë.
Marrëveshja e Parisit për klimën e vitit 2015 përcaktoi një objektiv për të mos ta kaluar ngrohjen më shumë se një gradë. Raporti tha se ka një mundësi 40% që të paktën një nga pesë vitet e ardhshme të jetë 1.5 gradë Celsius më i lartë se kohët para-industriale –më ambiciozi i dy objektivave të Parisit. Bota tashmë është 1.2 gradë Celsius më e ngrohtë se kohët para-industriale.
Vitin e kaluar, i njëjti grup parashikoi një shans prej 20% që një gjë e tillë të ndodhte. Dyfishimi i gjasave është llogaritur falë përmirësimeve në teknologji që tregojnë se toka "në fakt që tani është më e nxehtë nga sa kishim menduar", veçanërisht në rajonet polare, tha Leon Hermanson, një shkencëtar i klimës në Qendrën Met Center të Mbretërisë së Bashkuar i cili ndihmoi për të bërë parashikimin.
"Është një sinjal që duhet të ndërmarrim veprime të forta," tha zoti Hermanson.
Shkencëtari për klimën në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, Michael Mann, i cili nuk ishte mes autorëve të raportit, tha se ai është "pothuajse i sigurt" që bota do të tejkalojë pragun e ngrohjes përcaktuar në Paris të paktën një herë në vitet e ardhshme. Por ai tha se një ose dy vjet mbi 1.5 gradë Celsius nuk është aq shqetësuese krahasuar me mundësinë që prirja e përgjithshme e temperaturave të qëndrojë mbi atë nivel. Prof. Mann tha se kjo ndoshta nuk do të ndodhë për dekada me radhë dhe se ende mund të parandalohet.
Lexo për më shumë:
Kanosja katastrofike e planetit: nga përmbytjet biblike dhe thatësirat shkretuese te përfitimet e elitave dhe dalldisja e popujve
2020 viti më i ngrohtë në Evropë
Agjencia shkencore “Shërbimi i Kopernikut për Ndryshimet Klimatike” raporton se viti 2020 ishte 1.6 gradë Celcius më i nxehtë se mesatarja e temperaturave të regjistruara në Evropë dhe të paktën 0.4 gradë Celcius më i nxehtë se pesë vitet me temperaturat më të larta të kontinentit evropian në histori.
Agjencia ka në arkivat e saj temperaturat e kontinentit të regjistruara që nga viti 1950. Por, sipas këtij institucioni, temeraturat e vitit 2020 janë krahasuar me të dhënat ekzistuese të mbedhura që nga viti 1850.
Raporti del ndërkohë që udhëheqësit botërorë diskutojnë planet për të luftuar ngrohjen globale në takimin e organizuar nga Shtetet e Bashkuara mbi ndryshimet klimatike. Përfundimet e këtij dokumenti janë një kujtesë e zymtë nga shkencëtarët mbi ritmet e përshpejtuara të ngrohjes së planetit dhe kërcënimin që përbëjnë temperaturat e larta për shumë aspekte të jetës në Tokë.
Studimi po ashtu zbuloi që edhe stinët më të freskëta, si vjeshta dhe dimri u karakterizuan nga temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Shkencëtarët e konsiderojnë si “veçanërisht të rëndësishme” rritjen e temperaturave gjatë dimrit me mbi 3.4 gradë Celcius krahasuar me mesataren e periudhës 1981-2020 dhe 1.4 gradë më lart se mesatarja e dimrave më të ngrohtë deri vjet.
Stina e vjeshtës vjet në Evropë ishte po ashtu më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në këtë kontinent. Megjithëse pati ditë me temperatura të larta rekord gjatë verës, si episodet e regjistruara në vendet skandinave apo në Francë, thuhet në raport, këto episode nuk ishin aq të gjata e të vazhdueshme sa vala e të ngrohtit gjatë vjeshtës.
Ndërkaq, zona e Arktikut përjetoi një “vit spetakolar” shprehet një ndër shkencëtaret e agjencisë. Ajo sjell si shembull zjarret masive në pjesën e Siberisë që shtrihet brenda Rrethit Arktik, pjesërisht pasojë e valës së të nxehtit dhe e rreshjeve më të pakta të dëborës. Siberia Arktike theu gjithashtu rekordet me një rritje prej 4.3 gradë Celcius të temperaturës mesatare vjet, krahasuar me temperaturat mesatare të peridhës 1981-2020.
Sipas “Shërbimit të Kopernikut për Ndryshimet Klimatike” në shkallë globale 2020 ishte një ndër tre vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, duke konfirmuar përfundimet e Organizatës Meteorologjike Botërore.
“Shërbimi i Kopernikut për Ndryshimet Klimatike” është një agjenci e Bashkimit Evropian që ofron informacion mbi ndryshimet klimatike në Evropë gjatë rrjedhës së viteve.
*Ky lajm është përditësuar lidhur me raportin e rritjes së temperaturave
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 62 reads



