Mbledhja e G-7ës përfundoi me vendime të vagëta
Mbledhja e G-7ës në gjirin e Carbis të Britanisë, 2021, bisedoi për frenimin e pandemisë duke premtuar se do të dhurojë 1 miliard doza, gjysma e të cilave do të jepet nga SHBA-ja, përkundër nevojave për të cilat OBSH-ja ka vlerësuar se nevojiten rreth 11 miliardë doza, dhe se do t`i “parandalojnë” ato “duke përfshirë rritjen e kapacitetit global të prodhimit dhe përmirësimin e sistemeve të paraljamërimit të hershëm”; se do të rivalizojë strategjinë globale të Kinës lidhur me projektin e saj “Një brez, një rrugë” me një mekanizëm të ri financimi të infrastrukturës për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të quajtur “Build Back Better World” ose “B3W”, por pa e qartësuar fushën dhe burimin financiar
Voa-SHJ
13/06/2021 - 17:04
Mbledhja e G-7ës në gjirin e Carbis të Britanisë, 2021, bisedoi për frenimin e pandemisë duke premtuar se do të dhurojë 1 miliard doza, gjysma e të cilave do të jepet nga SHBA-ja, përkundër nevojave për të cilat OBSH-ja ka vlerësuar se nevojiten rreth 11 miliardë doza, dhe se do t`i “parandalojnë” ato “duke përfshirë rritjen e kapacitetit global të prodhimit dhe përmirësimin e sistemeve të paraljamërimit të hershëm”; se do të rivalizojë strategjinë globale të Kinës lidhur me projektin e saj “Një brez, një rrugë” me një mekanizëm të ri financimi të infrastrukturës për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të quajtur “Build Back Better World” ose “B3W”, por pa e qartësuar fushën dhe burimin financiar; dhe se do të luftojnë korrupsionin, hakerimet dhe t`i japin fund financimeve publike të projekteve të qymyrit. Rusia zuri pak hapësirë ndërsa u diskutuan çështje lidhur me natyrën e NATO-s. SHJ
Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se samiti i G-7ës ishte një "takim jashtëzakonisht bashkëpunues dhe produktiv" që shënoi përparime në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, ringjalljen e ekonomisë globale dhe që veçoi Kinën me emër për sjelljen e saj të keqe.
Duke folur për gazetarët të dielën në fund të mbledhjes në Gjirin Carbis të Britanisë, Presidenti Biden vlerësoi gjithashtu marrëveshjet mbi trajtimin e korrupsionit, luftën kundër programeve të hakerimit dhe dhënien fund të financimeve publike për projektet e qymyrit (por pa ndonjë marrëveshje të përcaktuar kohore).
Drejtuesit e G-7ës të dielën nënshkruan Deklaratën e Gjirit Carbis, https://www.g7uk.org/g7-leaders-to-agree-landmark-global-health-declarat... duke u zotuar t'i "japin fund pandemisë dhe të përgatiten për të ardhmen", si dhe të "gjallërojnë ekonomitë" me 12 trilionë dollarë mbështetje të vëna në dispozicion gjatë pandemisë.
Udhëheqës të tjerë, përfshirë Kryeministrin britanik Boris Johnson, mikëpritës i takimit, i bënë jehonë motos së përdorur nga presidenti Biden për të "ndërtuar më mirë". Deklarata përfundimtare, që e merr emrin nga vendndodhja e takimit të G-7ës në qytetin bregdetar Cornwall në Britani, parashtron nevojën për të trajtuar problemin e pandemisë në një nivel global. Qëllimi është të shkurtohet koha e nevojshme për t'u përgjigjur në rastin e një pandemie, përfshirë zhvillimin e vaksinave, brenda 100 ditësh.
"Kishte një konsensus të qartë midis të gjithë kolegëve tanë në G-7 se ky nuk është fundi," tha Presidenti Biden për betejën kundër koronavirusit. "Ne do të ndihmojmë derisa të sigurojmë nevojat e të gjithë botës".
