NATO dhe Rusia më pranë luftës ndërsa zhvillon patrullime me Kinën
"Koncepti për Parandalimin dhe Mbrojtjen në Zonën Euro -Atlantike" është i nevojshëm në kushtet kur Rusia zhvillon sisteme të avancuara armësh dhe vendos trupa dhe pajisje më pranë kufijve të aleatëve
Voa
22/10/2021 - 09:59
Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s Jens Stoltenberg tha të enjten se marrëdhëniet mes aleancës dhe Rusisë, ndodhen në pikën e tyre më të ulët që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Zoti Stoltenburg i bëri komentet ndërsa ministrat e Mbrojtjes të NATO-s nisën takimet dy-ditore në Bruksel.
Së fundmi tensionet mes Rusisë dhe NATO-s janë rritur. Të hënën Moska njoftoi se do të pezullonte misionin e saj të përhershëm në NATO si përgjigje ndaj vendimit të aleancës për të dëbuar tetë shtetas rusë në fillim të këtij muaji. Aleanca i akuzoi ata për spiunazh, gjë që Kremlini e ka hedhur poshtë.
Duke folur para gazetarëve të enjten, zoti Stoltenberg tha se i vjen keq për vendimin e Rusisë për të mbyllur zyrën e aleancës në Moskë. Ai tha se ata kanë ende kanale komunikimi me Rusinë, por zhvillimet e fundit e bëjnë situatën më të vështirë. Por sipas shefit te NATO -s është tejet e rëndësishme që të dyja palët të vazhdojnë të flasin. Ai shtoi se NATO do të vazhdojë të përpiqet për një dialog konstruktiv me Rusinë.
NATO diskuton për rrezikun nga Rusia, Afganistanin dhe modernizimin e ushtrisë
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ndodhet në Bruksel për një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO -s të enjten dhe të premten për të diskutuar mbi çështjet e sigurisë në Afganistan, tensionet me Rusinë dhe politikat për teknologjinë.
"Jam këtu për të nxitur modernizimin ushtarak të NATO-s dhe për t’u siguruar që aleanca të jetë e përgatitur për sfidat e së ardhmes," shkruante zoti Austin në Twitter pasi mbërriti të mërkurën.
Ministrat e mbrojtjes të NATO-s pritet të bien dakord për një plan të ri madhor të enjten për t’u mbrojtur kundër çdo sulmi të mundshëm rus nga të gjitha frontet, duke riafirmuar objektivin kryesor të aleancës për të frenuar Moskën, pavarësisht nga një vëmendje në rritje ndaj Kinës. Strategjia konfidenciale, për të cilën njofton agjencia Reuters, parashikon për përgatitjen për sulme të mundshme paralele në rajonet e Baltikut dhe Detit të Zi që mund të përfshijë armë bërthamore, goditje të rrjeteve kompjuterike dhe sulme nga hapësira.
Zyrtarët theksojnë se ata nuk besojnë se ekziston ndonjë rrezik urgjent për ndonjë sulm nga Rusia. Moska mohon të ketë synime agresive dhe thotë se është NATO-ja ajo që rrezikon të destabilizojë Evropën me plane të tilla. Por diplomatët thonë se "Koncepti për Parandalimin dhe Mbrojtjen në Zonën Euro -Atlantike" - dhe plani strategjik për zbatimin e tij - është i nevojshëm në kushtet kur Rusia zhvillon sisteme të avancuara armësh dhe vendos trupa dhe pajisje më pranë kufijve të aleatëve.
"Kjo është mënyrë parandalimi," tha ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer për planin.
"Dhe kjo po përshtatet me qëndrimet aktuale të Rusisë - dhe ne po shohim shkelje veçanërisht të hapësirës ajrore mbi shtetet baltike, por edhe rritje të inkursioneve në Detin e Zi," tha ajo për radion gjermane Deutschlandfunk.
Miratimi do t’u hapë rrugën planeve më të detajuara rajonale deri në fund të vitit 2022, tha një zyrtar amerikan, duke i dhënë mundësi NATO-s të vendosë se çfarë armësh shtesë [...] i duhen dhe si t'i pozicionojë forcat e saj.
Pika të nxehta
Në maj, Rusia grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin e saj me Ukrainën, numri më i lartë që kur Moska aneksoi Krimesë në 2014, thonë zyrtarët perëndimorë. Në shtator, Rusia përdori robotë të rinj luftarakë në stërvitjet e mëdha ushtarake me aleatin e saj ish-sovjetik Bjellorusinë që kanë alarmuar aleatët baltikë.