Krerët e Britanisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë - një grup i demokracive më të pasura në botë, i njohur si Grupi i Shtatëshes - u shoqëruan në diskutimet e tyre mbi shëndetin global edhe nga udhëheqësit e Koresë së Jugut, Afrikës së Jugut dhe Australisë. Kryeministri indian Narendra Modi u bashkua virtualisht. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dhe udhëheqës të organizatave të tjera ndërkombëtare ishin gjithashtu të pranishëm.
Konferenca demonstroi për udhëheqësit e G-7ës dhe popujt e tyre se "Amerika është përsëri në tryezë", tha presidenti Biden, pas katër viteve të administratës së Donald Trumpit. "Unë mendoj se kemi bërë disa përparime në rivendosjen e besueshmërisë tek Amerika mes miqve tanë më të ngushtë."
"Mungesa e pjesëmarrjes dhe angazhimit të plotë në të kaluarën u vunë re jo vetëm nga udhëheqësit e këtyre vendeve, por edhe nga njerëzit e vendeve të G-7ës", shtoi presidenti Biden gjatë një konference për shtyp.
1 miliard vaksina
Udhëheqësit e G-7 njoftuan se do të dhurojnë një miliard doza vaksinash për botën, me gjysmën e tyre që do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Ata u angazhuan për një seri veprimesh për t'i dhënë fund pandemisë dhe për parandalimin e një pandemie tjetër në të ardhmen, duke përfshirë rritjen e kapacitetit global të prodhimit dhe përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se nevojiten rreth 11 miliardë doza vaksinash.
"Rezultati i këtij samiti jo frymëzues do të jetë një pandemi e zgjatur që kushton më shumë jetë njerëzish dhe burimesh, jo vetëm në të gjithë botën, por edhe në vetë vendet e G7-ës," tha Tom Hart, ushtrues i detyrës së shefit ekzekutiv të organizatës ONE CAMPAIGN, një organizatë shëndetësore kundër varfërisë.
"Mendoj se ka një mundësi përtej vitit 2022, ndoshta në fillim të vitit 2023 që ne të jemi në gjendje të sigurojmë edhe një miliardë (doza) të tjera nga Shtetet e Bashkuara," tha presidenti Biden.
G-7 dhe Kina
Presidenti Biden tha se ishte i kënaqur që G-7a u përqëndrua tek Kina. Herën e fundit që G-7a u takua, Kina nuk u përmend”, vuri në dukje presidenti amerikan. “Por kësaj herë përmendet Kina me emër. G-7a shprehimisht ra dakord për t’i bërë thirrje Kinës mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang dhe Hong Kong. Kina ka goditur ashpër kryesisht ujgurët e pakicës myslimane në Xinjiang dhe shtypi lëvizjen pro-demokracisë në Hong Kong.
Në komunikatën përfundimtare thuhet se G-7a "do të vazhdojë të konsultohet mbi qasjet kolektive për të sfiduar politikat dhe praktikat që minojnë funksionimin e drejtë dhe transparent të ekonomisë globale. Ai gjithashtu i bën thirrje Pekinit "të respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, veçanërisht në lidhje me provincën Xinjiang dhe të drejtat, liritë dhe shkallën më të lartë të autonomisë për Hong Kongun të pranuara në Deklaratën e Përbashkët Sino-Britanike dhe Ligjin Themelor".
Presidenti Biden tha se "Kina duhet të fillojë të veprojë më me përgjegjësi në drejtim të normave ndërkombëtare të transparencës dhe për të drejtat e njeriut".
Grupi njoftoi një mekanizëm të ri të financimit të infrastrukturës për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të quajtur "Build Back Better World", ose "B3W", i projektuar për të rivalizuar nismën kineze “Një Brez, Një Rrugë”- strategjia globale e investimeve për zhvillimin e infrastrukturës në qendër të politikës së jashtme të Pekinit. Fusha dhe burimi i financimeve janë ende të paqarta.
Të dielën Kina u kundërpërgjigj, duke thënë se ditët kur vendimet globale diktoheshin nga një "grup i vogël" vendesh janë shumë larg.
Bideni dhe Putini
Gazetarët amerikanë i bënë disa pyetje Presidentit Biden në lidhje me takimin e planifikuar të kësaj jave me Presidentin rus Vladimir Putin, duke vërejtur se sanksionet ndaj Moskës nuk kanë ndryshuar sjelljen e udhëheqësit rus.
"Autokratët kanë pushtet të madh dhe nuk kanë pse t'i përgjigjen një publiku", u përgjigj zoti Biden. "Dhe mund të ndodhë që nëse unë përgjigjem me dashamirësi, gjë që do ta bëj, ai të mos shkurajohet dhe të dëshirojë të vazhdojë".
Biden tha se ai ishte dakord me vlerësimin e Putinit se marrëdhëniet midis dy vendeve të tyre janë në një pikë të ulët. Një fushë e marrëveshjeve të mundshme me Rusinë, sipas presidentit amerikan do të ishin ekstradimet reciproke të kriminelëve kibernetikë të cilët kanë shënjestruar vendet e tyre përkatëse - diçka që Putini ka thënë se e favorizon.
Plane për diskutime rreth natyrës së NATO-s para mbledhjes
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) do të diskutojë rishikimin e konceptit të saj strategjik kur udhëheqësit e saj, përfshirë Presidentin amerikan Joe Biden, të mblidhen të hënën në Bruksel.
Aleanca e NATO-s e rishikoi për herë të fundit dokumentin që parashtron qëllimin e saj në vitin 2010. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës, Jens Stoltenberg, kërcënimet dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet aleanca kanë ndryshuar që nga ajo kohë.
“Për shembull, në konceptin aktual strategjik, Kina nuk përmendet me as një fjalë të vetme. Ndryshimi i klimës vështirë se përmendet. Dhe sigurisht, marrëdhënia jonë me Rusinë ishte shumë ndryshe në atë kohë krahasuar me pozicionin ku jemi sot”, u tha zoti Stoltenberg gazetarëve të premten. "Sot, ne jemi në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë në marrëdhëniet tona me Rusinë. Sulmet kibernetike më të sofistikuara, dhe shumë sfida të tjera kanë evoluar gjatë këtyre viteve."
NATO vonoi diskutimet për ndryshim në konceptin e saj strategjik gjatë periudhës kur zoti Donald Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë.
"Evropianët nuk donin të hapnin Kutinë e Pandorës gjatë administratës Trump sepse nuk e dinin se çfarë do të thoshin Shtetet e Bashkuara", tha Dan Hamilton, drejtor i programit për Evropën Globale në Qendrën Wilson.
Trumpi kishte marrëdhënie të tensionuara me udhëheqësit e tjerë të aleancës ushtarake, duke i kritikuar vazhdimisht që të rrisnin buxhetet e tyre të mbrojtjes - "detyrimet" ndaj NATO-s siç i quajti ai gabimisht - dhe duke vënë në dyshim klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s, të njohur si Neni 5.
Të mërkurën e kaluar gjatë një fjalimi para personelit të Forcave Ajrore amerikane dhe familjeve të tyre në Forcën Ajrore Mbretërore Mildenhall në Angli, presidenti Biden tha: "Në Bruksel, unë do ta bëj të qartë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë të NATO-s dhe Nenit 5 është i pandryshueshëm . Është një detyrim i shenjtë që kemi sipas Nenit 5. ”
Zoti Biden mbërrin në Bruksel të dielën përpara takimit të NATO-s, si dhe samitit të së martës me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.
Këto diskutime do të zhvillohen përpara takimit të Presidentit Biden të mërkurën në Gjenevë me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, kështu që presidenti amerikan "dëshiron të ketë një përkrahje të fuqishme nga takimi i tij me aleatët e NATO-s", tha zoti Hamilton për Zërin e Amerikës.
Takimi i NATO-s të hënën do të shënojë gjithashtu fundin e operacioneve ushtarake në Afganistan në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar të paktën gjysmën e tërheqjes së tyre nga vendi.
NATO-ja po propozon gjithashtu që ushtritë e vendeve anëtare dhe sektori privat të shohin mundësinë e bashkëpunimit me teknologjitë e zhvilluara si dhe shqyrtojnë zgjerimin e partneritetit me demokraci të ngjashme përtej kufijëve ekzistues, përfshi rajonin e Indo-Paqësorit, mes rritjes së shqetësimeve rreth ekspansionit të Kinës.