Rusia po përmirëson ose zëvendëson sistemet hapësinore ushtarake sovjetike, po zhvillon teknologji të bazuara në inteligjencën artificiale për t’iu kundërvënë sistemeve komanduese të aleancës dhe po zhvillon të ashtuquajtura "super armë".
Ato përfshijnë raketa hipersonike me aftësi bërthamore që mund të shmangin sistemet e paralajmërimit të hershëm.
Gjenerali amerikan në pension Ben Hodges, i cili komandoi forcat e ushtrisë amerikane në Evropë nga viti 2014 deri në vitin 2017, tha për agjencinë Reuters se ai shpresonte që plani të nxiste një koordinim më të mirë në mbrojtjen kolektive të NATO -s, që do të thotë më shumë burime për rajonin e Detit të Zi.
"Sipas mendimit tim, kjo është një pikë më e mundshme e nxehtë sesa Baltiku," tha zoti Hodges.
Jamie Shea, një ish-zyrtar i lartë i NATO-s, tha për agjensinë e lajmeve Reuters se plani mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e fokusit tek Rusia në një kohë kur aleatët kryesorë po bëjnë përpjekje të shtojnë praninë e tyre në rajonin Indo-Paqësor dhe t’i kundërvihen fuqisë ushtarake në rritje të Kinës.
"Deri sot mendohej se Rusia përbën shqetësim, por jo një kërcënim urgjent. Por rusët po ndërmarrin disa hapa shqetësuese. Ata po eksperimentojnë në fushën e robotikës, dhe raketat hipersonike mund të jenë vërtet shqetësuese," tha ai.
Disa informacione në këtë artikull janë marrë nga agjencia Reuters.
Një ditë më pas: as verë, as uthull
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara Lloyd Austin tha të premten se administrata Biden dëshiron marrëdhënie të "parashikueshme dhe të qëndrueshme” me Rusinë.
Komentet e zotit Austin ishin në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me përkeqësimin e marrëdhënieve mes NATO-s dhe Rusisë, pas vendimit të kësaj të fundit të hënën, për të pezulluar misionin e saj në NATO dhe të mbylljen e zyrave të aleancës në Moskë, si kundërpërgjigje për dëbimin e 8 diplomatëve rusë nga NATO.
Duke folur në Bruksel, pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, zoti Austin tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet për të krijuar "një mbrojtje më të fortë dhe më të aftë evropiane".
Kohët e fundit zyrtarët evropianë kanë diskutuan rreth mënyrave për të përmirësuar aftësitë e tyre ushtarake dhe që të mos mbështeten shumë tek Shtetet e Bashkuara, zhvillim që pason tërheqjen kaotike të trupave perëndimore nga Afganistani.
Zoti Austin tha se i mirëpret çdo përpjekje në këtë drejtim duke shtuar se Shtetet e Bashkuara "do të donin të shihte nisma që janë plotësuese të aksioneve që ndërmerr NATO".
Sekretari Mbrojtjes Austin u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të vazhduar procesin e evakuimit nga Afganistani ndërsa vendi ndodhet nën kontrollin e talebanëve.
"Ne kemi përgjegjësi morale për të punuar sa më shumë dhe për aq kohë sa të mundemi për t'i ndihmuar ata njerëz", tha ai.
Çështjet kryesore të diskutuara në takimin e minstrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel, ishin konfliktet e kaluara, ato të tanishme, mësimet e nxjerra në Afganistan, Rusia që prishi marrëdhëniet diplomatike me NATO-n këtë javë mes agresionit në krahun lindor të aleancës, dhe shqetësimet në rritje për një luftë të mundshme midis Kinës dhe Tajvanit.
"Askush, përfshirë Presidentin Biden nuk dëshiron që çështjet mes Kinës dhe Tajvanit të shpërthejnë, dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhë", tha Sekretari Austin.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha gazetarëve të premten në Bruksel se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në përpjekjet për të forcuar aftësitë mbrojtëse ushtarake të Tajvanit. Ai gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Amerikës për sovranitetin e aleatëve amerikanë që luftojnë agresionin rus.
Para takimit të NATO-s, zoti Austin vizitoi këtë javë Rumaninë, një aleat i NATO-s në kufi të Detit të Zi, si edhe Gjeorgjinë dhe Ukrainën, dy partnerë të pushtuar pjesërisht nga forcat ruse dhe ato të mbështetura nga Rusia.