"Kjo administratë dëshiron të tregojë, si nga ana retorike ashtu edhe nga përmbajtja, se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm pranë aleatëve evropianë. Por ka ende shumë sfida në marrëdhëniet Trans-Atlantike se si të menaxhojmë dhe të ballafaqohemi me Rusinë dhe Kinën dhe si të trajtojmë COVID-in dhe ndryshimet e klimës”, i tha Zërit të Amerikës, Mark Simakovsky me Këshillin Atlantik.
Sipas analistit Dan DePetris me organizatën Defense Priorities, "Do të ishte me vënd që presidenti të zhvillonte një bisedë të ashpër, por të domosdoshme brenda NATO-s mbi temat që aleanca i ka shmangur në të kaluarën,". "Kjo do të thotë të rivlerësojë - dhe të mbyllë - politikën e dyerve të hapura të NATO-s, e cila në këtë pikë është më shumë një telash për aleancën dhe detyrimet të sigurisë për Shtetet e Bashkuara sesa një përfitim".
I njohur si Neni 10, parimi i dyerve të hapura të NATO-s thotë se çdo vend tjetër mund të ftohet të anëtarësohet në aleancë me miratim unanim, dhe është bërë një pikë grindjeje midis atyre që thonë se parimi promovon stabilitetin organizativ dhe atyre që thonë se rrezikon ta bëjë organizatën të pavolitshme duke kompromentuar ndoshta mandatin e saj.
"Biden duhet gjithashtu të ritheksojë dhe të forcojë vërtet mekanizmat për zgjidhjen e konflikteve dhe dialogut të NATO-s me Rusinë, sjellja e të cilës nuk mund të injorohet ose thjesht të sanksionohet," i tha Zërit të Amerikës analisti DePetris.
Gjithashtu këtë javë në fokus do të jetë edhe interesi i shtuar amerikan për të sjellë Ukrainën dhe Gjeorgjinë në Nato.
Dy ditë më pas
Presidenti Joe Biden theksoi të hënën përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës së NATO-s, në hapje të takimit në të cilin organizata do të diskutojë rishikimin e konceptit të saj strategjik. Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën në Bruksel për të diskutuar sfidat e aleancës para së cilës, tha presidenti Biden, ndodhen shumë të tilla.
“Kemi Rusinë që nuk vepron në përputhje me atë që shpresojmë dhe kemi Kinën”, tha ai përgjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Presidenti Biden tha se NATO-ja është thelbësore për interesat amerikane. “Neni i 5-të është një detyrim i shenjtë” dhe “Evropa duhet të dijë se Shtetet e Bashkuara janë këtu”, tha ai, duke iu referuar klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s.
Sekretari Stoltenberg tha të hënën se marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë janë në "pikën më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë". "Kjo është për shkak të veprimeve agresive të Rusisë," tha ai.
Sekretari Stoltenberg tha po ashtu se NATO-ja duhet të ketë një qasje më të fortë ndaj Pekinit.
Shtëpia e Bardhë tha se komunikata që do të nënshkruhet nga anëtarët e aleancës në fund të takimit të NATO-s pritet të ketë ndryshime në Nenin 5, duke përfshirë edhe sulmet e mëdha kibernetike - një çështje shqetësuese në rritje mes një sërë sulmesh të tilla që kanë vënë në shënjestër qeverinë dhe bizneset amerikane në gjithë botën nga hakerat me bazë në Rusi.
Sipas këtij formulimi të ri nëse një anëtar i aleancës ka nevojë për mbështetje teknike ose të zbulimit në përgjigje të një sulmi kibernetik, ai do të jetë në gjendje të kërkojë aktivizimim e klauzolës për mbrojtjen e ndërsjellë për të marrë ndihmë, sipas këshilltarit të sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Presidenti filloi takimet e ditës me udhëheqësit e vendeve Baltike në pjesën lindore të NATO-s në lidhje me "kërcënimin që paraqet Rusia", Kina dhe pirateria e fundit ajrore në Bjellorusi, sipas zotit Sullivan. Ai do të takohet gjithashtu me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
30 vendet anëtare të NATO-s përfunduan të hënën takimin e nivelit të lartë në Bruksel, duke riafirmuar aleancën ushtarake me një deklaratë të fortë kundër Rusisë dhe në një nivel më të moderuar ndaj Kinës.
Të dyja vendet u konsideruan si "sfida ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla".
Një ditë më pas: NATO-ja përgatitet për sfidat që paraqet Kina dhe Rusia
Në komunikatën përfundimtare, udhëheqësit ranë dakord të "hapnin një kapitull të ri në marrëdhëniet transatlantike", pasi përballen me një mjedis sigurie "gjithnjë e më kompleks".
Aleanca miratoi "NATO 2030" një mekanizëm konsultimi për t’u përgatitur për Konceptin e saj të ardhshëm Strategjik, një dokument që ka si qëllim ta orientojë aleancën drejt konkurrencës globale në rritje dhe kërcënimeve më të paparashikueshme.
“NATO 2030” përfshin ndërgjegjësimin për një "Rusi më agresive", për një "formë më brutale terrorizmi", paqëndrueshmërinë e vazhdueshme, rritjen e kërcënimeve kibernetike dhe hibride, teknologjitë e reja, pandemitë dhe ndryshimin e klimës si kërcënimet të reja. Dokumenti gjithashtu pohon se "fuqizimi i Kinës e zhvendos thellësisht ekuilibrin e pushtetit."
"Duke rënë dakord (mbi) axhendën e NATO-s 2030, udhëheqësit kanë marrë vendime për ta bërë aleancën tonë më të fortë dhe ta përshtasin më mirë për të ardhmen," tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg gjatë një konference shtypi në fund të samitit.
Moska mohon çdo keqbërje, por aleatët janë gjithnjë e më të shqetësuar duke pasur parasysh agresionin e fundit të Rusisë në kufirin e saj lindor dhe sulmet e saj të fshehta dhe kibernetike për të minuar shtetet perëndimore. Në një referencë tjetër të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë, anëtarët e NATO-s ranë dakord mbi një politikë të re të mbrojtjes kibernetike.
"Hapësira kibernetike rrezikohet në çdo kohë dhe ne duhet të kemi aftësi të forta teknike, konsultime politike dhe planifikim ushtarak për të mbajtur të sigurt sistemin tonë", tha zoti Stoltenberg.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u takua më herët me udhëheqësit e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë - vendet që fituan pavarësinë nga ish-Bashkimi Sovjetik në 1991. Ato janë tani anëtare të plota të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, megjithatë vendet balltike janë të kujdesshme ndaj ambicjeve rajonale të Kremlinit.
Në një intervistë të fundit me NBC, Presidenti rus Vladimir Putin e quajti NATO-n "një relike të Luftës së Ftohtë".
"Nuk jam i sigurt pse vazhdon të ekzistojë," tha zoti Putin.
Presidenti Biden do të takohet me të në Gjenevë të mërkurën.
Kina
Zoti Stoltenberg tha se prania ushtarake në rritje e Kinës nga Balltiku në Afrikë do të thotë që NATO-ja duhet të jetë e përgatitur.
"Kina po vjen më pranë nesh. Ne i shohim ata në hapësirën kibernetike, e shohim Kinën në Afrikë, por gjithashtu shohim që Kina investon shumë në infrastrukturën tonë kritike," tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Alice Billon-Galland, një studiuese në organizatën Chatham House me bazë në Londër thotë se aleatëve evropianë u duhet të punojnë si me Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe me Kinën, por në fund të fundit nuk duan të gjenden në mes të një konfrontimi mes Uashingtonit dhe Pekinit.
"Aleatët evropianë janë mjaft të kujdesshëm përsa i përket mënyrës se si i qasen kësaj çështjeje dhe në një farë mase ngurrojnë që NATO-ja të angazhohet shumë në çështjet e lidhura me Kinën ose çështjet e Indo- Paqësorit," tha ajo.