Max Bergmann nga Qendra për Progresin Amerikan në Uashington thotë se ndalesat e Sekretarit Austin janë një shenjë se nuk pritet të ketë një ngrohje të marrëdhënieve me Rusinë.
"Unë mendoj se administrata e Presidentit Biden, ndoshta në fillim nuk ishte shumë e qartë dhe shkaktoi pak shqetësim në mesin e disa njerëzve në Evropën Lindore se nuk ishte shumë e përqendruar në çështjet e lidhura me Rusinë dhe shqetësimet e Evropës Lindore. Kjo vizitë tani i ka hequr këto shqetësime”, thotë ai.
Ky ishte takimi i parë i ministrave të mbrojtjes të NATO-s që nga tërheqja kaotike e trupave të koalicionit nga Afganistani, që u shoqëruara me kritika të shumta. Analisti Max Bergmann thotë se kjo ishte një "periudhë e errët" për aleancën e NATO–s.
"Unë mendoj se Afganistani ka qenë padyshim një çështje e debatueshme për aleancën. Evropianët menduan se nuk ishin konsultuar në mënyrë adekuate dhe ata menduan se ky ishte në një farë mënyre një vendim i njëanshëm i Presidentit Biden për t'u tërhequr", thotë ai.
Veterani i luftës në Afganistan, Bradley Bowman, i cili tani punon në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me qendër në Uashington, thotë se kjo çështje i hapi rrugën kritikave ndaj Shteteve të Bashkuara se ato nuk janë një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm.
"Nuk ka dyshim se reputacioni i Amerikës, si rezultat i vendimit të tmerrshëm të administratës së Presidentit Bidenit për t’u tërhequr nga Afganistani, është njollosur, në Evropë dhe në të gjithë botën", tha ai.
Talebanët janë kthyer në pushtet. Disa përparime të fituara me një luftë intensive u gërryen. Dhe tani ka njoftime se qindra amerikanë dhe mijëra afganë që ishin partnerë të Shteteve të Bashkuara u lanë mprapa.
Sekretari Austin tha se Shtetet e Bashkuara kanë një "përgjegjësi morale" për të ndihmuar ata që kanë mbështetur Amerikën.
"Ne nuk kemi mbaruar, ne do të vazhdojmë punën tonë. Ne do të punojmë sa më shumë që të mundemi për të ndihmuar sa më shumë njerëz", tha ai.
Aftësitë e Shteteve të Bashkuara për të evakuuar njerëz nga Afganistani janë kufizuar pas tërheqjes së trupave amerikane. Forcat ushtarake amerikane ndihmuan në evakuimin e më shumë se 100,000 njerëzve nga vendi i shkatërruar nga lufta gjatë dy javëve të fundit të gushtit.
Anijet luftarake ruse dhe kineze bëjnë patrullimet e para të përbashkëta në Paqësor
Anijet luftarake ruse dhe kineze bënë patrullimet e tyre të para të përbashkëta në pjesën perëndimore të oqeanit Paqësor nga 17 deri më 23 tetor, njoftoi në një deklaratë të shtunën Ministria ruse e Mbrojtjes.
Moska dhe Pekini, që mbajtën stërvitje të bashkëpunimit detar në Detin e Japonisë në fillim të tetorit, kanë forcuar lidhjet ushtarake dhe diplomatike vitet e fundit në një kohë kur marrëdhëniet e tyre me Perëndimin janë acaruar.
Manovrat detare janë ndjekur nga afër nga Japonia, e cila tha në fillim të kësaj jave se një flotë prej 10 anijesh nga Kina dhe Rusia lundruan përmes ngushticës Tsugaru që ndan ishullin kryesor të Japonisë dhe ishullin e saj verior Hokkaido.
"Anijet kaluan përmes ngushticës Tsugaru për herë të parë në kuadër të patrullimit," tha Ministria ruse e Mbrojtjes në deklaratë. Ngushtica konsiderohet pjesë e ujërave ndërkombëtare.
Ministria shton se patrullimet kishin si synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Azi-Paqësorit dhe mbrojtjen e aktiviteteve ekonomike detare të të dy vendeve.
Shënim i redaksisë: në studimin që po bashkangjisim këtu, edhe një herë, Ylli Përmeti tregon se Putini ka paralajmëruar se nëse NATO-ja ndryshon doktrinë ushtarake dhe zhvendos armë të tjera pranë kufirit me Rusinë, për këtë të fundit do të ishte shpallje lufte!
Superfuqitë ushtarake dhe mundësitë e shpërthimit të një lufte botërore*
*Përditësuar në 23 tetor
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 124 reads