Tërheqja nga Afganistani
Pas 20 vitesh operacione ushtarake, NATO dhe SHBA kishin rënë dakord që do të tërheqin forcat nga Afganistani. Presidenti Biden ka caktuar 11 shtatorin 2021, si afatin e tërheqjes.
"Udhëheqësit e NATO-s riafirmuan angazhimin e tyre për të vazhduar mbështetjen e Afganistanit, me trajnim, përkrahje ndërkombëtare për forcat dhe institucionet afgane dhe fonde për të siguruar funksionimin e vazhdueshëm të Aeroportit Ndërkombëtar," tha zoti Stoltenberg.
NATO ka rreth 10.000 trupa në Afganistan, nga vende që përfshijnë Gjermaninë, Britaninë, Turqinë, Gjeorgjinë, Rumaninë dhe Italinë. Aleatët janë të shqetësuar për sigurinë në ambasadat e tyre si dhe në aeroportin e Kabulit. Turqia, një anëtare e NATO-s, ka ofruar të sigurojë aeroportin në një përpjekje për të rritur rolin e saj në aleancë.
"Pyetja është nëse gatishmëria e Turqisë për ta bërë këtë, e cila është mirëpritur qartë në Uashington, do të ishte e mjaftueshme për të kapërcyer problemet e tjera në këtë marrëdhënie," tha Bulent Aliriza, drejtor i Projektit të Turqisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. "Ka dyshime serioze për këtë," tha ai.
Ruajtja dhe funksionimi i aeroportit të Kabulit është midis shumë temave të sigurisë të diskutuara nga Presidenti Biden në takimin e tij dypalësh të hënën me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Marrëdhënia SHBA-Turqi ka qenë problematike, veçanërisht pas blerjes nga ana e Ankarasë të sistemit mbrojtës rus me raketa S-400, ofensivës së saj ushtarake në Siri dhe mbështetjes për Azerbajxhanin në luftën e Nagor-Karabakut me Armeninë.
Ukraina
Pas takimit të nivelit të lartë, Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski shkroi në Twitter se udhëheqësit e Aleancës kanë konfirmuar se vendi i tij do të bëhej anëtar i NATO-s, gjë që nuk është konfirmuar nga Aleanca.
I pyetur për antarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO, Presidenti Biden tha “Varet nëse i përmbushin kriteret”. Zoti Biden përmendi korrupsionin si një nga pengesat që duhet të kapërcejë Kievi në mënyrë që të futet në Aleancë. Ukraina paraqiti kërkesë për antarësim në 2008 dhe kërkon mbështetje më të madhe nga Perëndimi në ballafaqimin me agresionin rus. Qeveria ukrainase më parë kritikoi vendimin e bllokut për të mos e ftuar në këtë takim të nivelit të lartë.
Amerika është rikthyer
Zoti Biden përcolli në Bruksel mesazhin e tij 'se Amerika është rikthyer’, duke rikonfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj parimit të mbrojtjes kolektive të aleancës.
"Unë dua që e gjithë Evropa të dijë se Shtetet e Bashkuara janë të pranishme. Shtetet e Bashkuara janë këtu," tha zoti Biden në takimin e tij me zotin Stoltenberg.
Vizita e Presidentit Biden sjell një ton të ri në marrëdhëniet me aleancën ushtarake. Paraardhësi i tij, ish-Presidenti Donald Trump pati thënë se NATO-s i kishte ikur koha dhe ishte ankuar se SHBA po paguante më shumë nga sa i takonte në organizatë. Zoto Stoltenberg tha se katër vitet e kaluara kishin nënvizuar rëndësinë e institucioneve të forta shumëpalëshe.
"Do të ketë udhëheqës të ndryshëm politikë të zgjedhur në shumë vende aleate në vitet në vazhdim," tha ai. "Unë kam besim se për sa kohë që ne e kuptojmë se është në interes të sigurisë sonë të qëndrojmë së bashku, në interesin e sigurisë kombëtare të qëndrojmë së bashku, ne do ta ruajmë NATO-n si themelin e sigurisë sonë."
Koncepti i fundit Strategjik i NATO-s u hartua në vitin 2010. Aleatët hezituan ta rinovonin atë gjatë viteve të vështira të administratës Trump.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 24 reads



